E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkopi e Durrës, vdesin dy vetë nga konsumi i alkoolit

Një i ri 25-vjeçar nga Peshkopia dhe një 47-vjeçar nga Durrësi kanë gjetur vdekjen si pasojë e konsumit të tepërt të pijeve alkoolike. Alket Alku, nga Peshkopia, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, teksa ishte shtruar në urgjencën e spitalit të këtij qyteti. Ai banonte në lagjen Dobrovë dhe njihej nga policia si person pa precedent penal, pra jo problematik, por që njihej gjithashtu si person që konsumonte alkool në sasi të tepërt. Në lidhje me rrethanat e ndodhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë, mësohet se në mbrëmjen e ditës së premte, 25-vjeçari ka qenë duke pirë në një nga lokalet e qytetit, së bashku me shokët e tij. Pas pijes me tepricë, deri në orët e vona të kësaj mbrëmjeje, sëmuret në gjendje të rëndë, krejt pa ndjenja dhe dërgohet për ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Peshkopisë. Mjekët pohojnë se viktima erdhi në spital me shenja të një helmimi mjaft të rëndë dhe se ata bënë gjithçka mundën për ta risjellë në jetë të riun, por doza e helmimit ishte tepër e rëndë, duke e bërë krejt të pamundur nxjerrjen e tij jashtë rrezikut për jetën. Edhe pse paraprakisht mendohet se vdekja e të riut, Alket Alku, mund të ketë ardhur nga konsumimi i tepërt i alkoolit, përsëri nuk përjashtohen edhe mundësi të tjera, që mund të kenë çuar në humbjen e jetës së tij. Kështu, burime nga policia bëjnë me dije se grupi hetimor po punon në këtë drejtim, pasi, përveç pistës kryesore të hetimit, asaj të konsumit të tepërt të alkoolit, nuk përjashtohen edhe pista të tjera, kjo edhe për faktin se i ndjeri ishte kunati i Prokurorit të Qarkut të Dibrës. Një 47-vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e tij në qytetin e Durrësit. Burimet zyrtare policore bënë të ditur se trupi i pajetë i shtetasit Pal Ndoi është gjetur rreth orës 19.00 të 17 janarit i pajetë në banesën e tij në Durrës. Burimet sqaruan se nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkak i vdekjes së këtij shtetasi, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës, është konsumi i tepërt i alkoolit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›