Pashë një hero ballist
Që në fillim të këtij shkrimi, pas këtij titulli, mund të nisë keqkuptimi i parë. E mbart vetë përdorimi i fjalës "ballist", akoma shumë i lënduar nga djallëzimi njëgjysmëshekullor që i bënë kundërshtarët politikë, komunistët. Si pasojë e hidhur e kësaj të shkuare, përfshi edhe asaj të krijuar nga vetë Balli Kombëtar në raport me luftën çlirimtare dhe pushtuesit fashistë, t‘i afrosh një anëtari apo përkrahësi shpirtëror të kësaj lëvizjeje edhe epitetin "hero", jo pakëve mund t‘u shkaktojë habi, hutim e pse jo edhe një të nënqeshur. Ballist të mençur, sipas jo pakëve, mund të ketë. Edhe zemërgjerë po ashtu. Edhe të pafajshëm gjen shumë. Ka mes tyre radikalë e liberalë, fanatikë, të ngurtë e mendje të hapura për ndryshim. Por ballist hero është pak e vështirë ta përfytyrojë jo vetëm brezi ynë, i doktrinuari për pesë dekada, por edhe brezi i ri i lindur bashkë me rënien e diktaturës. Më shumë se nga informacioni i ri i pluralizmit, ai akoma ndikohet nga mjedisi i ngushtë familjar.
Por sigurisht që fjala "ballist" shkon patjetër me fjalën "hero". Heronjtë kanë qenë e mbeten të pakufizuar as nga ideologjitë dhe as nga mosha, as nga përkatësia etnike dhe as nga ajo fetare apo shkolla që kanë kryer. Çfarë do të ndodhte po t‘i kërkonim diplomën universitare Selam Salarisë, i cili u hodh mbi telat me gjemba të ushtrisë pushtuese italiane? Sa do të ishte e dobishme t‘i vinim si kusht Qemal Stafës, për ta quajtur hero, të mos ishte komunist? Përse nuk qenka hero Abaz Kupi, më i shquari i rezistencës së shqiptarëve në 7 prill 1939?
Dhe a do të ishte me vend që heronj të quheshin vetëm prej atyre patriotëve pa parti, komunistëve, ballistëve apo legalistëve që morën pjesë me shpirt atdhetar në Luftën e Dytë Botërore? Heronj pati Shqipëria edhe gjatë periudhës së quajtur "ndërtimi socialist", edhe pse tanimë mund të quhen heronj të një ideje e realiteti të gabuar. Mirëpo vendi ynë ka edhe një klasë tjetër heronjsh, nga më të madhërishmet në historinë e saj. Janë mes të burgosurve politikë të diktaturës së shkuar. Heroizmi i tyre u krye në jetën e përditshme, në vendet e tyre të internimit dhe sidomos në burgje.
Doemos që fjala "hero" më shumë se statusi, duket e stilit të vjetër. Në kohët moderne mjaftojnë dekorime të shkallëve të ndryshme për ta vlerësuar një njeri në mënyrën më të merituar. Kështu në Shqipëri, duke qenë se ky titull nuk jepet më, duket sikur nuk ka më heronj. Duke shpresuar që lexuesi do të na mirëkuptojë, fare simbolikisht, thjesht për të dalë në një mesazh, autori i këtij shkrimi zgjodhi një prej atyre që i gjykon të tillë. Ky është Daut Gumeni.
Patjetër nuk është më i miri dhe më heroiku nga shtresa e të persekutuarve prej regjimit komunist, por mbetet ndër më përfaqësuesit e tyre. Po të përpiqesh ta njohësh nga afër dhe në rast se ai të lejon t‘i depërtosh në pjesët e dhimbshme të jetës, bindesh edhe më shumë se nacionalistët shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore në elitën e tyre kishin një grup individësh me personalitete shumë të forta. Epopeja e shumëdiskutuar e tyre gjatë rezistencës antifashiste nisi e plotë dhe e madhërishme, kur ndaj tyre filloi persekutimi prej stalinizmit. Në rastin më të madh ishte përndjekje dhe burgim, jo sepse kishin kryer krime gjatë luftës, sepse të tillë nuk i fali kurrkush edhe në vendet më të zhvilluara e demokratike të Evropës Perëndimore, por sepse burgosja dhe dënimet iu dhanë thjesht se kishin qenë ballistë.
***
Vitin e kaluar, Daut Gumeni përktheu e botoi librin "Në kërkim të kuptimit të jetës", një bestseller. Autor i tij është Viktor E. Frankl, i konsideruar si kreu i psikiatërve të Evropës dhe teoria e të cilit, logoterapia, përdoret për kurim të traumave psikike. Në të vërtetë ky libër titullin e botimit të parë e kishte pasur "Prej kampit të vdekjes në ekzistencializëm". Vetë Frankl kishte përjetuar përvojën dramatike të burgosjes nga nazizmi dhe të punës së egër detyruese në kampet e përqendrimit e të shfarosjes masive. Logoterapia e tij studion kuptimin e jetës së njeriut, humbjen e vetë jetës, kur humbet ai kuptim dhe i ruajtjes së saj, kur e ruan atë kuptim.
