Kontrolli i gjyqtarëve, sërish në varësi të dyfishtë
Komisioni i Ligjeve ka vendosur dje gjatë shqyrtimit përfundimtar të projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor që kontrolli i gjyqtarëve do të bëhet nga Ministria e Drejtësisë dhe numri i tyre do të caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, pasi të jetë bërë propozimi nga Ministria e Drejtësisë, kur kjo e fundit ka marrë mendimin e KLD-së. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ashtu siç kishin paralajmëruar anëtarët e këtij komisioni, është marrë edhe një herë në shqyrtim projektligji për t‘i dhënë dorën e fundit. Komisioni ka nisur shqyrtimin nen për nen, duke dhënë miratimin për secilin prej tyre pas shprehjes së ekspertëve dhe grupit të relatorëve. Për dhjetë nenet e para, të cilat janë shqyrtuar dje, nuk ka pasur debate, duke përjashtuar nenin 6 të tij. Në këtë nen, anëtari i komisionit, deputeti i PD-së, Rusmajli, ka propozuar që caktimi i numrit të gjyqtarëve të bëhet me vendim qeverie, pasi ka faturë financiare për shtetin. Propozimi i tij nuk është pranuar nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Ligjeve dhe deputeti Rusmajli është tërhequr nga qëndrimi i tij, duke u bashkuar me vendimin e shumicës. Sa për nenet e tjera, nuk ka pasur debate. Pas mbledhjes, anëtarët e Komisionit të Ligjeve, si të PD-së, ashtu edhe të PS-së, kanë vlerësuar frymën e bashkëpunimit mes palëve si një gjë pozitive. Deputeti i PD-së, anëtar i komisionit, Aldo Bumçi, ka deklaruar se "shqyrtimi i projektligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor ka qenë një proces tërësisht i hapur dhe madje nuk ka pasur as qëndrime politike. Më tej, Bumçi ka informuar pasi mbledhja është bërë me dyer të mbyllura, se grupi i ekspertëve ka përfunduar tashmë procesin e rishikimit të të gjitha neneve, ndërkohë që është shqyrtuar pjesa më e madhe e tyre. Ka pasur nene, tha Bumçi, të cilat kanë ndryshuar totalisht, disa janë ndryshuar pjesërisht, por ka edhe nene që nuk janë ndryshuar fare. Ndërsa nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, ka deklaruar se "kjo është një nga çështjet që ka marrë zgjidhje të mira, sepse janë bërë ndryshime esenciale, që kanë të bëjnë me emërimin e gjyqtarëve, me karrierën e gjyqtarëve, me ngritjen në detyrë dhe me një sërë procesesh të tjera". Opozita, tha ai, ka insistuar për ruajtjen e disa standardeve pozitive që kemi sot në këtë fushë dhe implementimin e disa standardeve bashkëkohore. Sipas Xhafës, debatet kanë qenë të pranueshme, debate që kanë zgjatur, por që në fund është arritur në një përfundim konkret dhe pozitiv. Xhafa ka vlerësuar si mjaft pozitiv faktin që shumë nga sugjerimet e opozitës janë marrë në konsideratë nga komisioni. Tashmë, komisioni pritet të mblidhet edhe ditën e sotme për të shqyrtuar përfundimisht të gjitha nenet dhe brenda dy ditëve projektligji do t‘i kalojë Kuvendit në formën e plotë për miratim.