Plaçido sot në Tiranë
Aktori i njohur italian, Mikele Plaçido, do të vizitojë sot Shqipërinë. Plaçido do të mbërrijë në Aeroportin e Rinasit në orën 15.30. Menjëherë pas akomodimit në hotel ai do të pritet nga ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango. Takimi do të bëhet në ministri në orën 16.30.
Pas këtij takimi, aktori italian do të mbërrijë në kinema "Millenium 2", ku do të shikojë për herë të parë filmin "Trishtimi i zonjës Shnajder", në të cilin interpreton rolin e kontit çek. Shfaqja e filmit do të jetë si një premierë e dytë, pasi në të janë ftuar të marrin pjesë personalitete të larta të artit dhe politikës në vend. Ditën e enjte, rreth orës 10.30, aktori do të pritet në ambasadën italiane dhe në orën 12.00 Plaçido do të pritet nga Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi.