Milo: Një pakt social mes pozitës dhe opozitës
Pozita dhe opozita duhet të arrijnë së pari një pakt social që të sigurojë normat e jetesës në vend. Ky është apeli i kreut të Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Në një intervistë për "Shqip", ai analizon situatën politike, kritikon në disa aspekte Partinë Socialiste dhe lë të hapur mundësinë e një Kryeministri të së majtës jashtë partive të mëdha.
Zoti Milo, si e vlerësoni klimën e re politike në prag të Samitit të Bukureshtit?
Unë e kam të vështirë ta bind veten se ka një klimë të re politike. Për mendimin tim ka më tepër një impononim të disa sjelljeve politike që vijnë nga fakti se jemi të detyruar të plotësojmë disa standarde minimale dhe disa detyrime. Që kërkohen për të marrë ftesën e NATO-s nga samiti i Bukureshtit. Ne duhet të jemi minimalisht të ndershëm dhe të pranojmë se klima politike e shtensionuar që kërkohet nuk vjen asnjëherë si rezultat i shtrëngimeve politike apo i presioneve nga jashtë. Klima duhet të vijë si rrjedhojë e një procesi të natyrshëm, të një demokracie, funksionale e në zhvillim. Duhet të jetë produkti i pjekurisë së klasës politike dhe i respektit absolut ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut, ndaj institucioneve kushtetuese. Duhet të vijë si rrjedhojë e një konsensusi më të gjerë se ai politik. Sidoqoftë, prapë vlerësoj se për nga zhvillimet që ka pasur Shqipëria deri më tani, edhe këto përpjekje që po bëhen, qofshin edhe të imponuara nga të tjerët, i shërbejnë nëse do të jenë të sinqerta, përmirësimit të atmosferës politike. Po ashtu i shërben ndërgjegjësimit të klasës politike se konsensusi nuk është thjesht dhe vetëm një koncept sjelljeje politike që duhet të ekzistojë, por është një domosdoshmëri për Shqipërinë. Një praktikë që duhet ekzistojë në veprimtarinë e forcave politike shqiptare në vazhdimësi. Gjithashtu, mendoj se një klimë e re politike do të ishte realisht e tillë nëse bartës dhe kontributorë të saj do të ishin të gjithë aktorët kryesorë të politikës dhe jo elementë të veçantë të segmenteve të saj. Ka mjaft interpretime spekulative për atmosferën politike në Shqipëri, të cilat vijnë më tepër si produkt i një stili politik demagogjik sesa si një prodhim i ndërgjegjshëm i ecjes të segmenteve të politikës shqiptare. I thashë këto konstatime dhe konkluzione jo për të hedhur hije mbi procesin, të cilin uroj të zhvillohen shëndetshëm, por sepse kam dyshime për përkohshmërinë e angazhimeve serioze me qëllim krijimin e kësaj klime. Kohën e kemi përpara dhe ajo do të jetë gjykatësi më i mirë për sinqeritetin dhe efektivitetin e kësaj detanteje midis dy partive të mëdha.
Në një moment kur pozita dhe opozita kërkojnë të arrijnë një pakt për reformat e mëdha, çmimet pësojnë rritje dhe situata ekonomike rëndohet. Çfarë mendoni për këtë?
Paktet nuk imponohen, ato vijnë të natyrshme nga ecuria e të gjithë procesit ekonomik e social. Nëse ka një propozim për pakt kombëtar në drejtësi, ne si PDS e mbështesim, sepse nëse realizohet është në të mirë të Shqipërisë dhe demokracisë. Deri tani nuk ka një pakt për reformën zgjedhore, madje duket larg, ende për të qenë një realitet i prekshëm. Pakte mund të bëhen, mund edhe të nënshkruhen, por varet se çfarë përmbajnë ato. Nëse këto realisht u shërbejnë synimeve dhe objektivave që kanë për bazë interesat e të gjithë shqiptarëve. Paktet që ofrohen tani janë kryesisht në funksion të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Por vendi ka nevojë për pakte të tjera më të prekshme, më urgjente. Shqipëria ka nevojë për një pakt të madh social për angazhimin e të gjitha forcave politike për t‘u dhënë shqiptarëve më shumë shpresë të garantuar për të ardhmen. Jo premtime demagogjike apo elektorale, por pakte dhe projekte që zbërthehen në të mira materiale dhe në politika reformuese, sociale. Ka nevojë për strategji të vërteta që të ndalojnë rënien ekonomike. Para se të shkojnë në Bukuresht e të marrin ftesën e NATO-s, duhet që shqiptarët të kenë më tepër bukë, oriz, ujë, drita dhe zarzavate. Ky do ishte pakti më i mirë që do t‘u servirej shqiptarëve dhe për të cilin ata do ishin mirënjohës. Nëse politika arrin të stabilizojë këtë situatë ekonomike që ka për tendencë të përkeqësohet, atëherë ata kanë dhënë një kontribut për të arritur paktin e besimit me shqiptarët. Në vend të saj deri tani për fat të keq ka vetëm politika të cilat jo vetëm që zbatohen në kundërshtim me premtimet elektorale të mazhorancës, por pohohen fare hapur pafuqishmërinë dhe mungesën e vullnetit politik për të realizuar edhe ato çka janë premtuar. Nuk ka si të kuptohet ndryshe që përballë rritjes galoponte të çmimeve, veçanërisht bukës, vajit apo produkteve të tjera bazë, qeveria ngre supet, flet për respektim të rregullave të ekonomisë së tregut. Në këto rrethana shqiptarët kanë të drejtë të revoltohen, të shikojnë me mosbesim të thellë mazhorancën që përpara se të shkojë të lypë në Japoni, është e detyrueshme të vijë e të sqarojë shqiptarët pse po ndodh kjo rënie ekonomike. Është më se e detyrueshme për mazhorancën të japë sqarime pse ekonomia informale në Shqipëri përbën 50% të prodhimit të brendshëm bruto. Pse shifrat për rritjen ekonomike nuk janë 6%, por 5%, pse lulëzon ende trafiku i drogës dhe armëve nga Shqipëria. Kur për të gjitha këto qeveria ka bërë deklarata të kundërta e i ka paraqitur rozë. Nëse do i ngrinte vetëm opozita këto probleme, përfaqësuesit e qeverisë, menjëherë do ta akuzonin se po mashtron e po gënjen për arritjet e qeverisë. Çfarë do të thonë tani kur këto shifra përmenden në një raport të CIA-s.
