E Diel, 1 Nëntor 2026

Secili prej nesh "prodhon" 170 kg mbeturina në vit

Mund të duket e çuditshme, por çantat prej lecke apo trastat e bëra me materialet e thesit na ndihmojnë të kemi shëndet më të mirë. Nëse secili prej nesh do të vazhdonte traditën e gjysheve për të bërë pazar me të tilla pajisje, atëherë edhe mjedisi do të ishte më i pastër, edhe qytetarët më të shëndetshëm. Qeset apo gotat plastike, materiale të tjera si këto kur digjen shkaktojnë një ndotje tepër të madhe për mjedisin. Mungesa e riciklimit të tyre, transportimi e të gjitha etapat e standardizuara në vendet e Perëndimit, janë tepër të vështira për t‘u zbatuar në Shqipëri. Madje, sistemi ynë është shumë i "dobët" për të ruajtur mjedisin po aq sa edhe ndërgjegjësimi i masës së popullatës. Pakkush e di, por sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, secili prej nesh krijon çdo vit 170 kg mbeturina, shifër kjo problematike, duke e krahasuar me kushtet që kemi për t‘i ricikluar këto mbeturina. "Nëse do të bëjmë krahasime në vlerat e mbeturinave të prodhuara në qytete të ndryshme të Evropës me ato të prodhuara në disa nga qytetet, tona vëmë re se ato janë nën mesataren e tyre si sasi, por administrimi i tyre është tepër larg", thuhet në studimin e Institutit të Shëndetit Publik.

Mbeturinat

Prirja e sotme e mbeturinave është ajo e prodhimit të materialeve inerte, duke pasur parasysh intensitetin e madh që ka marrë fusha e ndërtimit në vendin tonë. "Por, në këtë kuadër nuk duhet të nënvleftësohen rreziqet, që lidhen me mbetjet e rrezikshme industriale, bujqësore. Për mbetjet urbane kërkohet një organizim më i mirë për grumbullimin, transportimin dhe asgjësimin e tyre", sqarojnë specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, me mbeturinë kuptohet çfarëdolloj substance apo objekti, që rrjedh nga aktiviteti human ose nga ciklet natyrale, e hedhur ose e destinuar për t‘u hedhur. Ato përmbajnë në përgjithësi prodhime të metabolizmit të njeriut, mbeturina të florës dhe të faunës, të karakterit ushqimor, vajrave, hidrokarbureve, që nxjerr njeriu gjatë aktivitetit të tij ditor. Gjithçka që përdor njerëzimi për plotësimin e nevojave të tij në formën e produkteve ushqimore, që nxjerr industria apo kultivon bujqësia do të transformohet në mbeturinë. "Në aspektin sanitaro-teknik mbeturinat bartin në vetvete tri probleme të rëndësishme: aksesin e kafshëve të vogla tek to, inkubator për mikrobet, larvat dhe vezët e insekteve, burim i dëmeve nga proceset e fermentimit", shkruhet në studim. Aty referohet se: ndërsa për Komunitetin Evropian minimizimi i mbeturinave është një çështje parësore, në vendin tonë grumbullimi dhe trajtimi i tyre është një nga sfidat më të rëndësishme.

Përmirësimi

"Përpjekjet në këtë sektor janë ende të pamjaftueshme, për shkak të mungesës së fondeve. Privatizimi i këtij shërbimi, ndonëse ka kohë që është kaluar, përsëri niveli i tij lë për të dëshiruar", thotë ISHP. Sipas specialistëve të studimit, ndryshimi i situatës do të kërkojë më shumë kohë, përpjekje dhe investime. Fokusi kryesor i synimeve të hershme për këtë sektor është zbatimi i një sistemi të thjeshtë, por efikas. "Situata aktuale kërkon zgjidhje të problemeve emergjente si në Shkodër, Tiranë, Tropojë. Nga depozitimet e mbeturinave në përroin e Shendrevicës (Tropojë) janë ndotur ujërat e tij, por njëkohësisht edhe ujërat e lumit të Valbonës, pasi ky përrua shkarkon në këtë rrjedhë ujore", sqarojnë specialistët e ISHP-së, që kanë analizuar situatën. Sipas tyre, 30 banorë që jetojnë në këtë zonë, kanë qenë të shtruar në spital me sëmundje infektive, për shkak të ekspozimit ndaj ndotjes së shkaktuar nga fusha e mbeturinave. Ndër këto raste përmenden edhe dy fëmijë, të cilët rezultojnë me astmë bronkiale, edhe si shkak i djegies së mbeturinave në këtë zonë. Por rrezikshmëria dhe efektet në shëndet janë vërejtur edhe në fushën e Sharrës, në Tiranë, për të cilën po bëhen përpjekje për ta kthyer në një zonë të administrimit të rregullt të mbeturinave.

Të dhëna

Temperatura

Në një kohë me temperaturë shumë të lartë, ose në rastet kur

mbeturinave u vihet zjarri, nevojiten vetëm pak kohë për të "zgjuar" mikrobet e rrezikshme si dizenteria

Sëmundjet

Në një nga zonat me mbeturina më të mëdha, siç është Sharra, sipas ekzaminimeve ka rezultuar që një pjesë e banorëve, në mënyrë të veçantë fëmijët, të kenë probleme me shëndetin

Mbeturinat

Politikat e minimizimit të mbeturinave ruajnë burimet dhe mbrojnë shëndetin. Çdo masë që redukton konsumin global të burimeve është e dobishme për mjedisin dhe mënyrën e jetesës

Përmirësimi

Në qendër të strategjive duhet të jetë pushteti vendor, i cili në bashkëpunim me institucionet e tjera duhet të ndërmarrë iniciativa teknike, financiare dhe ndërgjegjësues.

Sugjerime dhe alternativa

Kosto e grumbullimit të mbeturinave

"Kostot e grumbullimit të mbeturinave mund të llogariten duke

përfshirë gjysmën apo edhe më shumë të buxhetit të përgjithshëm të administrimit", referon studimi. Për rrjedhojë, administrimi i mirë është fitimprurës nga ana ekonomike, si edhe nga ana shëndetësore e mjedisore. Një sistem eficent dhe i qartë i mbledhjes së mbeturinave është kryesor për mbrojtjen e shëndetit të popullsisë. I gjithë plani i administrimit të mbeturinave për një qytet apo rajon varet nga standardet e shërbimeve të

grumbullimit. Një sistem i avancuar grumbullimi dhe transporti i

mirorganizuar, jo vetëm mbron në përgjithësi popullatën nga sëmundjet, por është edhe i sigurt e higjienik për këdo që punon apo ka lidhje me këtë sektor. Për të arritur rezultate pozitive gjatë implementimit të veprimeve për administrimin e mbeturinave është e nevojshme që të respektohen disa principe si: kush ndot paguan, prioritet duhet të ketë riciklimi i mbeturinave, autoritetet lokale të favorizojnë trajtimin e mbeturinave, sipas planeve lokale, të ketë prioritet për masat që duhen marrë për administrimin e mbeturinave, duke mbajtur parasysh mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›