Kështu, Daut Gumeni ka përkthyer një libër, që në një mënyrë të qartë, edhe pse të tërthortë, nëpërmjet emrave të çifutëve, demokratëve polakë apo italianë e francezë, ka sjellë deri te ne jetën e nacionalistëve shqiptarë në burgjet e kampet e punës së diktaturës. "Në kërkim të kuptimit të jetës" të Viktor E. Frankl mund ta sillte në vëmendjen tonë secili që zotëronte mirë anglishten, por i kishte hije dhe të drejtë morale një njeriu si Daut Gumeni. Me jetën e tij të jashtëzakonshme, ai dëshmon se të gjithë atë forcë të pashoqe mbijetimi e ka jo prej muskujve apo shtatit të madh. Daut Gumeni nuk zotëron asnjë lloj veçantie të tillë, është një shtatmesatar i zakonshëm. Rezistenca e tij gjatë burgimit në diktaturë, e cila po të kishte fatin e një vetërrëfimi, mund të tronditë e sugjestionojë miliona lexues të huaj, buron prej energjisë dhe forcës së shpirtit. Daut Gumeni e ka nisur jetën me vetë kuptimin e saj. Duket sikur nuk ka bërë asnjë ditë pa i dhënë asaj përmbajtje, qëllim, vlerë. Sepse e kanë kuptuar që ai i pati dhënë kuptim jetës që në fillim i hapën dosje përgjimi e ndjekjeje. Ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç. E bënë "katërmbëdhjetë vjeç dhëndër" për burg. Rast unik në Shqipëri.
Aspak çuditërisht vitin e kaluar, ndërsa përktheu e botoi librin e Frankl, ku tregohet se si me mijëra njerëz të pafajshëm vdesin në kampet e përqendrimit apo digjen nëpër krematoriume, Gumeni përktheu dhe botoi edhe një libër të dytë. Ai titullohet "Mbrëmje në pyjet me borë". Janë poezi të zgjedhura botërore. Shumë janë lirika ("Filozofia e dashurisë" - P.B.Shelli, "Jehonë" - Kristina Rozeti, "Pse kaq i zbehtë?" - Sir J. Sakling, "Më beso, dhe gjithë hiret..." - Tomas Mur, "Maj" - Viktor Hygo, "Pjeshka" - F. Pastonki...).
Këngëtari i njohur, Sherif Merdani, bashkëvuajtës me të, për 8 vjet radhazi jetuan në të njëjtën dhomë masive në kampin-burg të punës në Burrel, tek e përshkruan Daut Gumenin, nënvizon nga tiparet e tij: shumë i thellë politikisht, njohës pa fund i poezisë franceze, angleze apo italiane, shqipërues fantastik; tip i vendosur dhe i heshtur, nuk bënte asnjë kompromis me komandën e burgut; po të bënte ndonjë "gabim", pra shkelje të rregullave të burgut, nuk dinte të kërkonte falje. Sipas Merdanit, ai pranonte më mirë ndëshkimin, birucën me minus dhjetë gradë dhe dysheme të mbuluar me akull. Ishte stoik, duronte gjithçka, mundimin më të madh që mund t‘i jepte një torturë.
***
Pasi i hapën dosjen për politikë që 14 vjeç, u përpoqën t‘ia mbushnin atë për një dekadë të tërë. Kur gjykuan se tashmë nuk mund të pritej më, e arrestuan në vitin 1967, kur ishte njëzetë e katër vjeç. Ishte mësues. E prangosën pikërisht si mësues. Nga regjimi mendohej se nuk ishte njëlloj të përfaqësoje një "armik" në një skaj zyre kooperative si normist dhe të ishe mësimdhënës në një shkollë qyteti të madh apo fshati të largët. Ligji në fuqi ndalonte "agjitacionin dhe propagandën kundër pushtetit popullor". Të përjashtuar nga e drejta të botonin libra, të shkruanin në gazeta apo të flisnin në radion e vetme të shtetit, diktatura kishte dalë në përfundimin se pozicioni më i rrezikshëm i kundërshtarëve të saj ishte mësuesia. Llogaritë qenë të thjeshta dhe për ta mbushëmendëse: një mësues fliste para të paktën njëqind e pesëdhjetë nxënësve. Kjo donte të thoshte se kishte si minimum këtë mundësi komunikimi dhe ndikimi edhe jashtë shkollës. Të 150 nxënësit, imazhin apo fjalën e nënkuptimtë të mësuesit "armik" e çonin në 155 familje. Këto, si në një ortek të madh, i rrokullisnin në qindra miq e të afërm. Më shumë se kaq nuk bënte dot as edhe një radio lokale, kurse dhjetë mësues që nuk e donin regjimin, me forcën e fshehtë të sjelljes dhe fjalës së nënkuptimtë ishin të barabartë me dëgjimin e fshehtë të një radiostacioni të huaj antikomunist si "Zëri i Amerikës" apo BBC.
Ja përse prangimin e Daut Gumenit në një seminar mësuesish në Tiranë e kishte paralajmëruar edhe vetë Manush Myftiu, nënkryeministri. Mënyrën se si ai e tha mund ta kuptonte vetëm mësuesi i ri, i cili atë mbrëmje, menjëherë pasi u mbyll mbledhja, i tronditur shkoi në një skaj rruge dhe kërkoi për herë të parë të pinte një cigare.
