E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallkimi i ëndrrës së futbollit

Duke lënë mënjanë dëshirat e nënave, fëmijët po luajnë ende futboll në rërë. Vrapojnë mes pellgjeve të vogla me ujë dhe gjuajnë topat e grisur e të sajuar me lecka të vjetra. Mbajnë veshur fanella të dala boje, të klubeve sportive evropiane më të njohura si: Shalke, Ajaks, Torino dhe Benfika e Lisbonës. Pak më tutje, mbi rrugën e pluhurosur buzë detit të Akras (në Gana), vërehet një poster gjigant i yllit të Çelsit, Mikael Esian, që i fton banorët e qytetit "të jenë krenarë".

Pasdite, pasi të gjithë fëmijët kanë mbaruar shkollën, luajnë futboll. Ëndrra e tyre është të bëhen një nga milionerët afrikanë të radhës, duke luajtur në Champions League, në skuadrën e Çelsit. Fundja, lojërat e tyre nuk do të jenë më kaq të shkujdesura.

Rreth orës 17:00 pasdite, kur i nxehti mbytës ka rënë disi, çdo hapësirë e vogël e kryeqytetit të Ganës është e mbipopulluar nga futbollistët e rinj zezakë. Pjesa më e madhe e tyre frekuentojnë shkolla të jashtëligjshme futbolli, të cilat kanë emra biblikë si "Bijtë e Moisiut" apo "Të dashurit e Krishtit". Secila prej tyre ka fanellat dhe rregullat e veta. Fëmijët stërviten duke harruar kështu gjithçka dhe në rastin e atyre që janë më të dhënë ndaj sportit, janë të prirur të braktisin tokën dhe të bëhen skllevërit e një vendi tjetër. Me kushtet e vështira të prindërve dhe ëndrrat e mëdha kur janë fëmijë, arabët po blejnë numrin më të madh të futbollistëve të vegjël, duke iu premtuar familjeve të tyre një pagë të majme dhe shumë famë. Shpresa është ajo që mbetet për t‘u bërë i famshëm. Shpeshherë këta fëmijë shiten me kosto të lartë në Evropë. Ky është një sistem shfrytëzimi që po alarmon mjaft organizata bamirëse joqeveritare, si Caritas, apo "Save the children" dhe gjithashtu edhe shërbimet sociale të Parisit, Marsejës e Brukselit.

Këmbëzbathur dhe me fanellë të verdhë, Mafiua Asare vrapon duke dribluar topin. Pavarësisht se gjendet në një tokë të mbushur me dhe të kuq e rërë, Mafiua imagjinon sikur është në stadiumin Bernabeu. Papritur sulmi i tij bllokohet nga një furtunë. Mafiua ndalon menjëherë, mbyll sytë dhe qëndron në vend sa të pushojë era. Një djalosh 23-vjeçar, Isaac Aloti (te shkolla "Të pranosh Zotin") fillon t‘i ulërasë Mafiuas me të madhe: "Nuk duhet të ndalosh për asnjë arsye në botë. Djemtë e vërtetë janë ata që nuk dorëzohen lehtë", thotë ai me pamjen e një padroni. Përkrah tij qëndrojnë Daniel Vijo dhe Imano Buso, dy djem të vegjël 12-vjeçarë.

"Kam kontratat e tyre dhe firmat e prindërve, kur të jenë gati do të shkojnë në Evropë për të dhënë provimin. Për ta janë të interesuar Parisi dhe Gjermania. Talentet lindin këtu dhe më pas shkëlqejnë në stadiumet e mëdha evropiane", shprehet 23-vjeçari.

Fëmijët, që për momentin nuk i kuptojnë prapaskenat, luten dhe përsërisin vazhdimisht me zë të ulët emrat e kampionëve të tyre të preferuar: Essien, Kuffur, Appiah, Drogba, Weah.

"Familja ime po mbledh para për udhëtimin tim në Francë. Nëse do t‘ia dal mbanë, do ta çoj nënën time në Paris dhe do t‘i blej një shtëpi", thotë i entuziazmuar Danieli.

"Po pres një shpërblim për të gjitha gjërat që u kam mësuar. Nëse Danieli firmos një kontratë si profesionist, dua 50% të shumës", shton më tej Isaac.

Në Akra ekzistojnë më shumë se 500 shkolla të paligjshme futbolli, mijëra të tjera janë të shpërndara në të gjithë shtetin. Në Afrikën Perëndimore vijnë para nga skuadra si Ajaksi, Fejnordi që drejtojnë akademi informale në Gana, ndërsa Paris St.Zhërmen dhe Monako kujdesen për talentet e reja. Këto struktura, nëse drejtohen mirë si ajo e Fejnordit, nuk ofrojnë vetëm mësime futbolli, por edhe një edukim. Por, fatkeqësisht ato nuk janë të mjaftueshme, ndërsa në Bregun e Fildishtë situata është edhe më e rëndë.

