Goli i mrekullueshëm i Canës: Ndoqa instinktin dhe shënova
Lider i Olimpik Marsejës, i fortë fizikisht dhe gjithmonë në kërkim të kontrastit me kundërshtarin. Ky është mesfushori shqiptar, Lorik Cana. Megjithatë, prej fundjavës në Francë 25-vjeçari vlerësohet edhe për një tjetër aftësi: shënimi i golave me roveshatë. Kjo ka ndodhur në takimin e Kupës së Francës, ku marsejezët fituan 2-0 me Bovenë. "M‘u paraqit mundësia dhe nuk hezitova. Në të tilla momente duhet të ndjekësh instinktin dhe roveshata më erdhi natyrshëm", deklaroi Cana për golin që zhbllokoi rezultatin. "Isha me fat që topi përfundoi në rrjetë dhe që gjithçka doli mirë. Ky gol vlejti shumë për ekipin, pasi në ato momente rezultati ishte në barazim 0-0". Për karakteristikat që ka, kosovari shënon pak, por një gol të tillë nuk e kishte realizuar asnjëherë më parë në karrierë... të paktën jo si profesionist. "Golat me roveshatë? Kur isha i vogël shënoja të tillë, edhe roli im në fushë ishte shumë i avancuar. Sa më shumë po plakem, aq më shumë po tërhiqem në fushë. Sipas logjikës, mendoj se do të përfundoj në portë, ka vazhduar Cana duke qeshur. Gjithsesi, me kalimin e kohës u theksuan ato që ishin pikat e mia të forta dhe këtu nuk po flas për cilësitë e larta teknike. Për këtë arsye vendosa të mos i tentoja më këto ekzekutime". Në fund ai ka thënë: "Nuk jam shumë i surprizuar, pasi në stërvitje realizoj shpesh roveshata. Në pjesën më të madhe provoj goditjet standarde me potencë. Personalisht mendoj se mund të shënoj më shumë gola gjatë një sezoni, të paktën tri ose katër më tepër. Në këtë mënyrë do ta ndihmoja më shumë skuadrën, por nuk duhet të harrojmë se detyra ime kryesore është në fazën mbrojtëse".