E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia "blindon" vendin për festat e fundit të vitit

Kreu i policisë urdhëron të gjithë shërbimet për marrjen e masave në prag të Vitit të Ri. Sivjet, drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë hartuar një plan më të ashpër se vitet e tjera, madje, deri te mbikëqyrja e personave me precedentë penalë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi se është hartuar një plan masash për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe sigurimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë ditëve të festimit të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Përmes këtij plani janë përcaktuar detyra për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, me qëllim krijimin e kushteve optimale për festat e fundvitit, parandalimin e ngjarjeve kriminale apo rasteve aksidentale të dëmtimit të shëndetit e të jetës së komunitetit.

"Detyra të veçanta janë përcaktuar për mbajtjen nën kontroll të elementëve me precedentë kriminalë, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e shpejtë dhe në kohë të ngjarjeve kriminale. Po ashtu, është kërkuar dhe realizimi i analizave të shpejta dhe vlerësimi i informacioneve për konflikte të mundshme dhe si rezultat i ardhjes së emigrantëve, duke marrë masa me karakter parandalues", shpjegoi Policia e Shtetit. Sipas tyre, do të përforcohen edhe shërbimet policore për ruajtjen e sigurimin e objekteve të rëndësishme shtetërore, publike e private.

Ndërsa me qëllim planifikimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, do të bashkëpunohet me autoritetet vendore për t‘u njohur me programet apo aktivitetet e festimeve që do të zhvillohen gjatë fundvitit. "Ndërkohë, masa të veçanta do të ndërmerren për parandalimin e përdorimit të fishekzjarrëve të rrezikshme në netët e festave", deklaruan burimet zyrtare për gjithë të pasionuarit e fishekzjarrëve. Krahas masave nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, në bashkëpunim me drejtoritë e policisë në qarqe, punonjësit e doganave, si dhe struktura të tjera, po punohet me qëllim bllokimin e hyrjes në Shqipëri të fishekzjarrëve të rrezikshme për jetën.

Por, policia nuk ka harruar të marrë një sërë masash, me qëllim lehtësimin e procedurave të përpunimit të personave dhe automjeteve në pikat kufitare dhe eliminimin e radhëve të gjata. Për këtë qëllim, policia ka vendosur shtimin e efektivëve dhe aparaturave në policinë kufitare për emigrantët. Nisur nga fluksi i madh i tyre, policia është porositur për përshpejtimin e procedurave të pajisjes me pasaportë, në veçanti të emigrantëve që vijnë këto ditë festash, duke punuar dhe jashtë orarit.

Ndër të gjitha këto masa, nuk janë harruar edhe shërbimet e policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen nën kontroll të trafikut. Me urdhër të veçantë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, këto shërbime janë shtuar dhe në turnin e natës, ku është planifikuar edhe organizimi i shërbimeve për mbikëqyrjen e rregullimin e trafikut edhe pas orës 24.00 të datës 31 dhjetor. Ndërsa për sigurimin e ndihmës për shtetasit në nevojë, drejtoritë e policisë në qarqe dhe komisariatet e policisë janë porositur të marrin masa për afishimin në vende të dukshme të numrave telefonikë të shërbimeve të sallave operative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›