E Diel, 1 Nëntor 2026

Dimri, Korça "vesh" petkun e borës

Mëngjesi është gdhirë i bardhë në juglindje të vendit, ndërsa të paktën pesë fshatra janë izoluar nga dëbora e dendur që ka rënë gjatë natës. Dardha, Shtylla e Panaritit, Voskopoja e Moglica janë bllokuar për shkak të reshjeve të shumta të dëborës, që brenda pak orëve kanë shkuar deri në një trashësi prej 60 cm në zonat e thella malore të juglindjes së vendit, duke bllokuar edhe rrugët. Këto të fundit, edhe pse për orë të tëra kanë ndier vrullin e mjeteve borëpastruese, nuk kanë mundur të hapen, me përjashtim të aksit që lidh qytetin e Korçës me fshatin turistik të Voskopojës. Nga ana tjetër, Dardha ka mbetur e izoluar, kur edhe për shkak të erës dëbora nuk është larguar nga rruga. Duke nisur që nga dalja e fshatit Boboshticë, dëbora në rrugë ka kapur një trashësi prej 50 cm në drejtim të Dardhës, ndërsa sipas drejtorit të rrugëve, Kreshnik Zgjana, mjetet borëpastruese do të lihen aty derisa të bëjnë të mundur zhbllokimin e këtij aksi. Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë pushtuar zonat malore të Korçës, ndërsa në qytet trashësia e regjistruar në orët e mëngjesit ka qenë të paktën 15 centimetra. Temperaturat që janë ulur ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë kanë rikthyer dimrin e ftohtë, ndërsa akset nacionale të gjitha kanë qenë të ngarkuara me dëborë në orët e para të mëngjesit. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Rrugëve është punuar përgjatë gjithë akseve nacionale për t‘i mbajtur të hapura dhe të kalueshme nga mjetet, ndërsa edhe gjatë ditës jo vetëm në rrugët që lidhin qytetin e Korçës me zonat e tjera, por edhe brenda në qytet kanë vazhduar kriposjet dhe pastrimet nga dëbora e dendur. "Rruga drejt Dardhës është bllokuar plotësisht, pasi trashësia e dëborës në këtë aks i ka kaluar 50 centimetrat, për shkak të dendësisë së reshjeve dhe erës që e ka grumbulluar dëborën mbi rrugë. Edhe pse mjetet janë vendosur në këtë aks, ai mbetet i pakalueshëm. Vetëm rruga e Dardhës është bllokuar nga dëbora, ndërsa zonat e tjera rezultojnë të hapura, por në ato të thella malore kalimi bëhet vetëm me zinxhir. Mjetet borëpastruese gjatë ditës janë vendosur edhe përgjatë aksit Korçë-Voskopojë, që pritet të hapet brenda ditës, ndërsa rruga e Kapshticës dhe Liqenasit janë zhbllokuar që në mëngjes dhe kanë qenë të kalueshme", thotë Kreshnik Zgjana, drejtori rajonal i rrugëve nacionale. Ai deklaron se janë siguruar 180 tonë kripë dhe skorje e mjaftueshme për të përballuar një situatë dimërore me reshje dëbore. Nga ana tjetër të gjitha rrugët nacionale janë hapur gjatë mëngjesit, por kanë qenë të kalueshme vetëm me zinxhirë deri në mesditë edhe për shkak të akullit. Më problematike kanë qenë qafat, ku trashësia ka arritur në 20 cm. Me vështirësi për mjetet ka qenë transporti dhe lëvizja në akset Korçë-Ersekë, Korçë-Voskopojë, Qafë Thanë e Kapshticë edhe pse në këto dy të fundit trashësia ka qenë më e paktë, por për shkak të ngricave mbi asfalt ka qenë e vështirë lëvizja e mjeteve. Këtu është dashur përdorimi i zinxhirëve, ndërsa mjetet janë detyruar të lëvizin me shpejtësi që nuk i ka kaluar 30 km në orë për shkak të vështirësisë në qarkullim. Në qytetin e Korçës reshjet kanë qenë të dendura gjatë natës dhe në mëngjes, ku edhe në rrugët e tij është nevojitur përdorimi i zinxhirëve. Sipas të dhënave nga zyra e emergjencave civile, trashësia më e madhe e dëborës është regjistruar në Korçë, Vithkuq, Dardhë dhe Liqenas. Zonat e thella malore që janë prekur nga reshjet kanë pësuar izolim në një pjesë të tyre. Temperatura minimale e regjistruar në mëngjes ka qenë -4, ndërsa gjatë ditës për shkak të ngricës dhe erës në qytet është regjistruar -6 gradë. Situata ka qenë më e rënduar në rrugë, ndërsa mësohet se nuk ka pasur problem me linjat e energjisë elektrike. Një defekt në mëngjes ka shkaktuar shkëputjen për një orë të energjisë në një pjesë të qytetit, por pas riparimit është vënë në punë fidri përkatës. Sipas të dhënave nga policia e qarkullimit nuk janë regjistruar aksidente me pasoja, vetëm tre rrëshqitje të mjeteve me dëme materiale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›