Shtyhet sërish votimi i 7501, mungon sistemi elektronik
Votimi i shfuqizimit të Ligjit 7501 për pronat po i ngjan një telenovele, pasi nuk ka mundur të votohet as dje në Kuvend. Këtë herë nuk ka qenë "harresa" e administratës për ta futur në rendin e ditës, apo mungesa e vullnetit të opozitës për të marrë pjesë. Tersi këtë herë për republikanët ka qenë mungesa e tabelës elektronike. Sistem i cili po instalohet i ri në Kuvend. Pas diskutimeve të lira dhe më pas rendit të ditës, Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar që të votohen projektligjet duke kërkuar prezencën e deputetëve. Prezencë e cila ka qenë e mjaftueshme, por mungesa e tabelës qendrore kur pasqyrohet rezultati i votimit e ka detyruar Kryetaren Topalli të shtyjë të gjitha projektligjet për t‘u votuar në seancën e ardhshme. Në Kuvend po restaurohet sistemi elektronik, i cili është marrë përsipër nga firma "Eurel Group" dhe është një investim i cili shkon rreth 290 mijë euro. Me këtë sistem të ri elektronik, deputetët nuk do të kenë mundësi të "manipulojnë" gjatë procesit të votimit, duke votuar edhe për shokun, megjithëse ai nuk ka qenë prezent në seancën e votimit. Veprim i cili shpeshherë ka shkaktuar debate në Kuvend. Gjithashtu, deputetëve do t‘u merren edhe shenjat e gishtave, të cilat do të shërbejnë për të pasur një proces votimi sa më të sigurt.