E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina përplas motorin, vdes në vend motoçiklisti

Një 47-vjeçar ka mbetur i vdekur nga një aksident i rëndë rrugor, ndërkohë që është arrestuar shkaktari i kësaj ngjarjeje. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se u krye arrestimi në flagrancë nga shërbimet e qarkullimit rrugor, për "Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", si dhe të "Drejtimit të automjetit në gjendje të dehur", në ngarkim të shtetasit Armir Besim Kraja, 34 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. "Arrestimi i tij u krye sepse ditën e djeshme, rreth orës 19:00, në mbikalimin e Qafë-Kasharit, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip "Opel Corsa", veturë, me targa TR9361M, ka aksidentuar motoçiklistin Kujtim Halim Sula, 47 vjeç, banues në Kashar", deklaroi Drejtoria e Policisë së Tiranës. Me t‘u njoftuar, në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë. Sipas uniformave blu, si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i motorit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia tha se u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›