Në jetë ndodhin gjëra që mund të jenë fatale. Nuk ke asgjë në dorë t‘i shmangësh. Diktatura real-komuniste i kishte mbyllur hermetikisht kufijtë, nuk mund t‘i kapërceje dot. Mes plumbit në buzë të piramidës dhe kërcitjes së prangave në nyjet e duarve ishte kjo e fundit e keqja më e pëlqyer. Daut Gumenit i duhej të priste çastin kur t‘i dilte para makina e vjetër sovjetike e Luftës së Dytë Botërore "Gaz" dhe civilët me xhupa apo kapota që do të zbrisnin me kërcim prej saj.
Në hetuesi, sigurisht që i thanë se kishte tentuar për arratisje. Pastaj pati bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. I thanë se ishte "armik". Por as ai nuk priste një akuzë më të lehtë. Ai i ngjante të atit. Babai i tij, që në kohën e luftës nuk i kishte simpatizuar komunistët. Ishte shumë dakord me mobilizimin e tyre kundër pushtuesit, por krejtësisht qe kundër për sistemin shoqëror që donin të vendosnin në Shqipëri. Por mospëlqimin e tij nuk e shprehu asnjëherë me armë, me asnjë formë dhune, me asnjë formë kundërvënieje të organizuar. Sa ishin të pushtuar, plumbat qenë për fashistët italianë dhe gjermanë, jo për njëri-tjetrin. Kur vendi u çlirua dhe komunistët e morën të gjithë pushtetin, i ati i Daut Gumenit, kur e pyetën nëse kishte vënë mend dhe më në fund i donte, sërish ua deklaroi mungesën e simpatisë. Veç u tha se të dy palët, ai qytetar dhe ata shtet, mund të bënin një marrëveshje si në të gjitha vendet normale. "Ju tani keni shtetin", u tha, "dhe unë do të zbatoj të gjitha ligjet tuaja, nuk do të shkel asnjërin. Do të vuaj e ha me dhëmbë veten në punën time dhe do t‘ju paguaj rregullisht të gjitha taksat. Në këmbim, siç bëhet në çdo shtet, ju kërkoj të më garantoni sigurinë e jetës".
"Cilin ligj kam shkelur?" - i pyeste pa pushim edhe Daut Gumeni hetuesit e vet. Këta e shihnin të habitur. Për çfarë ligjesh bënte fjalë? Kush po pyeste nëse kishte respektuar apo shkelur ligje. Ai 24-vjeçar ishte "armik" dhe këtu mbyllej çdo gjë. Ia kishin shkruar këtë në dosjen e fshehtë për dhjetë vjet rresht. Ndërkohë mendonin se Daut Gumeni kishte qenë "armik" edhe para moshës katërmbëdhjetëvjeçare. Ai kishte qenë përherë i tillë, edhe kur në klasën e parë mësoi të shkruante. Edhe kur disa muajsh bërbëliti fjalët "mama" dhe "baba", po njëlloj "armik" pati qenë. Si nuk e kuptonte, flisnin me vete hetuesit e provincës së thellë në Tepelenë, ku i pranguari dhe ata jetonin. Daut Gumeni pati lindur "armik i pushtetit popullor". Ai ishte "bir armiku". Fshehurazi kishte qenë admirues i nacionalizmit. Ata e patën pranguar, sepse ishte kundërshtar politik i lindur, jo sepse kishte shkelur ndonjë ligj.
Se si ai regjim gjente kurajë dhe logjikë që të burgoste kundërshtarë të tij jo se vepronin, por thjesht se vetëm e mendonin, do të mbetet, sa më shumë vite të shkojnë, një nga çuditë më të mëdha të kësaj bote. Kështu hetuesit ia fabrikuan provat. Dhe duke qenë se Daut Gumeni i ngjante të atit, pra edhe pse nuk e donte regjimin, bënte kujdes të respektonte e zbatonte ligjet, shkeljet sidoqoftë iu gjetën.
Ishin dy fletore.
Në njërën prej tyre kishte poezi. Në krye ishte Fan Noli. Pas Nolit ishte Bajroni dhe pas tij Gëte. Të gjithë ata poetë hetuesi i akuzoi si borgjezë. Edhe Bajroni ishte për të borgjez i poshtër, por thjesht nuk ishte aq i fëlliqur sa Gëtja. Daut Gumeni përpiqej t‘i sqaronte se ata autorë të huaj mësoheshin në shkolla, por hetuesi nuk donte t‘ia dinte. Bënte sikur nuk kishte dëgjuar kurrë për Lord Bajronin apo për Volfang Gëten. Madje, me këtë të fundit kishte inat të madh. Daut Gumeni në fletore e kishte vizatuar poetin e madh gjerman të ulur në një shezlong para shtëpisë së tij në Vaimar. E kishte marrë pamjen nga një enciklopedi që qarkullonte lirisht. "Po ky ç‘është?" - i thoshte hetuesi. "Është Gëtja", përgjigjej Gumeni. "Mos ke ëndërruar të kesh edhe ti një pallat si ky borgjez i poshtër?" - ia kthente njeriu i ashpër i hetimit. "Po është Gëtja", i përsëriste Dauti, "Merr vesh apo jo?" Nga kjo përgjigje kryelartë, hetuesi u zemërua shumë dhe pas dhunës së menjëhershme të krahëve të tij, blloku me poezi fluturoi në një anë dhe i pandehuri në krahun tjetër. "E di Partia që është Gëtja", shkumëzoi fjalët njeriu i shtetit, "por e dimë po ashtu që është edhe i poshtër".
