E Diel, 1 Nëntor 2026

Invalidët i shkruajnë Berishës

E konsiderojnë të papërballueshme jetesën me të ardhurat e pensionit të invaliditetit përballë rritjes së çmimeve në treg. Të gjendur përballë kësaj situate, invalidët e Beratit kanë marrë nismën për t‘iu drejtuar Kryeministrit të vendit me anë të një peticioni. Nismën e kanë marrë 1500 anëtarët e Shoqatës së Invalidëve të Punës, të cilët kanë firmosur peticionin drejtuar kreut të qeverisë. Kryetari i kësaj shoqate, Bilibil Alushani, ka bërë të ditur faktin se peticioni drejtuar kreut të qeverisë ka qenë e vetmja zgjidhje që kjo shoqatë ka gjetur në këto ditë të vështira. Anëtarët e shoqatës janë shprehur në peticion se të ardhurat e vetme të tyre vijnë nga pensioni i invaliditetit, që nuk shkon më tepër se tetë mijë lekë në muaj. Duke e konsideruar pensionin shumë të ulët përballë rritjes së çmimit të bukës dhe artikujve të tjerë ushqimorë, invalidët i kërkojnë Kryeministrit të ushtrojë menjëherë kompetencat e tij për kontrollin e kësaj situate. Ata thonë se e kanë të pamundur të përballojë rritjen e çmimit të bukës dhe artikujve të tjerë dhe nëse qeveria nuk merr masa, ata do të ndërmarrin të tjera nisma proteste. Invalidët me pension të pjesshëm shprehen se, edhe nëse duan të punojnë, askush nuk pranon t‘i punësojë ata, si në institucionet e shtetit ashtu dhe në aktivitetet private. Në peticionin drejtuar Kryeministrit, invalidët kanë kujtuar se atyre u takon të përjashtohen nga të gjitha taksat, por ky rregull nuk ka gjetur miratim deri më sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›