Miço: Ekspertët e ISHP-së, në grupin hetimor
"Inspektorati Shtetëror i Punës domosdoshmërisht duhet të jetë pjesë e grupit hetimor në rolin e ekspertit, gjatë hetimit të aksidenteve në punë. Kjo është praktikë pune në të gjithë vendet perëndimore". Ka qenë kjo deklarata e djeshme e drejtuesit të ISHP-së në Ministrinë e Punës, Thoma Miço. Ai ka theksuar se "kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë me insistim nga institucioni i prokurorisë, realizimin e kësaj praktike, e cila është në dobi të punës për të dy institucionet tona". Kryeinspektori Miço lidhur me aksidentet në punë ka veçuar si mjaft problematik atë të ndërtimit, sidomos në drejtim të kushteve të vështira të punëtorëve dhe të rrezikshmërisë. "Inspektorati Shtetëror i Punës do të pezullojë punimet, në të gjithë ato sektorë të ekonomisë, ku nuk zbatohen dispozitat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe konkretisht ku mungojnë mjetet mbrojtëse kolektive dhe individuale, sidomos në fushën e ndërtimit, mungesa e të cilave bëhet shkak për aksidente në punë", u shpreh Miço. Ai, gjithashtu, ka sqaruar se lidhur me aksidentet e minatorëve përmes një ligji të veçantë ky sektor duhet të kontrollohet nga Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave, që është institucion varësie i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.