Në Abidjan biznesmenët libanezë, që dikur i dedikoheshin kontrabandës së diamanteve dhe drurit, po e spostojnë vëmendjen e tyre drejt botës së futbollit, duke themeluar akademi të jashtëligjshme sportive, me qëllim kultivimin e talenteve më të mira, për t‘i çuar më pas në klubet e futbollit evropian dhe në Lindjen e Mesme. Në një fushë të pluhurosur në periferi të vendit, shumë të rinj me kanatiere blu po ushtrohen për të pasuar topin. Shkolla është pronë e zotit Shalhoub, që në këmbim të kontratave për djemtë jep fanella, topa dhe një pjesë toke, ku 40 fëmijë, disa prej tyre 9-vjeçarë, vrapojnë lart e poshtë duke harruar fletoret. Mes tyre shfaqet edhe Doho Lou Olivier.

"E quajmë Shakala, si magjistari i një filmi të famshëm brazilian", pohon njëri prej djemve. Dikush kërkon ta blejë. Javën e shkuar këtu erdhi një burrë që tha se ishte një trajner dhe donte ta çonte Dohon në Francë. Kontrata e tij i përket një libanezi dhe ne po e stërvitim. Me pak fjalë po i bëjmë nder atij dhe familjes së tij. Nëse e shesim, të gjithë do të fitojmë diçka.

Shtëpia e Dohos është e mbushur anembanë me postera të futbollistëve të famshëm evropianë. Në dy dhoma jetojnë nëntë pjesëtarë të familjes, përfshi motrën me djalin e saj të sapolindur. Aroma e ushqimit të prishur të çan hundët. Nëna e tij është e mërzitur, sepse nuk dëshiron që Doho të largohet nga shtëpia. "E hoqëm nga shkolla për ta bërë një futbollist. Më kanë thënë që është aq i zoti sa duhet të shkojë në Evropë. Është vetëm 14 vjeç dhe shumë i vogël për ta përballuar jetën. Doho është e ardhmja jonë", pohon gruaja. Më pas shton: "Na kishin thënë se mund ta shisnim në një klub sportiv maroken për 20 mijë dollarë, nga ku më pas mund të shkonte në Evropë. Ne po presim që ta kërkojë një skuadër franceze, aty gjenden me bollëk paratë. Dikush na ofroi që ta dërgonim me gomone në Evropë, në këmbim të pagesës së pjesshme të udhëtimit të tij".

Mon Emanuel, kampioni më i famshëm i Bregut të Fildishtë, pas Didier Drogbas, ka pohuar se të paktën 90% e futbollistëve që braktisin Afrikën Perëndimore largohen në mënyrë ilegale dhe pjesa më e madhe e tyre harrohen.

"Mjafton të bësh një xhiro në Abidjan për të parë kudo këto ‘shkolla të famshme‘ futbollistësh. Janë me mijëra", akuzon Emanuel. "Pjesa më e madhe e tyre janë ndërtuar nga libanezët. Disa prej tyre kërkojnë një taksë regjistrimi, ndërsa pjesa tjetër blejnë djem 12-vjeçarë. Një futbollist i vogël mund të vlejë sa një diamant. Përfundimi është thjesht një përfitim i madh", pohon Emanuele. Sipas tij, kjo është tregtia e re e skllevërve. "Pasi largohen nga vendi, shumë prej këtyre premtimeve përfundojnë në abuzime dhe varfëri. Flenë deri në 14 veta në një dhomë, ose të gjithë përfundojnë në rrugë".

Por, pavarësisht vuajtjeve, të rinjtë afrikanë janë të vendosur. "Jemi gati të përballojmë çdo pengesë për të luajtur në Evropë, edhe nëse kjo do të thotë të kesh dokumente false, të udhëtosh në shkretëtirë, ose përmes detit me gomone. Unë do ta bëj gjithmonë", pohon një djalosh 14-vjeçar. Ai tregon se ka marrë një ofertë për t‘u stërvitur te Marseja dhe një libanez i ka siguruar se mund të fitojë 600 euro në muaj. Kjo është një pasuri e madhe për një djalosh nga Abidjani (Bregu i Fildishtë).

