E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradimet, diskutohet në Parlament marrëveshja me Italinë

Marrëveshja e ekstradimit për të dënuarit për krime të ndryshme me Italinë ka shkaktuar mjaft debate dje në Kuvend. Deputetët e opozitës kanë kërkuar më shumë informacion në lidhje me deklaratat e qeverisë, se përse mazhoranca ka akuzuar ish-kryeprokurorin Sollaku për mosrespektim të kësaj marrëveshjeje, kur kjo tani po vjen për votim në Kuvend. Duke iu përgjigjur pyetjeve të opozitës ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se "ju thatë se ky Kuvend ka akuzuar qytetarin Theollori Sollaku, gjatë periudhës kur ai ishte në funksionin e vetë si funksionar i Prokurorisë së Përgjithshme, se ka ndaluar ekstradimet ose se i ka penguar ato, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë". Sipas Alibeajt, "akuza që i është bërë ish-prokurorit të Përgjithshëm, ka qenë se ka penguar urdhër-arrestet ndërkombëtare, që do të thotë se urdhër-arrestet ndërkombëtare për qytetarët shqiptarë që kanë thyer rregullat jashtë territorit të Shqipërisë, nuk janë ekzekutuar asnjëherë". Ministri ka theksuar se çështja e ekstradimit është jashtë procedimit penal dhe këtu bëhet fjalë kur ka një vendim gjykate të huaj ose shqiptare, që nuk është ekzekutuar për shkak se i dënuari është jashtë territorit ku do të vuajë dënimin. Sipas tij, shumë qytetarë shqiptarë në Itali kanë gjetur një mënyrë joligjore për të jetuar dhe për këtë arsye, prokuroria shqiptare dhe sistemi i ndjekjes penale në Shqipëri, është ndodhur në një vështirësi që kërkon kosto të madhe dhe kapacitete njerëzore. Kjo marrëveshje, tha ministri, synon që procedurat të bëhen më të lehta, më të shpeshta dhe më efikase. Kuvendi ka diskutuar dje parimisht këtë marrëveshje, pasi mungesa e sistemit elektronik e cila po instalohet e re e ka shtyrë për votim në një seancë tjetër. Kjo marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, vjen si shtesë e Konventës Evropiane për ekstradimin e 13 dhjetorit 1957, dhe Konventës Evropiane për ndihmën juridike për çështjet penale, të 20 prillit 1959, që ka si qëllim të lehtësojë zbatimin e tyre. Dy konventat e nënshkruara deri më tani midis dy shteteve fqinje, kanë të bëjnë me transferimin e procedurave atje ku është i dënuari, ose e kundërta, ekstradimi, që do të thotë të dërgosh të dënuarin atje ku ndiqen procedurat. Sipas projektligjit këto konventa janë lidhur në kuadër të Këshillit të Evropës dhe njihen si konventat më të mira aktuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›