Mediu: Mbron strategjinë ushtarake në komisionin e sigurisë
Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka qenë dje në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare, ku ka mbrojtur projektligjin "Për miratimin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë". Gjatë fjalës së tij, Mediu theksoi se "strategjia ushtarake përmban parimet bazë për zhvillimin e Forcave të Armatosura, për arritjen e objektivave të përcaktuara në politikën e mbrojtjes". Sipas tij, ajo fokusohet në arritjen e profesionalizmit të plotë të Forcave të Armatosura brenda vitit 2010, në zhvillimin e kapaciteteve operacionale reale, si dhe në përmbushjen e detyrimeve të integrimit në NATO. Tri objektivat kryesore që shtron kjo strategji, tha Mediu, janë: mbrojtja e vendit nga kërcënimet dhe rreziqet e mundshme, përgatitja për pjesëmarrje aktive në operacionet e mbrojtjes kolektive të Aleancës së Atlantikut dhe sigurimi i kapaciteteve të afta për të kontribuar në operacione joluftarake, brenda dhe jashtë vendit. "Realizimi i këtyre objektivave bëhet krahas përgatitjes së FA-së për integrim në NATO, si dhe zhvillimit të tyre për arritjen e standardeve të një force të së ardhmes", tha Mediu.