E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregdeti, ende pa çmimin e kompensimit

Sikurse kanë vepruar për zonat e banuara urbane për vitin e kaluar, njësitë vendore vazhdojnë të mos tregojnë seriozitet në përgatitjen e procesit të kompensimit. Nisur nga kjo, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk e ka të plotësuar ende hartën e çmimit të trojeve dhe tokave në zonat bregdetare turistike. Pasi përcaktoi vlerën e çmimit për m² në qytetet e vendit, për trojet dhe tokat në bregdet procesi ka ngecur për shkak të mungesës së të dhënave, të cilat disponohen nga autoritet vendore. Vet AKKP-ja bën të ditur arsyet e kësaj vonese që lidhen me vonesat në dërgimin e të dhënave, që përcaktohen sipas një metodike të veçantë, të nevojshme për përcaktimin e saktë të çmimit që kanë trojet në këto zona. Problem tjetër për Agjencinë e Pronave është edhe mospërcaktimi i vijave të verdha në zonat turistike, e cila mund të marrë zgjidhje vetëm me anë të vendimit të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës. Qeveria ka akorduar 5 milionë dollarë për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës, aq sa kishte vendosur për vitin 2007. Niveli i ulët i fondit, duke pasur parasysh faturën totale të kompensimit monetar që shkon në qindra milionë dollarë, ka krijuar pesimizëm në përfundimin në kohë të këtij procesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›