E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: Ina Rama të vijë me flet-arrest në Parlament

Kreu i Partisë Lëvizja Demokristiane, Nikollë Lesi, ka kërkuar dje publikisht nga prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, të fillojë betejën e saj në krye të prokurorisë kundër korrupsionit, duke nisur nga zyrtarët e lartë. Lesi, në një takim me simpatizantët e tij në qytetin e Laçit, ka kërkuar nga numri një i prokurorisë që të çlirojë politikën nga individët që abuzojnë me detyrën dhe mandatin me të cilin janë ngarkuar. "Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, duhet ta çlirojë politikën nga ‘mafia‘", u shpreh Lesi.

Numri një i partisë më të re brenda Kuvendit të Shqipërisë, i bën thirrje prokurores së Përgjithshme të arrestojë cilindo zyrtar të lartë që abuzon me detyrën. Deklaratat e njëpasnjëshme në adresë të Kryeministrit Berisha, nga kreu i lëvizjes demokristiane për ndryshime në kabinetin qeveritar, janë pasuar për spastrimin e Parlamentit nga njerëzit e korruptuar. "Zonja Ina Rama duhet të vijë me flet-arrest në Parlament, për të treguar se ligji dhe drejtësia mbizotërojnë mbi çdo mandatë, duke mos pasur frikë të denoncojë zyrtarë të lartë, ish-zyrtarë të lartë, deputetë dhe ish-deputetë, ministra dhe ish-ministra", tha Lesi. Kreu i LDK-së nuk ka preferuar që në këtë rast të përmendë emra, por duke besuar në punën dhe misionin e ri të prokurores Rama, del publikisht hapur në mbështetje të betejës kundër korrupsionit. Një ndër arsyet e largimit të Lesit nga PDK-ja disa muaj më parë ishte mbështetja publike që ai i bëri drejtësisë ndaj arrestimit të dy zyrtarëve të lartë të PDK-së, duke kërkuar madje shpjegime edhe kryetari i Partisë Demokristiane në lidhje me emërimet e bëra në postet e larta drejtuese, pa marrë miratimin e kryesisë së partisë që ai dikur përfaqësonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›