KESH-i kërkon rritje të mëtejshme të çmimeve
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare priste më tepër nga ERE në vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike. Edhe pse Enti Rregullator miratoi rritjen në masën 18 për qind, KESH shprehet me rezerva për të mirat që mund të sjellin në financat e korporatës. Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, u shpreh për gazetën "Shqip" se, priste më shumë nga ERE, duke u nisur nga fakti se kërkesa për rritje të çmimeve në mesatarisht me 37 për qind ishte e argumentuar, nisur edhe nga niveli i lartë i importit. Megjithatë Bojaxhi shton se tarifat e reja do t‘i krijojnë KESH-it më shumë hapësira financiare për të përballuar importin me tarifat e larta.
Miratimi i tarifave të reja, që hyjnë në fuqi më 1 mars 2008, i hap rrugë hartimit të planit të masave për këtë vit, duke krijuar një parashikim të afërt për nivelin e arkëtimeve. Hartimi i këtij plani, më tej, do t‘i krijonte Bankës Botërore më shumë garanci si donatore kryesore për të investuar në sektorin energjetik shqiptar. Mosaprovimi 100 për qind i kërkesës së KESH-it për rritjen e çmimeve, e detyron atë të rikthejë sytë drejt qeverisë për financime shtesë. Por burime nga Ministria e Financave sigurojnë se, të paktën për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nuk do të lëvrohet asnjë fond shtesë për KESH-in, deri në hartimin e buxhetit suplementar. Por sipas Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, çmimet dhe tarifat e miratuara të energjisë elektrike, i sigurojnë të ardhura të nevojshme KESH-it, për të realizuar një furnizim të pandërprerë me energji elektrike te konsumatorët fundorë, gjatë gjithë vitit. Ndërsa KESH edhe me tarifat e reja nuk e garanton plotësisht një gjë të tillë, duke i qëndruar strikt kërkesës për rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë për të gjitha llojet e konsumatorëve.
Energjia pik
Por çmimet nuk janë e vetmja pikë ku KESH-i ka shprehur pakënaqësi. Drejtuesit e saj kanë vërejtje edhe për detyrimin që u ka vendosur ERE për të aplikuar çmimet të tjera energjie gjatë periudhave të pikut. Enti Rregullator vendosi që në orët me ngarkesë të lartë të energjisë, çmimi për bizneset e mëdha të ishte mesatarisht 30 për qind më i lartë se orët e tjera të ditës. Por kjo kërkon instalimin e matësve të rinj nga ana e KESH-it për bizneset, çka sipas drejtuesve të saj, me teknologjinë që disponon aktualisht korporata është thuajse e pamundur. "Aktualisht mundësitë e KESH-it për ta zbatuar këtë vendim janë inekzistente. Ne do të negociojmë me ERE-n që të na shtyjë afatin e zbatimit të kësaj pike, pasi me mundësitë që kemi aktualisht mund të instalojmë matës vetëm për një pjesë të vogël të bizneseve". thotë Çeka.