Në pranga mashtruesit e 40 fustaneve nusesh
Kanë udhëtuar nga Mamurrasi i rrethit të Lezhës drejt Elbasanit, nën petkun e hapjes së një biznesi në qytezën e tyre për shitjen e fustaneve të nuseve. Por, ndërsa janë menduar se u ka buzëqeshur fati i "biznesit", e kanë parë veten nën prangat e policisë së Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të kësaj të fundit, mësohet se është bërë arrestimi në flagrancë i 43-vjeçares Fllanxa Mollkuqi, analfabete, si dhe Ilir Mollkuqit, vetëm me shtatë klasë shkollë, të dy nga lagjja "Zef Hoti" i qytetit të Mamurrasit për veprën penale të mashtrimit në shuma të mëdha. I njëjti burim konfirmon se "çifti" nga Lezha do të mashtronte biznesmenen Shpresa Zylka në qytetin e Elbasanit për tregti reciproke të shitjeve të fustaneve për nuse. Ndërsa leverdia është konsideruar reciproke, Zylka nga Elbasani u ka ofruara tregtarëve lezhjanë 40 copë fustane nusesh në pritje të likuidimit të shumës financiare prej 400 mijë lekësh. Shpejt është mësuar se "tregtarët" nga Lezha nuk ishin gjë tjetër veçse mashtruesit e radhës, ku, pas informacioneve të tregtares së mashtruar nga Elbasani, Mollkuqët janë kapur teksa udhëtonin sërish për në Elbasan për të gjetur tjetër treg mashtrimi