E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT, meny "speciale" për festat

Jo të gjithë do t‘i festojnë Krishtlindjet në shtëpi. Ka nga ata të cilëve për arsye shëndetësore u duhet të gjenden në spital për ndihmë të specializuar. Shumica e tyre janë të ardhurit nga qytete të tjera të vendit. Por meqë për festa jemi të gjithë pak më të mirë se zakonisht, kjo mirësi do të transmetohet edhe në menynë e spitalit. E pyetur nga gazeta "Shqip" se cilat janë iniciativat që ka marrë administrata e spitalit me rastin e Krishtlindjeve, zyrtarisht drejtoria spitalore ka thënë: "Menyja do të jetë ajo e zakonshmja, por sigurisht që ushqimi do të jetë më i bollshëm se zakonisht dhe me ushqime plus. Do të ketë mish për të gjithë ata që kanë të rekomanduar mishin, do të ketë ëmbëlsira dhe fruta".

Janë plot 36 meny, të cilat duhet të respektohen për të gatuar ushqimin për pacientët e spitalit. Këto meny nuk ndodhen vetëm në kuzhinën e spitalit, por edhe në zyrat e drejtorisë, edhe në zyrat e Drejtorisë së Higjienës, dy autoritete të cilat duhet të kryejnë herë pas here kontrolle nëse këto meny respektohen. Po ashtu, Drejtoria e Higjienës duhet të kontrollojë edhe cilësinë e ushqimeve që gatuhen në spital, nëse bulmeti është i freskët, nëse qumështi ka vlerat e nevojshme dhe nëse kushtet higjieno-sanitare plotësohen saktësisht. Konkretisht ushqimi për secilin pavijon duhet të jetë specifik, ashtu siç janë edhe sëmundjet për të cilat qytetarët i drejtohen për trajtim spitalit. Sëmundjet e brendshme duhet të kenë dietë të ndryshme me ato të sëmundjeve të gjakut, tumoret, apo shërbimi i psikiatrisë. Të gjitha këto meny janë përgatitur nga një dietologe, e cila ka përfshirë të gjitha trajtimet ushqimore që duhet të kenë pacientët e një spitali të madh si "Nënë Tereza".

Ndërkaq, në disa pavijone, në mënyrë të veçantë në shërbimet ku marrin trajtim fëmijët, atmosfera e festave ka ardhur pak më ndryshe, pasi janë zbukuruar në mënyrë modeste korridoret apo dhomat e pacientëve. Ndërsa surpriza më e bukur për pacientët e vegjël do të jetë 26 dhjetori. Një grup besimtarësh kristianë, kanë premtuar se do të japin shfaqe për fëmijët dhe do të shpërndajnë dhurata me rastin e festës. Krishtlindjet, festë e cila sipas shumicës së shqiptarëve u "importua" nga jashtë, vit pas viti ka ardhur më e veçantë edhe në dyert e spitalit. Në fund të çdo viti, qytetarët që janë pak më të ndjeshëm, biznesmenët që kanë mundësi financiare, apo të gjithë ata që e ndjejnë më pranë festën, japin më shumë nga vetja jo vetëm për të afërmit, por edhe për të sëmurët. Gjatë këtij muaji, duke pasur parasysh festat, shkollat e mesme në Gjirokastër, Lezhë, Tiranë, kanë mbledhur fonde dhe kanë blerë dhurata për fëmijët e prekur nga HIV/AIDS. Të tjerë kanë dhuruar gjak për talasemikët. Besimtarët kristianë organizojnë festa, dëfrejnë pacientët në spitale me lojëra zbavitëse, me festa të organizuara me klounët, miqtë e fëmijëve, si dhe thërrasin babagjyshin e Vitit të Ri për ta takuar dhe për t‘i kërkuar më shumë shëndet të mirë për vitin e ardhshëm. Ndërsa te pediatria, plaku i Vitit të Ri pritet të mbërrijë në datën 26 dhjetor, drejtoria e spitalit ka menduar që këto festa të ngrihen më pranë edhe me menynë "speciale".

Dita e sotme do të jetë pak më ndryshe se ditët e tjera në spital, dhe kjo jo vetëm sepse kështu kemi mësuar nga filmat e huaj në televizion, por edhe sepse atmosfera e festës çdo vit vjen më e ngrohtë, mjekët dhe infermierët tregojnë historitë se gjatë Krishtlindjeve, edhe pse shkenca e tyre nuk njeh mundësinë e veprave të mëdha të ardhura nga qielli, mund të ndodhin edhe mrekulli, përmirësime të gjendjes së pacientit, apo edhe shërim të rasteve të vështira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›