Hetimet parlamentare, komisionet kërkojnë shtyrje të mandatit
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, në janar të 2008-ës pritet që të kërkojnë shtyrje të mandatit të gjithë komisioneve hetimore parlamentare. Kjo, pasi të gjitha komisionet, gjatë tre muajve që kishin në dispozicion për të realizuar hetimet e tyre, nuk kanë mundur të nxjerrin asgjë në dritë, sepse janë mbledhur vetëm dy apo tri herë. Më tetë tetor të 2007-ës, në Kuvendin është votuar me shumicë votash ngritja e komisioneve hetimore dhe në bazë të rregullores së Kuvendit, më 8 janar mandati i tyre duhet të përfundojë. Qëllimi i ngritjes së këtyre komisioneve hetimore ishte hetimi i tenderave dhe prokurimeve publike të bëra nga qeveria "Berisha", e cila, sipas opozitës, kishte abuzuar. Komisioni i parë që u ngrit ishte ai për hetimin e koncesioneve të qeverisë "Berisha". Komisioni i dytë që u ngrit ishte ai për hetimin e rrugës Durrës-Kukësi. Komisioni i tretë do të hetonte prokurimet publike dhe komisioni i katërt do të hetonte procedurat lidhur me nënshkrimin e kontratës së privatizimit të "Albtelekomit". Por tri javë më pas, më 1 nëntor 2007, Parlamenti ngriti një tjetër komision hetimor, këtë herë për përgjimet e paligjshme që u bëhen deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, kohëzgjatja e të cilit do të ishte dy muaj. Mbledhjet e zhvilluara deri më tani nga këto komisione nuk kanë zgjatur më shumë se dhjetë minuta, ku pjesa më e madhe e kohës është kaluar më tepër në debate mes njëri-tjetrit, se sa rreth objektit të hetimit. Kur kanë kaluar gati dy muaj e gjysmë nga ngritja e komisioneve hetimore dhe pjesës më të madhe po i përfundon koha e tyre, pa frikë mund të thuhet se deri më tani nuk është arritur në asnjë përfundim konkret. Çdo ditë që kalon pas miratimit të komisioneve, lihet në harresë ekzistenca e tyre, duke verifikuar më së miri se nisma e Kuvendit për të ngritur komisione hetimore tashmë është e dështuar. Është një nismë e cila u shërben vetëm politikisht për të zhvilluar debate dhe për të ngritur akuza të ndërsjella dhe për të shpërdoruar në mënyrë të padrejtë paratë e taksapaguesve shqiptarë.