E Diel, 1 Nëntor 2026

I droguari plagos e terrorizon shtatzënën

Një grua shtatzënë dhe një foshnje janë terrorizuar brenda shtëpisë së tyre në plazhin e Durrësit nga një përdorues lëndësh narkotike. Efektet e përdorimit të drogës e kanë kthyer në një vjedhës të përsëritur dhe agresiv. Rasti i fundit është dhe më i rëndi në skedën personale kriminale të Emiljan Taipit nga lagjja periferike e Shkozetit në Durrës. Gruaja shtatzënë, nënë e një vajze 10-muajshe, ka qenë e vetme në shtëpi, kur dera e saj ka trokitur për t‘i ofruar surprizën më të keqe të jetës së saj, ndërsa ngjarja ka rritur pasigurinë për jetën mes banorëve të zonës. Efektivat e policisë, me të marrë njoftimin për ngjarjen, kanë ngritur postblloqe dhe brenda një harku të shkurtër kohor kanë ndaluar 25-vjeçarin narkoman. Ndërkaq, gruaja e re që ra viktimë e dhunës së të riut u është nënshtruar kontrolleve mjekësore për të siguruar gjendjen e barrës së saj, pas ngjarjes traumatike që provoi. Gjithashtu i janë mjekuar dhe plagët që ka marrë nga përdorimi i një biçaku në fytyrën e saj, si mjet shantazhi për të siguruar paratë dhe sendet e tjera me vlerë që kërkonte. Autori është arrestuar, ndërsa ka qenë nën efektet e drogës së përdorur në banesën e viktimës së tij dhe në orët e para të ditës së djeshme ndaj tij është marrë masa e arrestit. Kanë qenë agjentët e sektorit të luftës kundër krimeve të rënda pranë Drejtorisë së Policisë që kanë mundur të kapin të riun dhe të shmangin të tjera veprime të tij. Burimet policore bënë të ditur se Taipi ka qenë i dënuar dy herë më parë për veprën penale të vjedhjes, ndërsa tani mbi të rëndon ngjarja e ndodhur pasditen e një dite më parë në sektorin "Iliria" të plazhit.

Gjithçka ka ndodhur në katin e dytë të një banese dykatëshe të dhënë me qira nga pronarët. Në këtë kat banon familja e shtetasit I.U., i cili ndodhej në punë në çastet kur ndodhi ngjarja. Emilian Taipi ka trokitur me pretekstin për të pyetur lidhur me vendndodhjen e banorëve të katit të parë dhe sapo dera është hapur ai ka hyrë me dhunë në banesë. Me kordonin e hekurit të hekurosjes ka lidhur gruan S.U., e cila në atë moment ndodhej në banesë vetëm me vajzën e saj 10-muajshe. "Nën kërcënimin e një biçaku, të cilin e mbante me vete e më pas edhe të një thike të marrë në banesë, i ka kërkuar gruas shtatzënë t‘i dorëzonte të gjithë sasinë e parave e të bizhuve të floririt që zotëronte", thanë burimet policore, duke treguar dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur të gjithë qytetarët durrsakë pas publikimit të saj. Ndërsa e mbante të lidhur dhe e keqtrajtonte, duke i kërkuar gjërat me vlerë të familjes, i dyshuari ka konsumuar në prezencë të së dëmtuarës edhe një sasi prej 2 gramësh lëndë narkotike, e cila dyshohet të ketë qenë e llojit kokainë. Drogën i riu e ka pasur me vete. Një nevojë fiziologjike e autorit e ka shpëtuar gruan. Ai ka kërkuar të shkojë në banjë, e cila ndodhej jashtë derës kryesore. Sapo është drejtuar për atje, gruaja e re ka mundur të mbyllë nga pas derën e menjëherë ka njoftuar shërbimet e policisë. Veprimet e shpejta të bazuara në përshkrimin që e dëmtuara i ka bërë autorit kanë bërë të mundur identifikimin e kapjen e të dyshuarit. Ndërkaq, u bë dhe bllokimi në cilësinë e provës materiale i biçakut e thikës së përdorur. Ndaj të arrestuarit që terrorizoi gruan shtatzënë dhe foshnjën nisën hetimet për veprat penale të tentativës së vjedhjes me dhunë dhe heqjes së paligjshme të lirisë së personit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›