Prova tjetër e fajësisë, pra fletorja e dytë, një lloj blloku, kishte këngë popullore të mbledhura nga pleqtë e plakat, nga goja popullore, siç thuhet në raste të tilla. Daut Gumeni ishte lindur bashkë me këto këngë dhe është një nga ata intelektualë që edhe sot mendon pa mëdyshuar se shqiptarët kanë një poezi e këngë popullore të jashtëzakonshme, shumë më të mirë se e kultivuara. Sherif Merdani tregon se kur vuanin burgimin në Burrel "më vinte çudi se si një njeri që e dinte aq mirë historinë botërore dhe të Shqipërisë, njihte tërë letërsinë anë e mbanë globit, kishte një kontradiktë të madhe me shijen e tij muzikore. Kur qëllonte ndonjë periudhë e shkurtër liberalizmi në dhomën-birucë na vendosnin një altoparlant dhe prej Radio Tiranës dëgjonim Tom Xhonsin apo Edit Piafin. Unë isha shumë i lumturuar dhe këndoja bashkë me radion. Ndërkohë shihja që Daut Gumenit ajo muzikë nuk i bënte ndonjë përshtypje të madhe, të paktën nuk e nxiste të mbante ritmin apo ta shoqëronte me mërmërimë. Ndodhte krejtësisht e kundërta, kur në altoparlant fillonte të dëgjohej një këngë labe. Menjëherë mrekullohej. U kërkonte të gjithë miqve të tij të burgut qetësi dhe me një lëvizje të harmonishme të kokës ndiqte këngën, duke e kënduar edhe me fjalë, një për një. Kur i bërë kureshtar i thosha: ‘Si është e mundur që ti, përkthyes aq i madh i Shellit apo i Gëtes dhe Hygoit, akoma qëndron me shijet e këtyre këngëve?‘ Më përgjigjej: ‘Me këtë muzikë jam rritur. Ti nuk e di, nuk e njeh Gusmarin e Tepelenës ku kam lindur. Unë duhet të lindem edhe njëherë në një vend tjetër që ta harroj atë këngë. Por ti duhet ta dish se kënga labe është një perlë, e kanë pohuar studiues të huaj. Është një nga meloditë e rralla në botë që ka polifoni, jo pak, por katër zëra‘. Pastaj niste të thoshte se kënga e viseve të tij ngjante më shumë me atë skoceze dhe se më fort besonte që nëpër humbëtirën e thellë të shekujve nuk kishin ardhur skocezët në Shqipëri, por bashkëkombësit e tij në trojet e lashta të Britanisë së Madhe".
Këtij Daut Gumenit, të shpallur politikisht armik, hetuesit i thoshin: "Po përse në këtë bllok nuk ke asnjë këngë për partinë? Ka plot nga këto këngë". "E di, përgjigjej, ato po thyejnë dhogat e festivaleve, por unë nuk i mbledh, sepse janë këngë operativash". Hetuesit nxeheshin dhe ankoheshin: "Na i ka lidhur duart Partia, sepse do të të bënim copa-copa".
Kur luftën me dy fletoret nuk i nxorën dot fitimtare, iu qepën një libri që ia patën gjetur në shtëpi. Ishte "Fjalori" i Kristoforidhit i vitit 1902. Që kur ishte student, Daut Gumeni e pati gjetur te një bukinist në "Rrugën e Kavajës" në Tiranë. Për procesin e hetimit ai libër parashikohej të ishte prova më e madhe e fajësimit të tij si agjent i grekut. Akuzuesit e pyetnin pa u lodhur përse ai fjalor nuk ishte shkruar edhe në shqip, por i gjithi, bashkë me shpjegimin e fjalëve, vetëm në greqisht. Gumeni u shpjegonte se ai libër ishte botuar në Athinë në vitin 1902 dhe për këtë mund ta shihnin vetë datën e shtypur në kopertinë. "Mos më mëso mua se çfarë të bëj, sepse më ka mësuar Partia!" - ngrinte zërin hetuesi - "Por m‘u përgjigj përse është vetëm në greqisht?" I riu njëzetekatërvjeçar rifillonte edhe njëherë t‘i bënte të kthjellët akuzuesit e tij, se në vitin 1902, pra kur ishte shtypur ai fjalor, shqipja akoma nuk shkruhej, sepse alfabeti u hartua gjashtë vite më vonë, në 1908. Hetuesi i pakënaqur tundte kokën dhe i bënte shenjë ndihmësit me makinë shkrimi të fiksonte në akuzë "Shënoje edhe këtë që sapo tha, është provë e krimit!"
***
Në librin "Në kërkim të kuptimit të jetës", Viktor E. Frankl shkruan se thelbi i ekzistencializmit është "Të jetosh, domethënë të vuash, të mbijetosh do të thotë të gjesh kuptimin e jetës në vuajtje".
Daut Gumeni e pa këtë, e provoi.
Që në çastin e parë të bisedës me të e jo më pas disa ditësh apo kur shfleton të gjithë veprën e tij intelektuale, përkthim e krijimtari e mirëfilltë, habitesh se si e gjithë ajo periudhë e rëndë burgimi nuk e ka cenuar në asnjë pjesë të individualitetit të tij, të personalitetit e identitetit, të shpirtit poetik e të aftësisë për të ëndërruar, të ndjenjës së thellë të humorit e dashurisë së madhe për jetën, të ndjeshmërisë ndaj delikates dhe tërheqjes pas të bukurës, në ironinë e këndshme dhe batutën e kripur, në thellësinë e vështrimit dhe shpejtësinë e të menduarit. Asgjë nuk i është tjetërsuar dot, nuk i është rrënuar, prishur, kalbur, deformuar, ënjtur, mpakur. Ka ndodhur krejtësisht e anasjella. Tiparet e dhuntitë e tij individuale kanë spikatur më shumë.
