E Diel, 1 Nëntor 2026

Klodian Duro dhe Ilion Lika drejt Ukrainës

"Kolonia" e futbollistëve shqiptarë në elitën e futbollit ukrainas (Vyscha Liga) shumë shpejt mund të zgjerohet. Metalurg Zaporizhia dhe Naftovik kanë shprehur interes për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Klodian Duron. Të dyja këto klube janë në garë që të marrin shërbimet e kuqeziut menjëherë dhe do tentojnë të shfrytëzojnë merkaton e janarit. Këtë e ka konfirmuar menaxheri i futbollistit, Nexhmedin Haxhiu, sipas të cilit mesfushori i Tiranës, me 99 për qind do të përfundojë në Ukrainë. "Klodian Duro 99 për qind do të transferohet te ndonjë skuadër ukrainase gjatë janarit. Për të janë të interesuar ekipi i Metalurg Zaporizhias dhe Naftovik", deklaroi Haxhiu për të përditshmen kosovare "Express". Në aktivizimet e tij jashtë Shqipërisë, Duro ka luajtur në Turqi me Gaziantepspor, Malatiaspor dhe Rizespor, si edhe në Bundesligë me Arminia Bielefeld. Megjithatë, mesfushori, që momentalisht mbron ngjyrat e Tiranës, nuk është futbollisti i vetëm që ka zgjuar interesimin e ekipeve ukrainase. Këta të fundit kanë shprehur interesim edhe për ish-portierin e kombëtares shqiptare, Ilion Likën. Sipas menaxherit Haxhiu, për shërbimet e portierit interesohen skuadra e Çernomorets Odesa dhe Vorskla Poltava, tek këta të fundit aktivizohet edhe treshja kosovare Curri-Jonuzi-Dallku. "Ka gjasa që edhe portieri Ilion Lika të kalojë në radhët e Çernomorets ose te Vorskla, pasi të dyja skuadrat janë të interesuara të përforcohen me portier", vazhdoi ai. Nëse transferimet e Klodian Duros dhe Ilion Likës do të realizohen, atëherë numri i shqiptarëve që militojnë në Ukrainë pritet të shkojë në dhjetë. Aktualisht, në Vyscha Liga luajnë tetë futbollistë shqiptarë: katër prej tyre aktivizohen te skuadra e Krivbasit (Dorian Bylykbashi, Henri Ndreka, Isli Hidi dhe Ervin Bulku), tre mbrojnë ngjyrat e Vorskla Poltavës (Debatik Curri, Armend Dallku e Ahmed Jonuzi, dy të parët mund të largohen gjatë merkatos së janarit) dhe Elvin Beqiri, që në pjesën e dytë të këtij sezoni do të mbrojë ngjyrat e Arsenalit të Kievit, pasi është larguar nga Metalurg Donjetsk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›