Majorka, kore raciste ndaj Jaja Ture
Sipas të përditshmes sportive spanjolle, "Marca", gjyqtari Rafael Ramirez Domingez, që ka drejtuar takimin Majorka-Barcelona (0-2) ka shkruar në procesverbalin e ndeshjes, se drejt Jaja Turesë janë bërë kore raciste. "Xhaketa e zezë" i ka dëgjuar thirrjet e tifozëve kundërshtarë në minutën e 75-të, kur lojtari nga Bregu i Fildishtë po zëvendësohej. Në shënimet e tij, gjyqtari theksonte se shprehjet raciste "zezak" janë dëgjuar tri herë. Por, e përditshmja tjetër madrilene, "As", shkruante se Rafael Domingez i kishte kuptuar gabim thirrjet e tifozëve vendas, të cilët po këndonin këngët karakteristike të skuadrës.