Ndoshta nuk është fjala e saktë, por Daut Gumenin njëzetë e tre vite burg e kanë rigjeneruar. E dimë që kjo e pohuar është nonsens, e megjithatë ka ndodhur pikërisht kështu.
E fshehta e kësaj ka qenë kuptimi i jetës. Diktatura dështoi jo vetëm për njëmijë arsye, përfshi edhe vetëmbylljen dhe autarkinë ekonomike, por sepse përdori një sistem shoqëror dogmatik, të pazgjuar, shpesh të trashë dhe idiot. Nëse ishte shumë barbare, kjo i ndodhi jo vetëm për shkak të ideologjisë, por edhe të mënyrës mediokre se si u zbatua apo iu imponua shqiptarëve. Ishte jo vetëm kriminale e quajtura "lufta e klasave", por edhe banale. Ajo kërkonte të krijonte një "njeri të ri", duke shkatërruar "të vjetrin". Kështu, në thelb ajo tentoi të rrënojë e shpërbëjë "njeriun e ri" dhe "të vjetrin" bashkë. Kjo donte të thoshte se diktatura real-komuniste ishte një sistem shoqëror kundër vetë njeriut, kundër kuptimit të shoqërisë dhe të jetës.
Këtu humbi, u rrënua dhe u shpërbë vetë ajo.
Ka kapërcyer më shumë se dy dekada të pandërprera burg dhe Gumeni tani thotë se ka qenë njeri me fat. Sërish në pamje të parë ky është një nonsens. Cili fat është ai që të merr nga jeta njëzetë e tre vite, pa përfshirë kohën kur për një dekadë të tërë më përpara përgjoheshe, kufizoheshe dhe ndaloheshe në shumë të drejta fillestare? Si mund të flitet për fat, kur bashkë me të i arrestuan edhe të vëllanë, duke i dhënë plot tetëmbëdhjetë vite dënim? Si mund të konsiderohet fat, kur nga kampi i punës në Vlorë Dautin e dërguan në Burgun e tmerrshëm të Spaçit dhe aty pas ca kohe e arrestuan sërish? Si mund të quhet fat fakti se iu bënë jo një, por dy gjyqe të gjatë? Si mund të emërtohet fat fakti që të atin, në vitin 1972, ia vranë fshehtas në një pusi, sepse "pengonte punën e partisë"? Madje, pasi ia vranë dhe ai ishte në burg, në çastin e apelit të mëngjesit dhe të mbrëmjes komandantët e gardianëve enkas nuk e shqiptonin emrin e tij, por të të atit. E bënin këtë gjë që t‘i thoshin se "si ia bëmë atij, do ta bëjmë edhe ty".
Mirëpo Gumeni e quan veten megjithatë me fat. Kjo jo se nuk i kanë rrëmbyer padrejtësisht pjesën më të re e më të bukur të jetës, por sepse ka ditur t‘i japë kuptim asaj që prej fillimit. Kështu u bë i pashkatërrueshëm. Për ta kuptuar këtë të ndihmon karakteri i tij, temperamenti, mënyra e veçantë si i sheh gjërat, gazi që i buron nga e gjithë qenia, si të jetë një lum i madh e i pafund optimizmi, të shtyn dialogu me të, natyra e tij e çliruar, e lirë nga çdo paragjykim.
Fatin, kur pikërisht fati ishte ai që iu rrokullis kur e pranguan, Gumeni e sheh në konstatimin personal se ka qenë i rrethuar kurdoherë nga njerëz të mirë. E nis me prindërit e vet. Të atin, Mehmetin, që mesa dukej e pati udhëheqës shpirtëror, e konsideron si fatin e tij të parë. Arsyen e shpjegon: sepse kur e vranë mund t‘i thoshin njeri i lig, por i thanë vetëm armik. Gumeni këtë e quan gjë të madhe. Ai i ndan njerëzit jo sipas ideve politike dhe mospëlqimit nga kjo apo ajo pjesë e shoqërisë që ka pikëpamje të ndryshme apo të kundërta. Ai i ndan sipas dëmit apo të mirës që i bëjnë të gjithë shoqërisë. Kështu, njerëzit kanë vetëm një ndryshim: janë të mirë ose të këqij për popullin e kombin e tyre.
Të dyja palët dhe kundërshtarët e mëdhenj të luftës së nxehtë e të ftohtë shqiptare, komunistët e ballistët, gjithçka që kryen e bënë në emër të atdheut. Njëra palë kishte ideologji internacionalizmin, tjetra nacionalizmin. Ishte një ndarje e dhimbshme dhe po aq fatkeqe. Të dy ndeshësit e donin Shqipërinë secili sipas mënyrës së vet. Komunistët ranë në grackën e stalinizmit, humbella më e rëndë që iu hap në këmbë shqiptarëve shekullit të shkuar. Ballistët nuk e ndanë dot mirë distancën mes fashistëve dhe komunistëve dhe ranë në kurthin e luftës civile, aq të dëshiruar nga emisarët jugosllavë. E, megjithatë, nacionalistët ishin shumë më pak të ideologjizuar nga korentet politike të kohës dhe më të gatshëm e më të afrueshëm për mirëkuptim. Për aq sa ndjenin e dinin ata bashkëkombësit nuk i ndanin në të majtë e në të djathtë, por në të mirë të zgjidhjes së çështjes shqiptare a në të keqe të saj.
