Nishani kundërshton deklaratat e PS-së
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka reaguar dje në Kuvend në lidhje me deklarimet më të fundit të bëra nga selia rozë për rritje të pasigurisë publike dhe kriminalitetit në vend. Sipas ministrit Nishani, kjo është një fushatë e bazuar tërësisht mbi mashtrimet, shpifjet dhe stisjet e PS-së. Ministri ka deklaruar se kjo bëhet qëllimisht nga opozita për të transplantuar tek opinioni publik një lloj traume pasigurie, për të shumuar arritjet e kësaj qeverie në luftën kundër krimit dhe bandave, kundër trafikantëve të drogës dhe pasurive të tyre. Të gjitha shifrat dhe deklaratat që bën PS-ja, sipas Nishani, janë stisje dhe tërësisht gënjeshtra. Ministri Nishani ka sjellë më pas shkurtimisht në kujtesën e të gjithëve se brenda dy viteve kjo qeveri arriti të shkatërrojë me dhjetëra banda, të prangosë dhjetëra kriminelë të rrezikshëm, të cilët njiheshin si miq politikanësh, si miq e shokë të ish-oficerëve të lartë të policisë etj. Këta kriminelë ekzekutonin dhe shkatërroni të gjithë ata oficerë të ndershëm policie që kërkonin t‘i hetonin apo vrisnin e merrnin peng biznesmenët e tregtarët e ndryshëm. E gjitha kjo, tha Nishani, që ndodhte vetëm para 2 vitesh, nuk ishte një film triller që shfaqej në ekranet e televizioneve të shqiptarëve, por një realitet makabër në rrugët dhe qytetet e Shqipërisë, që tashmë ka marrë fund. Ne, tha Nishani, e dimë fort mirë që kjo betejë ka prodhuar pakënaqësi dhe urrejtje, urrejtje ndaj forcës së shtetit, urrejtje ndaj forcës së ligjit. Më pas ministri ka dhënë disa statistika, të cilat sipas tij tregojnë fare mirë luftën që ka bërë shteti ndaj krimit dhe grupeve kriminale në vend. Vetëm gjatë vitit të shkuar janë goditur 131 grupe kriminale, duke u arrestuar 503 persona, nga të cilat 48 grupe me 220 të arrestuar për korrupsion, 36 grupe me 149 të arrestuar për trafik droge, 31 grupe me 271 të arrestuar për trafiqe të paligjshme. Vetëm në fushën e luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar në vitin 2007 u zbuluan 506 vepra penale më shumë se në vitin 2005 dhe u goditën 544 autorë më shumë se në vitin 2005.
I vetmi mesazh qe do t‘u çoja të prekurve e të pakënaqurve, direkt apo indirekt, kudo që të jenë, e me çfarëdo që të merren, tha Nishani, është: bëjeni zemrën e fortë burra. Më e fortë do të bëhet goditja e radhës.