E Diel, 1 Nëntor 2026

Punimet, bllokohet për tri ditë rruga Tiranë-Durrës

Shoferët që përshkojnë aksin rrugor të autostradës Tiranë- Durrës, përveç "ferrit" në mbikalimin e Kamzës, do të duhet të përballojnë një pengesë tjetër në kilometrin e 20 të rrugës. Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, njoftuan dje se, të gjitha subjektet që do të qarkullojnë në autostradën Tiranë-Durrës (km 20, fshati Borakë), se duke filluar nga dita e hënë, më datë 18/02/2008 deri më datë 21/02/2008 si pasojë e punimeve që do të kryhen në rrugë, do të ketë devijim të trafikut. Burime zyrtare shprehen se, devijimi i trafikut do të bëhet për subjektet që do të qarkullojnë nga ora 23:00 deri më 5:00 të mëngjesit, përkatësisht: mjetet që lëvizin nga Tirana në drejtim të Durrësit, të devijojnë në rampën dalëse të kryqëzimit në disnivel në Maminas dhe do të rihyjnë në kryqëzimin në disnivel Sukth dhe mjetet që lëvizin nga Durrësi në drejtim të Tiranës, të devijojnë në rampën dalëse të kryqëzimit në disnivel Sukth dhe do të rihyjnë në kryqëzimin në disnivel Maminas. Për të krijuar rregull do të vendosen sinjalizime të përkohshme rrugore, që do të bëhen vetëm për orarin 23:00 deri më 5:00 të mëngjesit. Gjatë intervalit kohor 5:00 deri më 23:00, rruga do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Po ashtu, Policia e Qarkullimit Rrugor ka marrë të gjitha masat për të siguruar qarkullimin normal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›