E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakavije, Grekët lehtësojnë procedurat për emigrantët

Lëvizja e emigrantëve nga Greqia në Shqipëri për festat e fundvitit ka ruajtur të njëjtin ritëm si dy ditë më parë edhe gjatë 24 orëve të fundit, duke hyrë në territorin shqiptar mesatarisht 5 mijë persona në një orë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 48 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri rreth 40 mijë emigrantë. Pala greke e ka kufizuar së tepërmi regjistrimin e identiteteve dhe për më të shumtit e emigrantëve ka aplikuar vetëm vulosjen e dokumenteve, pa i kryer procedurat e stërzgjatura të regjistrimit të të dhënave individuale të emigrantëve në rrjetin kompjuterik. Ky veprim i palës greke e ka lehtësuar së tepërmi lëvizjen në Kakavijë dhe ndonëse radhët e gjata kanë qenë prezente edhe dje, koha e pritjes në radhë ka qenë më e shkurtër se dy ditë më parë. Mirëpo, mosregjistrimi në hyrje i identiteteve të emigrantëve do të thotë që procedurat e regjistrimit të kryhen gjatë kthimit dhe kjo do të thotë që radhët e gjata të pritjes të transferohen në territorin shqiptar pas festave. Për të gjetur një zgjidhje për situatën, dje është zhvilluar një takim, ku ishin përballë njëri-tjetrit drejtori i Policisë së Gjirokastrës, drejtori i policisë kufitare dhe emigracionit dhe prefekti i Gjirokastrës nga njëra anë dhe drejtori i Policisë së Rajonit të Janinës, drejtori i policisë kriminale dhe ai policisë kufitare Janinë dhe komandanti grek i pikës së kalimit të Kakavijës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›