Rama: Kriza, reflektim i dështimit të qeverisë
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, në turin "Dialog me Shqipërinë" takimin e radhës e ka zhvilluar në Shkodër dhe Malësi të Madhe. Në fokus të këtyre takimeve kanë qenë idetë për të ardhmen në lidhje me sektorin e shëndetësisë, gjithashtu në qendër të diskutimeve me banorët e këtyre zonave një hapësirë të madhe zunë dhe diskutimet në lidhje me gjendjen ekonomike ku ndodhet vendi. Brenda pak kohësh, Edi Rama zhvillon disa takime me banorë të qarkut Shkodër dhe kjo sipas drejtuesve të PS Shkodër tregon vëmendjen e kësaj force politike për t‘i qëndruar sa më pranë problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve shkodranë me qëllim për t‘u bërë zgjidhja e këtyre halleve. Në fjalën e tij, Rama është shprehur se shëndetësia është tema e diskutimit të PS me shqiptarët për muajin shkurt, ne nuk mund të bëjmë diçka serioze po nuk diskutuam me mjekët, me infermierët, apo punonjësit e administratës së spitaleve, pasi këto grupe janë njerëzit e sistemit shëndetësor dhe njëkohësisht dhe viktimat e këtij sistemi", ka thënë Rama. Në diskutim kanë marrë pjesë mjekë që kanë shtuar problemet e sigurimeve shëndetësore, analizës së kostos së shërbimeve spitalore, kontrollet mbi lekët e sigurimeve shëndetësore që vetëm në shëndetësi nuk shkojnë. Më tej, Rama është shprehur se qëllimi i këtij debati, është që të studiohen faktet e mbledhur dhe t‘i bëhet një fotografim gjendjes reale të çdo sektori të jetës e që ne e quajmë enciklikë. Kryetari i PS-së ka fajësuar politikat e gabuara të qeverisë që ka çuar vendin në këtë gjendje të rënduar ekonomike ku gjithçka importohet nga jashtë, pasi fshatari ynë nuk mund të prodhojë asgjë. Gjithçka vjen nga jashtë është shprehur Rama si hudhrat që vijnë nga Koreja, kastraveci nga Australia, bile dhe bari i thatë importohet në Shqipëri.