E Diel, 1 Nëntor 2026

Budistët politikanë

Vitet e fundit, rrugët e Azisë janë përshkuar nga grupe besimtarësh, të cilët në zemëratë e sipër kanë kërkuar ndryshime politike. Protestat e tyre kanë qenë si kundër qeverive të korruptuara, ashtu edhe pro mbrojtjes së vlerave morale që jo rrallë bjerren edhe në vendet më konservatore. Këto grupime, tashmë të institucionalizuara edhe në organizata të mirëfillta kanë marrë një shtrirje të gjerë dhe numri i tyre është gjithnjë e në rritje. Disa syresh, madje, kanë përdorur edhe armët si mjete për të mbrojtur besimin e tyre. Dikush mund të mendojë se bëhet fjalë për fundamentalistë myslimanë, apo për konservatorët e krishterë. Gabim. Ata janë budistët, anëtarë të asaj që konsiderohej se ishte feja e qetë dhe e paqtë e Azisë, e cila shpesh ka qenë sinonim i pacifizmit. Por tashmë jo më. Në këtë epokë entuziazmi fetar edhe budizmi ka nisur të rizgjohet përmes protestave të aktivistëve dhe shtimit të konsiderueshëm të lëvizjeve politike, disa prej të cilave kanë madje edhe dukjen e formën e veprimeve fundamentaliste të feve të tjera. Është e vërtetë se ka ende budistë që praktikojnë pacifizmin si lëvizja masive tajvaneze "Tzu Chi", por këto grupime sa vjen e po bëhen më të rralla. Tendenca flet për një përfshirje gjithnjë e më të madhe në fushën politike. E tillë ishte për shembull lëvizja e madhe e murgjve budistë në Burma, e cila sigurisht që nuk përbën më një dalje nga norma. Në Tajlandë, një fraksion ultranacionalist budist mbështeti rrëzimin e Kryeministrit të vendit, Thaksin Shinatra, në vitin 2006. Në Indi, lideri populist i një partie që mbështetet fuqishëm nga budistët ndodhet në listën e pretendentëve të mundshëm për postin e Kryeministrit të vendit. Në rastet më dramatike, budistët kanë marrë edhe armët në dorë (diçka krejt e rrallë kjo). I tillë ishte rasti i një partie nacionaliste në Sri Lanka mbështetësit e së cilës ishin edhe budistët, të cilët së bashku me anëtarët budistë morën armët e dolën në rrugë për të mbrojtur idealin e tyre. Sipas një profesori të çështjeve fetare, rritja e përfshirjes së budistëve në çështjet politike dhe mbi të gjitha dalja e tyre nga korniza paqësore me të cilën kjo fe identifikohej deri më tani, është tregues i tendencës së politizimit të gjerë të fesë në mbarë botën. Në fakt, është ende herët të përdoret termi "fundamentalistët budistë", por gjërat po shkojnë me shpejtësi drejt një fakti të tillë.

Budizmi që ngulmon dhe mishëron në vetvete shkëputjen e njeriut nga dëshirat e lakmitë tokësore, duke predikuar mëshirë dhe dashuri për të gjitha qeniet e gjalla është një fe me një ekzistencë të paktën 2500-vjeçare dhe mendohet se në të gjithë botën ekzistojnë 350 milionë besimtarë. Tendenca e këtyre besimtarëve, sipas shumë analistëve sa vjen e po bëhet më e rreptë dhe më kundërshtuese e mbi të gjitha më e lidhur me politikën. Njëherazi vihet re edhe shtimi i madh i numrit të atyre që aderojnë në këtë fe. Vetëm në Kinë ekzistojnë 100 milionë që besojnë në mësimet e Budës. Në Indi, vendlindja e Budës në vitin 2001 numëroheshin 8 milionë budistë, ndërkohë që aktualisht ka 35 milionë besimtarë të kësaj feje aziatike. Ndërsa në Tajvan, numri i budistëve është rritur nga 5.5 milionë në 8 milionë në vitin 2006. Ky bum është pasojë e një sërë faktorësh. Në Kinë dhe në Tajvan, rritja e numrit të besimtarëve reflekton humbjen e kontrollit nga klasa politike. Vitet e fundit Pekini ka bërë lëshime të mëdha ndaj të gjitha feve, të mendosh që dikur në ditët e egra të revolucionit kulturor ato u sulmuan dhe dënuan egërsisht. Ndërkohë që shoqëritë e Azisë sa vjen e po bëhen më të pasura e më të fuqishme, mësimet e budizmit në lidhje me luftën kundër materializmit po përqafohen nga një klasë e mesme, e cila pasi ka siguruar një mirëqenie të kënaqshme po tenton që të arrijë edhe një ngritje shpirtërore të nevojshme për të krijuar oaze paqeje. Marrim shembullin e një bankieri 25-vjeçar në Nju Delhi të Indisë, i cili dikur bënte një jetë shumë luksoze, duke e kaluar kohën e lirë nëpër dyqane të shtrenjta veshjesh, restorante e pushime të kushtueshme. Ky individ, vetëm dy vjet më parë nisi të mendonte e të reflektonte, se pavarësisht gjithë pasurisë dhe mirëqenies që e rrethonte ai nuk ishte i lumtur brenda vetes. Madje, në vend të qetësisë shpirtërore që duhet të kishte duke qenë se i kishte të sigurta të gjitha aspektet materiale të jetës, ai ishte i mbërthyer nga ankthet dhe makthet, si dhe stresi. Pikërisht përqafimi i budizmit bëri që në jetën e tij të ktheheshin ditët e qeta e të paqta. Budizmi i ofron indianëve një tjetër vlerë të rëndësishme: rrugëdalje nga sistemi shtypës në fuqi. Një vit më parë, një fshatar 22-vjeçar nga një shtet indian iu bashkua një konvertimi masiv të rreth 5000 indianëve në fenë budiste. Arsyeja e bashkimit të djaloshit me masën e madhet të konvertuarve ishte se ai kishte vendosur që të mos e linte veten të trajtohej si një kafshë pune. Shifrat gjithnjë e në rritje të besimtarëve budistë në mbarë Azinë po shndërrohen në fuqi politike. Një fakt i tillë e ka nervozuar shumë Pekinin. Këtë muaj, për shembull, në 49-vjetorin e kryengritjes së dështuar tibetiane kundër sundimit kinez, mijëra tibetianë budistë kanë planifikuar që të marshojnë nga një qytet indian drejt Lhasës, kryeqytetit tibetian në kuadrin e një serie protestash në prag të Lojërave të ardhshme Olimpike. Rritja e budizmit mund të përkthehet edhe si një sfidë afatgjatë ndaj vetë Partisë Komuniste Kineze. E ndërkohë që në Kinë ndërhyrja e budistëve në çështjet politike as që mund të merret me mend, në Indi bëhet fjalë për një realitet.

