E Diel, 1 Nëntor 2026

Brenda 5 vjetëve trefishohet numri i fëmijëve me astmë

Brenda pesëvjeçarit të fundit është rritur numri i fëmijëve të prekur nga astma. Lajmi konfirmohet nga pediatria e spitalit "Nënë Tereza". Sipas "bllokut" të diagnozave kryesore të spitalit, një numër të lartë vizitash dhe trajtimesh i referohen edhe astmës. Shtimi i rasteve ka qenë në mënyrë të veçantë gjatë viteve të fundit, ku edhe ndotja e mjedisit ka qenë në nivele të larta.

Vitet e fundit ka një numër tepër të lartë fëmijësh, të cilët shtrohen në spital me probleme kryesore, shqetësime në rrugët e frymëmarrjes, lotim të syve, kollë. Shpesh shenjat e astmës ngatërrohen me simptomat e virozëve të stinës, bronkitit apo ftohje. Veç ndotjes së ambientit, një tjetër faktor që çon në astmë janë edhe rastet e fëmijëve që kanë marrë të ftohtë apo bronkite të përsëritura herë pas here, të cilat nuk janë trajtuar e më pas kanë kaluar në astmë, sëmundje e cila duhet të trajtohet përgjatë gjithë jetës. Sipas mjekëve, një tjetër shkaktar që çon fëmijët drejt prekjes nga sëmundja e astmës është edhe duhanpirja e më të rriturve në shtëpi. Ka raste kur mjekët nuk arrijnë të kapin sëmundjet që në fillim dhe i trajtojnë pacientët sikur të kishin shqetësime virale. Fëmijët që jetojnë në mjedise ku ka duhanpirës, në mjedise me lagështi apo aty ku ajri ka ngarkesë më shumë se normalja paraqiten 1-2 herë në vit në spital.

Thuhet që: "Një fishkëllimë apo gërhitje është shenjë e astmës derisa të provohet se ka diçka tjetër". Astma është një sëmundje inflamatore kronike e rrugëve të frymëmarrjes, pavarësisht nga stadi i saj. Ajo është një nga sëmundjet kronike më të shpeshta në botë, e cila imponon një barrë të rëndësishme sociale si te fëmijët, ashtu edhe te të rriturit, megjithatë është e trajtueshme dhe e parandalueshme. Inflamacioni bronkial në astmë përfshin një sërë mekanizmash, si faktorët personalë predispozicioni gjenetik, ashtu dhe faktorët e mjedisit, alergenet brenda dhe jashtë shtëpisë, infeksionet virale të rrugëve të frymëmarrjes. Diagnoza e astmës shpesh bazohet në shenja të tilla si marrja e frymës episodike, fishkëllima dhe shtrëngimi i gjoksit. Astma është një sëmundje kronike me ndikim të rëndësishëm mbi të sëmurët, mbi familjet e tyre dhe shoqërinë.

Një nga këshillat e mjekëve alergologë është të ndalohet ose të pakësohet ekspozimi ndaj faktorëve alergjikë, që shkaktojnë astmën si pluhurat e shtëpisë, ushqimet dhe konservantët ushqimorë, alergentët e tjerë. Rekomandohen shëtitjet në ajër të pastër, këtu duke pasur parasysh ndotjen e madhe të mjedisit në mënyrë të veçantë në kryeqytet. Ndërkaq, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, sipas analizës së vitit 2007 të raportuar nga Ministria e Shëndetësisë e zënë vendin e parë në listën e diagnozave për të cilat trajtohen qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›