E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla e re, 750 mijë euro për 700 nxënës

Një shkollë e re 4-katëshe me 24 klasa pritet të përfundojë nga ndërtimi në verë të këtij viti në Komunën Shënavlash të Durrësit. 700 nxënësit e shkollës 9-vjeçare në vitin e ri shkollor do të mund të studiojnë në kushte bashkëkohore, një ambient me termoizolim ku nuk mungon as palestra. Superinvestimi, siç është cilësuar nga ministri i Arsimit, Genc Pollo, prej 750 mijë eurosh financohet nga buxheti i shtetit, granti konkurrues, në kuadrin e turit të ndërtimit të shkollave në të gjithë vendin. Sipas Pollos

investimet do të kryhen aty ku ka nxënës dhe është përqendruar numri më i madh i popullsisë. Ministri i Arsimit theksoi se kjo komunë ka pasur shumë herë më pak banorë, ndërsa sot janë mbi 700 nxënës në shkollën 9-vjeçare. Shkolla e mëparshme ka qenë vetëm me katër klasa. Në saj të këtij investimi në këtë institucion të ri arsimor do të mund të ngrihet një shkollë me kushte normale. Ajo premtohet të jetë një godinë moderne jo vetëm për nxënësit e Shënavlashit, por edhe për ata që vijnë nga të gjitha lagjet përreth kësaj komune. "Punimet mendojmë të përfundojnë në verë të këtij viti. Por ajo që është më e rëndësishme dhe që e dallon këtë shkollë, si tipar i një shkolle moderne, është që këtu do të mësohet edhe sporti, kultura fizike, prandaj edhe në këtë vend ku ne jemi sot, përballë godinës së shkollës, do të ngrihet edhe palestra, në mënyrë që edhe sporti e fizkultura të jenë pjesë e edukatës së çdo të riu shqiptar dhe shpresoj të jetës së tij të mëvonshme. Kjo sepse mendja e shëndoshë është në një trup të shëndoshë dhe ne duhet ta kultivojmë më shumë e më fort aktivitetin sportiv të çdo qytetari", u shpreh ministri Pollo, duke hedhur edhe gurin e parë të themelit, në vendin ku do të ndërtohet palestra e shkollës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›