E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Qeveria të garantojë jetën e qytetarëve

Socialistët i kërkuan dje qeverisë që të zbatojë me vendosmëri ligjet për garantimin e jetës së qytetarëve. Në një prononcim për median, kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore në PS, Ylli Manjani, realizoi një panoramë të situatës në këtë drejtim. Sipas tij, asnjë program apo plan veprimi serioz nuk ekziston për të siguruar zbatimin e ligjit në mënyrë të qëndrueshme. "Konstatojmë vetëm operacione policore rutinë, krejt sporadike, të tipit fushatë, që nuk garantojnë asgjë, përveç mbushjes së arkës së shtetit me të ardhura nga gjobat", theksoi Manjani. PS i kërkon qeverisë shqiptare të marrë mbi vete edhe përgjegjësitë që i jep Kushtetuta dhe ligjet dhe të sigurojë jetën e shtetasve. "I kërkojmë Prokurorisë së Republikës të forcojë ndëshkimin ligjor si për vrasësit, ashtu edhe për drejtuesit e institucioneve të shtetit, që nuk sigurojnë jetën e shqiptarëve", theksoi Manjani. Gjithashtu i bëri thirrje Policisë së Shtetit të zbatojë me korrektësi dhe në mënyrë të qëndrueshme ligjet që sigurojnë jetën, jo vetëm në rrugë, por kudo. Në vlerësimin e tij të vitit 2008, siç edhe keni raportuar ju, nuk ka filluar mbarë sa i takon garantimit të jetës së shtetasve të këtij shteti. "Janë rreth 70 ngjarje të rënda me pasojë vdekjen e personave të ndryshëm vetëm në muajin janar të këtij viti. Pra, diçka më shumë se 2 njerëzve në ditë u është marrë jeta padrejtësisht", insistoi Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›