Ja pse Daut Gumeni e quan fat që u përkiste dy prindërve të tij atdhedashës e që asnjëherë nuk u përfshinë në luftën ideologjike, por kërkuan një shtet me ligje, të cilit t‘i shërbenin dhe ai t‘u bëhej strehë mbrojtëse pa u nisur nga idetë që kishin. Prej këtej, natyrshëm i është shfaqur fati i dytë. Këta ishin disa prej të burgosurve nga regjimi komunist. "Më ndoqi fati", thotë Gumeni, "edhe kur vajta në burg, sepse atje gjeta ca burra shumë të mirë, të cilët qenë arsimuar me paratë e tyre dhe jo të kooperativave". Sipas tij, "ata qenë njerëz të hekurt. Mund të ishin katandisur në 40 kile, sepse kishin dekada në burg, por te ta gjeta pedagogët e mi të mirë, universitetin tim. Duke filluar nga nipi i Sheh Karbunarës, i cili kishte mbaruar për Financë në Torino. Nesim Shehu quhej. Ishte një njeri shumë i mprehtë. Afria me të të rriste përditë, ta impononte rritjen. Me Nesim Shehun të forcohej kocka. Isha vetëm 24 vjeç, kurse Nesimi ishte mosha ime tani, gjashtëdhjetepesë. Kishte bërë gjysmën e jetës në burg".
Më pas Daut Gumeni, bashkë me fatin e tij të dytë, përmend edhe nacionalistin himarjot Niko Mali, i cili kishte mbaruar shkollën në Athinë. "Njeri me kockë", e përcakton, "Njeri me intelekt". "Në këtë kuptim", shpjegon Gumeni, "unë e quaj fat të madh që gjeta në burg njerëz të kthjellët, me dije perëndimore dhe shqiptare".
Fati i tretë ishin mësuesit e nxënësit e tij. Edhe pse "me biografi të keqe", mësuesit e shkollës e shpallën atë në Gjirokastër ku vazhdonte të mesmen, më të mirin e 1200 nxënësve. Kur e burgosën dhe i bënë gjyqin e parë, tashmë edhe vetë mësuesit, asnjë prej nxënësve të tij dhe kolegëve nuk dolën dëshmitarë. Rrinin në sallë të heshtur e të pikëlluar. Dhe nxënësit e tij nuk ishin fëmijë dosido, por bij komunistësh e kolonelësh. Në Tepelenë kishte bazën Brigada e Ndjekjes për të gjithë jugun dhe ishte e mbushur me oficerë të lartë të Ministrisë së Brendshme.
***
Pas gjyqit të parë, ku prokurori kërkoi 25 vjet burg dhe gjykatësi la njëzetë, duke u justifikuar se i pandehuri ishte moshë e re dhe kishte mundësi të korrigjohej, Daut Gumenit iu bë një riarrestim dhe për pasojë edhe një gjyq e dënim tjetër.
Iu zhvillua në Tepelenë, në vetë vatrën e Brigadës së Ndjekjes.
Ky gjyq i dytë ndodhi në mars 1970 dhe ndryshe nga i pari, u bë posaçërisht publik. Përse ndodhi kështu? Kjo periudhë rastëson me një frymë të lehtë liberalizmi që kishte nisur të buiste këto kohë e që u mbyll në fund të vitit 1973 me disa valë të mëdha pastrimesh të egra, që vazhduan për një dekadë të tërë tashmë brenda vetë klasës udhëheqëse komuniste. Në të vërtetë gjyqi i dytë për Daut Gumenin u krye për të kundërtën e kësaj atmosfere. Klasa e quajtur e përmbysur duhej të mbetej e trembur. Ajo nuk kishte punë nëse shtrëngimi i regjimit lirohej ndopak për të tjerët, të quajturat "klasat në pushtet". Ekzistenca e kësaj manovre politike të diktaturës dëshmohet nga shumë seanca të tjera gjyqësore që janë bërë këtë kohë. Luan Myftiu, një nacionalist tjetër, nga më të spikaturit dhe të diturit, dëshmon se hetuesi kryesor, pasi kishte pranuar që e patën arrestuar pa bërë asgjë, i kishte thënë: "Pse, djemtë tanë që këndojnë kanconeta italiane, do të marrim ne!?"
Gjyqi i dytë zgjati tri ditë. Më 25 mars ia bënë në mjedise të mbyllura, brenda në Degën e Punëve të Brendshme, duke i ushtruar presion që gjatë seancave të hapura të "rrinte urtë". Gjatë tre viteve burg kishin parë tek ai një njeri që jo vetëm nuk nënshtrohej, por edhe e shpallte hapur mendimin e tij, pa pyetur sa mund t‘i kushtonte. Për të mbrojtur idetë e veta Gumeni paguante edhe çmimin e jetës. Kështu, ndryshe nga disa të burgosur të tjerë, që mospajtimin e tyre e mbanin të kyçur brenda vetes, tashmë 27-vjeçari ishte gati ta kthente seancën gjyqësore në një "Ju akuzoj" të madhe për regjimin.
