Lejet e qëndrimit, premtohet lehtësim i procedurave
Vonesat e shumta për përpunimin e dokumentacionit të emigrantëve në shtetin fqinj, Itali, duket se kanë vënë në lëvizje strukturat e tij. Direktiva mbi lejet e qëndrimit e nënshkruar pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm i Italisë, Amato, synon "të zgjidhë çështjen e vonesave në lëshimin dhe ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit". Ky konsiderohet nga specialistët si një objektiv ambicioz, duke parë mungesën e një reforme tërësore emigratore në këtë vend. Sidoqoftë, thjeshtëzimi dhe shmangja e "stacioneve" të padobishme, konsiderohet se të paktën mund të pakësojë edhe hallet e më shumë se 900 mijë të huajve, që kanë në xhepin e tyre, vetëm "cedolino-n", apo dëftesën e dorëzimit të dokumenteve dhe presin përfundimin e përpunimit të praktikave të tyre. Mes tyre numërohen edhe rreth 400 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali. Hapi i parë nga strukturat shtetërore italiane mendohet të jetë shtimi i burimeve njerëzore dhe i pajisjeve teknike. Sipas Durim Hatibit, specialist i emigracionit në Ministrinë e Punës, kuesturat italiane do të pajisen me "spaid", teknologji e re informatike, një skaner që mundëson marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografitë e shtetasve të huaj, duke i dërguar ato në Institutin Poligrafik, ku do të shtypen edhe lejet e qëndrimit. Për më shumë, kuesturat, që po përballohen me vonesa do të kenë shtim personeli, duke marrë edhe miratimin për kryerjen e punës jashtë orarit. Ministria e Brendshme mësohet se u ka bërë thirrje shtetasve të huaj, që të paraqesin kërkesën për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit 60-90 ditë para përfundimit të vlefshmërisë së lejes. Madje, nëse plotësojnë kushtet të kërkojnë edhe lejen e qëndrimit të rezidentit afatgjatë. Ndërhyrje të tjera kanë të bëjnë me lëshimin e lejes së parë, për ata që vijnë në Itali në suazën e flukseve të rregullta, apo përmes kategorisë së ribashkimit familjar. Ideja është që të caktohet data e thirrjes në Kuesturë, në sportelin unik mbi emigrimin dhe jo te "Poste Italiane", duke lënë mënjanë kështu ciklin e letrës rekomande të thirrjes, që rëndom nuk shkon në destinacion. Gjithashtu, nga Instituti Poligrafik do të vinin leje tashmë të gatshme për t‘iu dorëzuar të huajve nga kuesturat, duke shmangur kështu kohë jo efektive pritjeje të aktivizimit të tyre. Në direktivën e ministrit Amato i kërkohet drejtorit të policisë, Antonio Manganelit, dhe atij të Departamentit për Liritë Civile, Mario Morkones, të bëjnë "çdo ndërhyrje të mëtejshme" me qëllim që lëshimi i lejes së parë të qëndrimit të menaxhohet "përmes një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë, mes sportelit unik dhe zyrës së emigrimit të kuesturës". Pra, kjo do të shmangë kalimin te zyrat postare, njëherësh edhe kohën e shpenzuar apo kostot për shtetasit shqiptarë dhe të huajt e tjerë në këtë vend.
Por pyetja që ngrihet është se a do të heqin dorë "Poste Italiane" nga shuma prej 30 eurosh, që inkasohet për çdo kërkesë? Marrëveshja mes "Poste" dhe Ministrisë së Brendshme italiane mbyllet në fund të këtij viti dhe vetëm pas takimeve, mes drejtuesve të të dy palëve ditët e ardhme do të mësohet, nëse "Poste" do të heqin dorë më përpara, të paktën për sa u takon kërkesave për lëshimin e lejes së parë të qëndrimit. Së fundi, në direktivë citohet "perspektiva" e kalimit tek entet vendore të kompetencave mbi ripërtëritjet e lejeve të qëndrimit. Specialistët pohojnë se një nismë e tillë mund të kryhet, vetëm me një ndryshim të tekstit unik mbi emigrimin, gjë që aktualisht duket si lëvizje kohore jo e afërt. Sidoqoftë, sipas këtij ligji, Komunave mund t‘i besohet roli i zyrave të pritjes. Me pak fjalë direktiva "Amato" sjell një impuls të ri për të nisur një eksperimentim, që favorizon "marrëdhëniet e drejtpërdrejta, mes komunave dhe kuesturave" duke lënë jashtë edhe në këtë rast "Poste Italiane".