E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho merr mandatin e deputetit, betohet para Kushtetutës

Spartak Braho ka bërë dje betimin si deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Kuvendin e Shqipërisë. Braho u zgjodh si deputet nga lista shumemërore e LSI-së, pas lënies së mandatit nga Sabit Brokaj pak ditë më parë. Në fillim të seancës së djeshme, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka informuar mbi mbledhjen e "Këshillit të Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve", i cili mori në shqyrtim propozimin e bërë nga LSI dhe KQZ. "Duke nisur nga dita e sotme, Spartak Braho, do të jetë deputet i LSI- së në Kuvendin e Shqipërisë", është shprehur Kryetarja e Kuvendit, Topalli. Më pas Topalli ka lexuar formulën e betimit dhe deputeti më i ri, Spartak Braho, ka bërë betimin para Kushtetutës së Shqipërisë. Megjithëse është deputeti më i ri në këtë Kuvend, Spartak Braho, nuk është i ri në politikë, pasi ai ka qenë përfaqësues i popullit në sallën e Kuvendit edhe në legjislatura të tjera. Futja e Brahos në Kuvend erdhi pas dorëheqjes së Brokajt, i cili deklaroi dy seanca më parë në Kuvend se ishte i lodhur nga kjo politikë shterpë e ndjekur këta 17 vite në vendin tonë. Politikë, e cila nuk ka sjellë asgjë të mirë për qytetarët shqiptarë, të cilët po ndiejnë çdo ditë e më shumë dështimin e kësaj klase politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›