Kur menduan se mbase e tutën ndopak, seanca e dytë u bë në Shtëpinë e Kulturës së Tepelenës më 26 dhe 27 mars. Ishte ndërtuar në formën e një spektakli kundër "armikut të klasës". Trupi gjykues e prokurori u vendosën në skenë, madje në një podium të lartë. Të dënuarit, në krye të të cilëve Daut Gumeni, i lanë në pjesën e parë të sallës, nën nivelin e podiumit dhe të sallës, e cila, duke filluar nga radha e parë, lartohej. "Të pandehurit" i futën në të quajturën "gropë të orkestrës".
Dëshmitari i parë, i konsideruar i rëndësishëm, ishte një punonjës policie që ishte dërguar fshehurazi jashtë shtetit për të përgjuar emigrantët. Pasi kishte dështuar, pra ishte zbuluar, e patën rikthyer dhe kishte kohë që vegjetonte pa bërë asgjë të rëndësishme. Në atë gjyq i kishte ardhur ora të bëhej i famshëm. Ai tha se nëpër kampet e refugjatëve kishte dëgjuar që familja Gumeni ishte kështjellë e nacionalizmit. Ky atë kohë quhej krim i rëndë, sepse lidhej me veprimtarinë e Ballit Kombëtar, porse Dauti, me ta dëgjuar, provoi një gëzim të madh dhe këtë gjë e bëri menjëherë publike. Mes të tjerash tha: "Nëse është e vërtetë që kemi qenë kështjellë e nacionalizmit u gëzova. Veç shtëpinë si ndërtesë e kemi pasur fare të thjeshtë dhe hauret na i dogji lufta". Pas kësaj, edhe pse disa në podium, e sidomos prokurori, u nxinë në fytyrë, Daut Gumeni vuri re se kryetari i trupës gjykuese e linte të fliste lirisht, nuk e ndërpriste. Ishte minoritar. Tridhjetë e tetë vite më pas, ai akoma e quan atë "njeri i mençur".
Një dëshmitar tjetër tha: "Ke thënë në filan vend kështu, ke thënë ashtu". Ia ktheu përgjigjen: "Po, të gjitha ato i kam thënë. Kam thënë se njerëzimi ka nevojë për utopi dhe se utopia është e saktë deri te Tomas Mori. Ai peshkopi i Anglisë nuk ishte budalla që ia vuri emrin utopi, se komunizmin nuk e keni shpikur ju. Komunizmi është që te hebrenjtë e lashtë. Pastaj e mori krishterimi, më vonë e morët ju. Por ata që thanë se do të bëhet shkencë, ata ishin batakçinj. Gjallë në botë ajo nuk bëhet shkencë. Lëreni të rrijë deri tek utopia! Përse thatë se do të vërshojnë të mirat materiale si lumë dhe nuk ka filluar të pikojë ai lumi juaj? Njerëzit janë të uritur. Ku e keni lumin e të mirave materiale? Po hyn dekada e tretë që jeni në pushtet, ku e kini?"
Ky guxim, kjo "Ju akuzoj", bëri që nga podiumi e nga salla, përgjithësisht e mbushur me të porositur, të thërrisnin: "Mbyllini gojën!" U ngrit njëri dhe tha: "Unë flas në emër të njëzetetetëmijë dëshmorëve. Këtij armiku duhet t‘i pritet fjala. Të dënohet me pushkatim!" Pas kësaj, kryetari i gjykatës iu drejtua Daut Gumenit: "Përgjigju popullit!" Ky, akoma i habitur nga liria që po i jepej, ia ktheu përgjigjen të revoltuarit të sallës, duke e tallur. Nga pjesëmarrësit qeshën. Një tjetër nga radhët e para, i cili kishte vënë një kapele republike mbi gjunjë dhe pati qenë veshur me pallto "Gub", tha: "Ki qenka kobra vetë. Në ato eritrocitet e tij nuk gjen dot një rreze drite nga ato të shokut Enver që ndriçon gjithë botën. Ki qenka kancer antikomunist. Ki nuk duhet dëgjuar këtu se na bën propagandë më shumë se ‘Zëri i Amerikës‘. Mbylljani gojën këtu, futeni në birucë e jepini një koqe plumbi!" Kryetari i gjyqit sërish iu drejtua Gumenit: "Përgjigju popullit!" Daut Gumeni ia ktheu drejtpërsëdrejti: "Dëgjoni! Atij veteranit të Sigurimit të Shtetit, që thotë se ka lexuar veprat e Enver Hoxhës që ndriçojnë gjithë botën, i them se me to nuk ndriçon dot as shtëpinë e tij. Nuk ndriçon dot, sepse ka vënë gjithë Shqipërinë në burg. Ju quani filozof një hoxhë?! Se të ishte që e pati mbaruar në Stamboll shkollën po hajde, po ai është hoxhë fshati. Kurse ky ish-koloneli i Sigurimit ka të drejtë të flasë ashtu, sepse sa merr ai pension nuk merr gjysma e një kooperative".
Pas kësaj atmosfera në sallë u elektrizua dhe nga rreshtat e para, futur në gropën e orkestrës, Daut Gumeni dëgjonte që i thoshin mënjanë njëri-tjetrit: "Po ku dëgjoka ky! - ky qenka t‘i pish dollinë! Ku e gjeti që ka qenë kolonel Sigurimi!" Ndërkohë, një i moshuar, i cili njihej si ish-partizan dhe ishte komunist i ndjerë, u ngrit në këmbë dhe tha para të gjithëve: "Mjaft me këto thirrje për pushkatim! Le të veprojë ligji, por ky qenka artist djalë! Ta thotë atë që mendon!"