A mendoni se po e luan siç duhet rolin e opozitës Partia Socialiste?
Mendoj se PS ka një ndryshim cilësor në të konceptuarit e opozitës. E ka zhvendosur aksin e politikës opozitare nga institucioni i Parlamentit në terrenin konkret. Ajo çka mund të pretendohet për një parti si PS, me burime njerëzore të shumta e të kualifikuara është të dëgjohen më shumë këta zëra në Kuvend duke paraqitur alternativa. Jo në mbushjen e axhendës parlamentare me grimca opozitare të jetës së përditshme. Zëri opozitar të mos përfaqësohet vetëm nga PS, por ai të shfaqet në tërë diapazonin e vet si një alternativë kolektive e artikuluar e opozitës. Pra të ketë më shumë aksione konkrete të përbashkëta, të partive opozitare për çështjet që janë më të prekshme për shqiptarët.
Për të qëndruar këtu, zonja Leskaj deklaroi se ka komunikim të vazhdueshëm me aleatët për reformën zgjedhore. A qëndron kjo?
Nëse duam të bëjmë demagogji, nëse duam të fshehim pyllin prapa pemës, këtë mund ta bëjmë kollaj, por s‘do jemi të besueshëm e transparent. Kësaj i thonë të sillesh me mënyrën tepër të njohur të fabulës së mbretit lakuriq. Është më mirë të pohohet se ka mosmarrëveshje për disa nga çështjet kryesore të reformës zgjedhore sesa të thuhet se ka kontakte dhe biseda midis palëve apo partnerëve. Është më mirë të pohohet se ka nevojë për reflektime më serioze rreth disa çështjeve delikate të reformës sesa të thuhet se vazhdojnë konsultimet. Të paktën ne si PDS deri tani, pas tryezës së organizuar tri javë më parë, nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë kontakt të drejtpërdrejtë. Të shqetësuar, u kemi dërguar të gjitha partive parlamentare një letër ku kërkojmë mbledhjen e komisionit për reformën. Ai që kur mori mandatin e tretë nuk është mbledhur asnjë minutë për të diskutuar. Si mund të thuhet atëherë që ai punon kur edhe grupet e ekspertëve nuk diskutojnë. Si mund të thuhet se po shkëmbehen mendime kur s‘ka asnjë shkëmbim real mendimesh për alternativat. Unë nuk dëshiroj të akuzoj asnjë njeri për pakte të fshehta, të pashkruara. Por në përvojën time politike ka pasur mjaft raste të tjera analoge që janë zhvendosur bisedimet nga tryezat institucionale në tryeza të fshehta, në zyra apo kafene, ku janë marrë vendime edhe për fatin e reformave dhe të partive të tjera. Që janë sjellë në momentin e fundit si produkt i parapërgatitur në tavolinë për t‘ua imponuar tjerëve për ta nënshkruar. Tryeza e komisionit parlamentar është e vetmja kur duhet të bëhet debati dhe të parashtrohen alternativat. Jashtë saj mund të ketë kontakte po ato s‘kanë legjitimitet e të drejtë përfaqësimi të partive. Nuk duhet vrarë mendja se si të reduktojmë partitë, por të caktohen rregulla gare, është pastaj elektorati ai që bën seleksionimin.
Para pak ditësh mes Ramës dhe Metës u shkëmbyen replika në distancë për emrin e Kryeministrit të ardhshëm. A kemi një qëndrim për këtë debat?
Më është dukur provokativ dhe i parakohshëm ardhja e këtij debati në rendin e ditës. Peshku në det dhe tigani në zjarr i thonë kësaj. Të fitohen zgjedhjet njëherë në vitin 2009 dhe pastaj ka kohë për t‘u ulur, për të gjykuar e vendosur për këtë çështje. Ajo do varet nga raporti dhe potencialet elektorale e nga numrat në Kuvend. Është në logjikën e politikës, por edhe në përvojën ndërkombëtare që numrat në shumicën e rasteve përcaktojnë edhe vendet. Po kështu ka përvoja qeverisëse fqinje dhe evropiane që jo rrallë ka ndodhur që Kryeministri ka ardhur edhe nga një parti më e vogël kur e kanë kërkuar ekuilibrat ose formula qeverisëse për të qenë e suksesshme.
Shqipëria ka nevojë për një pakt të madh social për angazhimin e të gjitha forcave politike për t‘u dhënë shqiptarëve më shumë shpresë të garantuar për të ardhmen
Ka nevojë për strategji të vërteta që të ndalojnë rënien ekonomike. Para se të shkojnë në Bukuresht e të marrin ftesën e NATO-s, duhet që shqiptarët të kenë më tepër bukë, oriz, ujë, drita dhe zarzavate. Ky do ishte pakti më i mirë që do t‘u servirej shqiptarëve dhe për të cilin ata do ishin mirënjohës