Budistët po ndikojnë gjithnjë e më tepër në realitetin politik të vendit. Ka nga ata të konvertuar, që krahas besimit ushtrojnë edhe aktivitet të mirëfilltë politik, duke i bërë bashkë fenë dhe politikën. Sipas tyre, budizmi është një rrugë drejt çlirimit shpirtëror dhe pasqyrimi i filozofisë budiste në një parti politike po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e popullsisë. Kjo lloj pjesëmarrjeje gjithnjë e më e madhe në budizëm dhe njëherazi në sferën politike, vihet re edhe në Sri Lanka, ku shumica budiste ka zhvilluar një luftë të gjatë civile kundër Hindi Tamilëve që janë në minoritet që nga viti 1983. Murgjit budistë kanë qenë edhe deputetë në Parlament në emër të një partie nacionaliste. Edhe pse kjo parti nuk zë një vend të konsiderueshëm në spektrin politik të vendit, ajo ka një ndikim jo të vogël kur është puna për vendimmarrje të caktuara. Ka edhe nga ata budistë, që duke lënë mënjanë mësimet e profetit për paqe dhe dritë u janë bashkuar lëvizjeve të armatosura. Të shohim tani edhe rastin e Tajlandës, ku 90% e popullsisë është budiste në një vend me 62 milionë banorë. Në fakt, murgjve nuk u lejohet që të bëhen pjesë e sistemit ligjvënës, por një grup i quajtur Ushtria Dharma, e lidhur me një sekt budist të quajtur Santi Asoke, po bën plane për të luajtur një rol edhe në politikë dhe më saktë për të përmbysur Kryeministrin aktual të vendit nga pushteti. Në disa vende të Azisë, budizmi kthehet në një forcë që mbron nacionalizmin dhe u bën thirrje vlerave morale më të qenësishme, të cilat, sipas shumë fetarëve, po dëmtohen rëndë nga ndërhyrjet e modernitetit që vjen nga Perëndimi. Megjithatë, rritja e përfshirjes së budistëve në jetën politike të vendit dhe marrja nga ana e tyre e pozicioneve paksa agresive mund të thellojë konfliktet fetare, duke qenë se një pjesë e mirë e popullsisë së vendeve të Azisë janë të besimit mysliman. Feja është konsideruar gjithmonë si një burim i madh vlerash shpirtërore, por njëherazi edhe luftënxitëse, duke qenë se njerëzit e indoktrinuar shpirtërisht është më e lehtë që t‘i përdorësh dhe t‘i kthesh në vegla. Megjithëse nga sa thamë më lart peizazhi duket disi luftarak, jo të gjithë i kanë harruar mësimet ndriçuese për paqen dhe pajtimin. Një shembull i vazhdimësisë së traditës më të mirë të kësaj feje është rasti i Lëvizjes Budiste, e cila u themelua në vitin 1960 nga një murg vietnamez, që u bë një aktivist i zellshëm gjatë luftës së Vietnamit dhe u zhvendos më pas në Francë. Ai u kthye në atdheun e tij dy herë. Së pari, në vitin 2005 dhe një herë tjetër në vitin 2007. Në të dyja rastet u prit nga bashkatdhetarët si një hero kombëtar. Lëvizja e iniciuar nga ai, e cila ngul këmbë për mospërdorimin e dhunës dhe përhapjen e tolerancës në rajon ka ngulur këmbë vazhdimisht për tolerancë fetare në të gjithë Azinë. Ky grup i ka ndihmuar komunitetet në nevojë të zonave të ndryshme të Azisë, duke filluar nga ata që kanë pasur pasoja të rënda për shkak të fatkeqësive natyrore e deri tek ata që janë përfshirë në luftëra e konflikte e si pasojë kanë mbetur të pastrehë. Por, pavarësisht këtij shembulli, tendenca e përgjithshme është ajo e një politizimi të fesë dhe e shndërrimit të saj në një armë të fortë për ndërmarrjen e ndryshimeve politike në rajonin e Azisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›