Tregtarët e ilaçeve, letër Kryeministrit
Sot, për licencimin e veprimtarive farmaceutike ka kritere bazë përcaktuese, të njëjta me të gjitha vendet e Komunitetit Evropian. Zbatimi i kritereve të distancës dhe eksperiencës në punë ka realizuar shërbimin farmaceutik në të gjithë vendin, por dhe brenda një qyteti të caktuar për shpërndarjen e farmacive në të gjithë njësinë administrative, për t‘i dhënë akses konsumatorit për barnat. I gjithë ky sqarim është pjesë e letrës që farmacistë, grosistë, sindikalistë dhe përfaqësues, të cilët kujdesen për tregtimin e barnave në Shqipëri, i kanë shkruar Kryeministrit Sali Berisha në një letër. "Ruajtja e përvojës në punë garanton cilësi dhe shërbimi të kualifikuar. Nuk është barrierë burokratike, por mbron pacientët dhe konsumatorët nga kequshtrimet profesionale dhe shkeljet e normave të detyrueshme", sqarohet më tej në letër. Sipas kreut të shoqatës së grosistëve, Kastriot Zotaj, në të gjithë botën rregullat për tregtimin e barnave janë shumë të forta. "Task Force" janë një grup ekonomistësh që punojnë në Ministrinë e Ekonomisë. Pjesa e tregtimit të barnave ka rregulla strikte, pasi nga ajo preken jo vetëm grupet e interesit, por në mënyrë të veçantë konsumatori.
"Për të motivuar këto ndryshime ligjore, gjithkush që është faktor apo aktor i shërbimit farmaceutik ka të drejtën për të bërë një sërë pyetjesh", sqarojnë më tej grupet e interesit në letër. Sipas tyre, askush deri më sot nuk është ankuar se ky shërbim ka barriera burokratike e mbytëse dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë ajo që të thotë se mbi ç‘baza kërkon të ndryshojë këtë legjislacion të vendosur deri më sot.
Sipas letrës, deri tani nuk ka asnjë sqarim për interesat që mbrojnë këto propozime të ndryshimeve ligjore. "Ndryshimet e propozuara e garantojnë cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e barit? Këto ndryshime e përmirësojnë shërbimin farmaceutik?
Këto ndryshime çfarë lehtësirash i sjellin konsumatorit shqiptar? Sa dhe si ia shtojnë aksesin për barna dhe shërbim dhe në dëm të kujt"? Këto janë disa nga pyetjet e ngritura prej grupeve të interesit, që nuk kanë gjetur asnjë përgjigje. Kjo është një nga arsyet që ata po i drejtohen për ndihmë Kryeministrit të vendit. Sipas të dhënave që raportohen, të gjitha këto propozime para se të kërkoheshin nuk janë konsultuar me aktorët e shërbimit farmaceutik, si Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Shoqatës së Importuesve dhe Distributorëve, Sindikatës së Farmacistëve.
Sipas diskutimeve të bëra në Komisionin e Shëndetësisë, këto ndryshime, përveç të gjitha mangësive që kanë, rëndojnë drejtpërdrejt te konsumatori dhe, nga ana tjetër, nuk i garantojnë kompanitë farmaceutike multinacionale për mirëqarkullimin e barnave të tyre dhe nuk garantojnë ruajtjen e pullës së sigurisë dhe çmimit të shitjes me pakicë.