Energjia elektrike, tarifat e reja që do të paguajnë bizneset
Vendimi i ERE-s për të rritur çmimin e energjisë elektrike nuk ka kursyer as bizneset, të cilat janë konsumatorët më të mëdhenj. Duket se Enti, përveç kërkesës së KESH-it, ka marrë parasysh edhe deklarata e Kryeministrit, i cili në veçanti ka kërkuar kujdes në mbledhjen e faturave të energjisë për këtë kategori, pasi treguesit nuk janë realë. Madje njëri nga kushtet e kreut të qeverisë për rritjen e çmimeve në tërësi ishte rregullimi i balancës së arkëtimeve me konsumatorin privat, i cili për Berishën nuk dukej dhe aq i pastër.
Në tabelën e çmimeve të reja veçojmë rriten më të madhe për konsumatorët privatë të sektorit tregti dhe shërbime. Sipas vendimit të ERE-së, kjo kategori duke nisur nga data 1 mars i këtij viti, duhet ta paguajë tarifën e energjisë elektrike 25 për qind më shtrenjtë, për furnizimin me tension të ulët. Kështu, nga 8 lekë që e paguajnë aktualisht, ky sektor do ta paguajë 10 lekë kilovatin për orë, ndërsa KESH-i kishte propozuar rritje deri në masën 58 për qind ose mbi 12 lekë kilovat/orë.
ERE nuk ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e KESH-it për rritjen e çmimit ndaj bizneseve që furnizohen me tension të lartë, duke e lënë të pandryshuar me 7 lekë kilovat/orë. Për sa i përket bizneseve që furnizohen me energji elektrike të tensionit të mesëm, numri i të cilëve është tepër i lartë, Enti Rregullator ka vendosur rritje të çmimit me 7 për qind, duke vendosur tarifa të reja konkretisht për bizneset industriale 7.5 lekë kilovat/orë, bizneset në sferën e tregtisë dhe shërbimet me 7.5 lekë dhe po aq për sektorin e bujqësisë, nga 7 lekë për kilovat orë që paguajnë aktualisht për fuqinë 35 kV. Ndërsa për 20/10/5 kV këto subjekte do të paguajnë nga marsi që vjen 8 lekë për industrinë, 8.5 lekë për tregti dhe shërbime dhe 8 lekë për sektorin e bujqësisë nga 7 lekë për kilovat orë që paguajnë tani. Për furrat e bukës dhe prodhuesit e miellit nuk do të ketë rritje çmimi, duke e lënë të pandryshuar me 7 lekë.
Theksojmë se për të gjithë këta konsumatorë, që nuk konsumojnë energji elektrike gjatë muajit dhe fatura ka konsum "zero kWh", është parashikuar aplikimi i një tarife shërbimi fikse mujore prej 200 lekë.
ERE
Për rritjen e tarifave me 18 për qind, ERE është mbështetur në çmimet e importit të energjisë elektrike si dhe me kushtet e reja hidrologjike të krijuara gjatë këtij viti, që paraqiten disi pozitive. Nga ana tjetër, ERE justifikohet për rritjen e çmimeve përpara konsumatorëve me faktin e rritjes së çmimit mesatar të importit me 69 euro për MWh, ku shpenzimet për blerje të energjisë vitin e shkuar arritën deri në 200 milionë euro.
KESH-i kërkoi rritje të çmimet me 93 për qind për bizneset që furnizohen me energji elektrike të tensionit të lartë, ndërse ERE miratoi vetëm 16 për qind rritje, ndërsa për fuqinë 110 kV Enti nuk mori parasysh asnjë kërkesë për rritje çmimi, duke i lënë të pandryshuara me 7 lekë/kah. E njëjta panoramë duket edhe për furnizimin me tension të mesëm që përdoret gjerësisht nga konsumatorët. Nga 54 për qind rritje çmimi të kërkuar nga KESH, ERE vendosi rritje mesatare prej 16 për qind, ndërsa për furrat e bukës nuk u vendos asnjë tarifë shtesë.
Tarifat
ERE s‘ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e KESH-it për rritjen e çmimit ndaj bizneseve me tension të lartë
Niveli i tensionit Kategoritë e konsumatorëve Çmimi aktual (lekë/kWh)
Çmimi i aprovuar më dt.14.02.2008 (lekë/kWh)
Ndryshimi në %
TENSIONI I LARTE Klientë të transmetimit TL me asete të zotëruar prej tyre
Industri 4.50 5.20 16%
Klientë të furnizuar ne N/S 110 kV të shpërndarjes
Industri 7.00 7.00 0%
Tregti & shërbime 7.00 7.00 0%
Bujqësi 7.00 7.00 0%
TENSIONI I MESEM
Klientë të furnizuar në 35 kV
Industri 7.00 7.50 7%
Tregti & shërbime 7.00 7.50 7%
Bujqësi 7.00 7.50 7%
Klientë të furnizuar në 20/10/6 kV
Industri 7.00 8.00 14%
Tregti & shërbime 7.00 8.50 21%
Furra buke, prodhim mielli 7.00 7.00 0%
Bujqësi 7.00 8.00 14%
TENSIONI I ULET
Klientë të furnizuar në TU
Industri 8.00 9.50 19%
Tregti & shërbime 8.00 10.00 25%
Furra buke, prodhim mielli 7.50 7.50 0%