Italia garanton viza për të gjithë studiuesit shqiptarë
Porta kryesore për të hyrë në vendet e Bashkimit Evropian, Italia, do të hapet përfundimisht për profesorët dhe studiuesit shqiptarë pas datës 21 shkurt. Ky është afati i fillimit të aplikimit të një dekreti legjislativ të shtetit fqinj në zbatim të një direktive të nxjerrë për këtë qëllim nga BE-ja. Ai lidhet me lejimin e studiuesve nga shtetet jo anëtare (mes të cilave bën pjesë dhe Shqipëria), të përshkojnë territorin Shengen pa u kondicionuar nga kuotat e miratuara. Kushti kryesor është paraqitja e një ftese nga universitete apo institucione kërkimore në vendet e BE-së.
"Tashmë bëhet më e lehtë ardhja e studiuesve nga shtete jo anëtare të BE-së në Itali, në rast se thirren nga universitete dhe institute të tjera kërkimore. Ky është rezultati i dekretit legjislativ, që sapo u botua në Gazetën Zyrtare dhe që do të hyjë në fuqi, më 21 shkurt", sqaron Durim Hatibi, specialist i Emigracionit në Ministrinë e Punës. Duke iu referuar informacioneve zyrtare ai shton se "në të vërtetë, dekreti është zbatimi në praktikë i një direktive të Komisionit Evropian, që trajton ‘pranimin e shtetasve nga shtete jo anëtare të BE-së, me qëllim kërkimin shkencor‘". Sipas Hatibit, ky dekret modifikon edhe Tekstin Unik mbi Emigrimin, duke përvijuar një procedurë të veçantë për këtë kategori hyrjesh.
Kjo risi në legjislacionin e vendeve evropiane do të krijojë më shumë mundësi për studiuesit e zotë shqiptarë në mënyrë që ata t‘u afrohen qendrave shkencore më me emër në Evropë dhe të zhvillojnë aty studime në fusha të ndryshme shkencore. Nga ky sistem i ri i lëvizjes së lirë të qytetarëve do të përfitojnë ata shtetas shqiptarë, sikundër edhe të tjerë nga vendet e rajonit tonë, të cilët zotërojnë një titull të studimit të lartë që në shtetin ku është marrë lejon qasje ndaj programeve të doktoraturës. Hyrja e këtyre studiuesve apo profesorëve, mësohet se nuk do të kushtëzohet apo kufizohet nga tavanet e kuotave të vendosura çdo vit. Ajo do të lidhet vetëm me një kërkesë nga ana e një instituti kërkimor, i regjistruar në një listë të mbajtur nga ministria për universitetin dhe kërkimet. Kështu, nëse një profesor shqiptar që krijon marrëdhënie me një universitet apo institut kërkimor shkencor në vendin fqinj Itali dhe ka dëshirë të vazhdojë atje studimet e doktoraturës, përfaqësia diplomatike italiane me qendër në Shqipëri do të jetë e detyruar që ta pajisë me vizën e kalimit.
Themelore në këtë proces, sipas specialistëve mbetet nënshkrimi i një marrëveshjeje, përmes së cilës instituti zotohet të presë shtetasin shqiptar apo të huaj, duke i garantuar mjetet e jetesës, sigurimet shëndetësore në rast sëmundjeje, si dhe shpenzimet e udhëtimit të ardhjes dhe të largimit. Nga ana tjetër, studiuesi duhet të zotohet se do të impenjohet për të realizuar një projekt kërkimor, të miratuar nga instituti në fjalë. Në këto kushte, instituti mund t‘i kërkojë sportelit unik miratimin ("Nulla Osta-n") për hyrje, falë së cilës studiuesi mund të marrë një vizë hyrjeje për në Itali. Sapo të arrijë në Itali, atij do t‘i lëshohet një leje qëndrimi, vlefshmëria kohore e së cilës do të jetë e barabartë me kohën e shtrirjes së programit kërkimor, por që mund të ripërtërihet në rast se projekti zgjat më shumë. Kjo i mundëson studiuesit të kryejë edhe aktivitete mësimdhënieje, ose të kërkojë ribashkim familjar.
Në dekret parashikohet edhe që të huajt, tashmë të pranuar si studiues në shtete të tjera, anëtare të BE-së mund të vijnë në Itali, nga këto shtete, pa vizë për të vazhduar kërkimet e tyre për një hark kohor tremujor. Madje, ata nuk duhet të kërkojnë as leje qëndrimi, por vetëm të paraqesin te sporteli unik përkatës një njoftim, duke i bashkëngjitur marrëveshjen e lidhur në shtetin tjetër anëtar të BE-së. Sidoqoftë, për të pasur një qëndrim të rregullt më të gjatë se tre muaj, ata duhet të lidhin një marrëveshje tjetër me një institut italian kërkimor.