"Operacioni i dimrit" antiduhan
"Fushata për zbatimin e ligjit, që ndalon konsumimin e duhanit në ambiente publike, nuk ka dështuar, por ka munguar bashkëpunimi me bashkiakët për vjeljen e gjobave". Është ky argumenti që vjen nga
Roland Shuperka, koordinator Kombëtar i Ligjit Antiduhan pranë Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tij, nuk mund të flitet për dështim të ligjit, pasi monitorimet e tij, sidomos në kryeqytet, kanë qenë të shpeshta. Po kështu, pohon Shuperka, edhe gjobat e vëna ndaj bizneseve te të cilat është vërejtur shkelja e ligjit, janë të shumta. Koordinatori Shuperka sqaron më tej se problem kryesor në këtë situatë nuk janë monitorimet, por pikërisht mosvjelja e këtyre gjobave të vendosura. Aktualisht, shpjegon më tej Shuperka, janë vendosur mbi 200 gjoba antiduhan ndaj shkelësve të ligjit. Ndërkohë që shuma e tyre është standarde, plot 50 mijë lekë për çdo shkelje të konstatuar. Sipas tij, vetëm për muajin dhjetor, deri tani janë vendosur 130 penalitete në bare, restorante dhe lokale të të gjitha llojeve.
Nga ana tjetër, ai fajëson mungesën e bashkëpunimit me policinë bashkiak, që ka autoritetin për të vjelë këto gjoba, madje me kamatëvonesa, në mënyrë që të kufizohet edhe shkelja e Ligjit Antiduhan.
Një lajm i mirë, sipas Shuperkës, është fakti që aktualisht ka filluar të funksionojë ky bashkëpunim me policinë bashkiake e sidomos gjatë vënies së gjobave në kontrollet e inspektorëve të ushtruara gjatë muajit dhjetor. Ky "operacion dimri" antiduhan pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të festave.
Ndërkohë që situata më e vështirë paraqitet në rrethe, ku përgjegjësia dhe monitorimi nuk ka qenë në të njëjtin nivel me atë të ushtruar në Tiranë. Sipas koordinatorit Kombëtar të zbatimit të Ligjit Antiduhan, Roland Shuperka, për problemet e evidentuara në punën e inspektorëve në rrethe do të merren masat përkatëse, madje deri në largimin nga detyra të drejtorëve sanitarë për moszbatimin e ligjit.