E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe, 31 konferenca shtypi për rrugën Durrës-Kukës

Erion Braçe rrumbullakosi dje plot 31 konferenca shtypi për çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Numri dy i deputetëve të Partisë Socialiste duket se është i vetmi personazh i zgjedhur për të vënë me shpatulla pas murit ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Që prej muajsh ai nuk ka kursyer sulmet publike për atë çka cilësohet skandal me fondet publike. Muajt e fundit të vitit të shkuar ishin më të vrullshëm për nga numri i daljeve publike të Braçes. Në këtë vit ai rezulton të ketë dalë në total 11 herë duke paraqitur fakte që sipas Braçes implikojnë zyrtarët deri te ministri Basha. Socialistët vijuan edhe dje paraqitjen e provave, duke i kërkuar Kryeprokurores Ina Rama të përmbyllë hetimet për këtë vepër publike. "Kompania ‘Bechtel-Enka‘, e cila është kontraktuar për segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, nuk i ka nisur punimet në afatin e duhur, por me rreth 5 muaj vonesë", theksoi Braçe. Sipas tij, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërejtur shkelje të tjera në lidhje me këtë segment rrugor. "Abuzimet e bëra me fondet e dhëna nga qeveria, nga firma kontraktuese ‘Bechtel-Enka‘, i kalojnë të gjitha caqet", argumentoi Braçe. Selia rozë sqaron se shkeljet që janë bërë në këtë aks rrugor janë kolosale e nuk përputhen aspak me vlerën reale të kostos së kësaj rruge. Braçe këmbënguli se deri më tani janë paraqitur fakte të mjaftueshme që çështja të kalojë nga prokuroria në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›