Japonia, investime për bërthamorët
Japonia premton bum investimesh në fushën energjetike në Shqipëri. Investimet për ndërtimin e centralit bërthamor ngelen një opsion i hapur për shtetin japonez. Turi i Kryeministrit Berisha në Tokio të Japonisë duket se ka goditur në shenjë për të realizuar projektin e ideuar prej tij, atë të ndërtimit të një centrali bërthamor. Kryeministri Berisha gjatë një takimi që ka pasur dje me kryetarin e bordit drejtues të grupit "Marubeni Coorporation", Kazuhito Sakamoto i ka paraqitur atij ofertën për ndërtimin e centralit nuklear. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i ka komunikuar shefit të bordit drejtues të "Marubeni Coorporation" se mjaft kompani të huaja janë të interesuara për investime në energjinë ujore, termike madje edhe në atë bërthamore. Korporata "Marubeni" ka një eksperiencë 150-vjeçare në biznesin ndërkombëtar. Gjithashtu, ajo zotëron rreth 30 stacione elektrike në vende të ndryshme të botës. Sakamoto shprehu interesin e korporatës "Marubeni" për shfrytëzimin e rezervave të mëdha të kromit në Shqipëri dhe për investime në fushën e energjisë. Kryetari i bordit drejtues të grupit "Marubeni Coorporation" shprehu kënaqësinë që Guvernatori i Bankës së Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Tanamin ofroi sigurinë për mbështetjen e fuqishme të biznesit japonez që dëshiron të investojë në Shqipëri, duke vlerësuar se qeveria shqiptare ka krijuar një klimë tërheqëse për investimet e huaja në vend.
Duket se vizitat e Kryeministrit Berisha këtë vit janë foksuar te çështja e energjisë. Strategjitë për të çuar në rrugë të mbarë, atë çka për 17 vite me radhë ka munduar shqiptarët është në thelbin e vizitave zyrtare të Kryeministrit Berisha. Në takimin e Davosit, shefi i qeverisë është takuar me drejtues të kompanive të ndryshme për të gjetur një partner për të zgjidhur çështjen e centralit bërthamor, nga e cila synohet të sigurohet energji. Kryeministri Berisha, në vazhdim të vizitës në Japoni, zhvilloi edhe një takim me ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Akiro Amari. Ministri i Ekonomisë tha se burimet minerale që ka Shqipëria paraqesin shumë interes për biznesin japonez, ku theksoi se Japonia zotëron ekspertizën në përpunimin e tyre. Duke e konsideruar si tepër të frytshëm bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në këtë fushë, ministri Amari vlerësoi se me pasuritë natyrore që mbart, si dhe kushtet optimale që ofron për biznesin, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë investitorë të humbur. Duke u ndalur në takimin e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit japonez, Fukuda, ministri Amari vlerësoi se ishte një takim shumë i suksesshëm dhe se kjo vizitë do të shërbejë si një pikënisje për të thelluar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Ministri Amari vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Kryeministrit Berisha në promovimin e potencialeve të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i vlerësoi si shumë të suksesshme takimet e deritanishme në Tokio, duke theksuar veçanërisht takimin me Kryeministrin Yasua Fukuda, ministrin e Financave të Japonisë, kryetarin e Organizatës së Tregtisë së Jashtme të Japonisë, guvernatorin e Bankës së Japonisë për bashkëpunim ndërkombëtar, zëvendëskryetarin e Dhomës Japoneze të Tregtisë dhe president i bordit të korporatës "Mitsubishi", drejtuesit e grupit "Tokushukai", me konsullin e nderit të Shqipërisë në Japoni, me përfaqësues të biznesit dhe të kompanive më të mëdha japoneze.