Legjenda e futbollit afrikan, Roger Milla, akuzon prindërit e fëmijëve, duke thënë se ata janë shkaktarët e këtij trafikimi. "Ata krijojnë iluzione nga ideja se fëmija i tyre mund të fitojë shumë para dhe kështu mund të marrin hipotekën e shtëpisë dhe të udhëtojnë në vende të ndryshme të botës. Çdo vit, mijëra lojtarë futbolli braktisin Afrikën me shpresën se do të bëhen Michael Essien, ose Samuel Eto dhe trafikuesit përfitojnë nga kjo", pohon Milla.

Vitin e kaluar, numri një i FIFA-s, Sepp Blatter, ka akuzuar skuadrat evropiane se janë të përfshira në përdhosjen ekonomike e shoqërore. "Vlen të thuhet se klubet e pasura sportive dërgojnë vëzhguesit e tyre të bëjnë pazarin në Afrikë, Amerikën Jugore dhe në Azi. Ata sillen si neokolonialë". Por si në shumë raste, problemet e Afrikës fillojnë që aty. Presidentët e shoqatave të Afrikës Jugore, Kamerunit dhe Malit kanë përfunduar në burg dhe 4 nga 5 drejtuesit kryesorë të Federatë Ganeze janë akuzuar për korrupsion në lidhje me disa lojtarë. Në ambientet diplomatike, pasaportat për futbollistët e vegjël shiten e blihen rregullisht.

Korridori i një pallati në një geto të Parisit është i lagur me urinë, ndërsa mbi mure vërehen shkrime në gjuhën arabe dhe atë franceze. Dyert dhe dritaret e shtëpive janë të mbyllura mirë për të mbajtur larg të droguarit dhe abuzuesit.

Një djalosh 17-vjeçar, Bernard Bass, është ulur në një cep dhe dridhet nga i ftohti. Udhëtimi i tij nga Guineja përmes Ganës, Senegalit dhe Tenerifes e kanë sjellë në Francë me premtimin se do të japë provim në Metz. Ëndrra e tij u mbyll me një gënjeshtër dhe menjëherë pas 15-vjetorit ai u gjet në mes të katër rrugëve.

"Nëna ime ka shitur shtëpinë dhe dy vëllezërit e mi kanë filluar të punojnë qëkur ishin 12 vjeç për të paguar udhëtimin tim. Trajneri libanez na tha se ishte e pamundur të merrja një avion për të shkuar në Francë, por mund të shkoja përmes detit. Që nga Senegali më janë dashur fiks dy javë për të ardhur në Francë. Gjatë udhëtimit, një grua që udhëtonte me ne vdiq dhe trupin e saj ata maskarenj e hodhën në det", shprehet Bass.

Pasi kishte arritur në Tenerife, Bernard u mbajt i mbyllur për një muaj, më pas e transferuan në Spanjë, ku tha se ishte 18 vjeç.

"Më lanë të ikja, por kur arrita në Metz nuk e kisha idenë se ku isha dhe shumë njerëz më kërcënuan se do të lajmëronin policinë", vazhdon ai. "Në fund më futën te të rinjtë me një emër tjetër. Tani vazhdoj të jem këtu dhe fle në dysheme te një miku im. Gjatë ditës shes orë plastike dhe busulla false, ndërsa futboll luaj vetëm kur mundem. Gjithmonë shpresoj që emri im të thërritet nga ndonjë trajner i famshëm, sepse jeta si klandestin është shumë e vështirë dhe e dhimbshëm. Kur telefonoj në shtëpi, nëna ime vetëm qan. Borxhlinjtë po marrin gjithçka".

Jean-Claude Mbvoumin, një ish-futbollist i Kamerunit që ka krijuar një organizatë "Culture Foot Solidaire" për të ndihmuar skllevërit e vegjël të tradhtuar nga topi, thotë: "Barcelona ka tre futbollistë të vegjël kamerunas 10, 11 dhe 12 vjeç, të cilët shfrytëzohen e paguhen shumë pak". Sipas tij, ndërmjetësit afrikanë nuk janë aspak të interesuar të bëjnë para me lojtarët e vegjël më të mirë. Ata shfrytëzojnë familjet dhe ëndrrat që fëmijët e tyre të bëhen milionerë.

Simon, një tjetër klandestin nga Kameruni, tregon: "Kam ardhur në Paris dy vite më parë, me shpresën se do të luaj për Paris St. Zhërmen, por nuk arrita. Pasi klubi sportiv nuk më pranoi, më vinte shumë turp të kthehesha në shtëpi dhe kështu mbeta një ilegal. Nënës sime i them se gjithçka po shkon mirë, që shumë shpejt do t‘i dërgoj paratë për të paguar agjentin. Ajo më beson, por jeta ime është një ferr i vërtetë. Jam i dënuar dhe pa shpresë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›