Në sallë e në trupin gjykues trazimi u bë më i madh.
Tjetri që u ngrit tha se ishte përgjegjës i sektorit të dytë në Golem. Ishte futur në një peliçe të re, nga ato që atë kohë ndante Dega e Punëve të Brendshme. Tha prerë: "Propozoj që atë profesorin ta djegim në dru të njomë! "Të njëma" shqiptoi golemasi në dialektin e vet, duke lënë të kuptojë se të pandehurit i duhej marrë shpirti pak e nga pak, në një zjarr me dru të njoma, të cilat digjen ngadalë. Pas tij u ngrit një veteran i luftës. Ishte i zëmëruar dhe iu drejtua drejtpërsëdrejti Daut Gumenit: "I je turrur edhe Marksit, por deri kaq nuk të lejoj!" Pas ndërhyrjes së kryegjykatësit "Përgjigju popullit!" Gumeni iu përgjigj: "Marksit unë nuk i turrem si filozof dhe erudit, por u turrem atyre që thonë se zbatojmë marksizmin. U turrem se nuk ishte budalla Marksi që të bënte parashikime sesi me idetë e tij do bëheshin regjimet. Kur ai vetë ishte gjallë dhe dëgjoi se Pol Lafargu, dhëndri i tij, në emër të marksizmit vajti e rrahu fshatarët në Francë, vetë Karl Marksi tha: ‘Në rast se marksizmi kryen gjëra të tilla, as unë nuk jam marksist‘. Kurse ju, po ta kishit zënë Marksin të gjallë, e dini çfarë do t‘i ndodhte? Do të hante supë me mua tani në burg".
Menjëherë u ngrit një banakiere. Tha: "Unë mezi duroj, më dridhet trupi kur e dëgjoj atë profesorin, që na shau që nga gjërat më të shenjta, që nga udhëheqësi legjendar që kemi, shokun Enver. Me këta dy të tjerët bëni si të doni, po me atë profesorin dua një lugë gjak të ngrohtë".
Salla mbeti në pështjellim jo vetëm atë ditë, por edhe të nesërmen, më 27 mars. Ǒpo ndodhte atje kishte marrë dhenë. Liria e fjalës së një "armiku" kishte krijuar për disa çaste një mjedis irreal, fantastik, të paharrueshëm, si të hyje në histori. Kjo ditë mbajti në kujtesë edhe fjalët e një koloneli nga ata të Brigadës së Ndjekjes, madje ishte vetë shefi i ndjekjes. Njërën dorë e kishte të prerë në luftën çlirimtare. Tha pothuajse solemnisht: "Ky djali ka të drejtë. Kemi dy ditë me këtë, latë nam, dëgjohet graria këtu. Një e kërkon të pjekur, një të gjallë, një të djegur. Ky djali ka të drejtë, (Nuk më tha ‘i pandehur‘, kujton Daut Gumeni). Ka të drejtë që tallet ai, merremi me një djalë ne! Ǒështë kjo kujë! Ne i kemi mbushur jo vetëm rrugët, por edhe malet me lapidarët e heronjve tanë, por ky është një hero i reaksionit. O vëllezër, me këta kemi luftuar ne! Respektojeni heroin e reaksionit! Dënojeni dhe mbaroi puna!" "Përgjigju popullit!" - ndërhyri menjëherë kryegjyqtari minoritar. Daut Gumeni shqiptoi butësisht: "Sa për këtë zotërinë, ushtarakun, nuk kam gjë. Atij sa herë që prishet koha i dhemb dora. Ai ka të drejtë, sepse për idealin e tij dhe atdheun ka dhënë pjesën e trupit. Ky ka të drejtë të më hedhë gurë dhe jo vetëm fjalë. Për të nuk kam asnjë vërejtje. Duket që i ka mbetur kockë dhe karakterin nuk e ka prishur. Ai është në shekullin e tij. Unë nuk pretendoj të kthej shekujt mbrapa. Unë shikoj shekullin tim".
***
I futur në burg më 27 qershor 1967, Daut Gumeni doli në liri vetëm më 7 gusht 1990. Në gjurmët e kësaj historie që ju përshkruam më lart, nuk ramë pasi pimë ndonjë kafe me të. Kishte shumë kohë, që pa e njohur personalisht, pata mbledhur të dhëna nga mjaft pjesëmarrës në gjyqin e tij të dytë. Ata edhe tani, në lirinë tonë të pasdiktaturës, mes tyre edhe vetë atë kohë drejtori i Shtëpisë së Kulturës ku ndodhi ngjarja e pazakonshme, ndihen të magjepsur. Kishin përjetuar një akt të madh heroik dhe vetëm një vit më parë këtë gjë e mësova fare rastësisht prej tyre. Fatkeqësisht ishte një ngjarje e mbajtur në padije dhe më lindi dëshira ta bëj të njohur. Më ndjeni që doli shkrim i gjatë dhe për këtë gjë redaksinë e "Shqip" po e vë në siklet!
Rasti Daut Gumeni është një "sui generis". Edhe njëherë rishfletova në internet se çfarë thuhej e shkruhej për të. Kryesisht ishin të dhëna për aktivitetin e tij si kryekonsull në Janinë e Zagreb, si këshilltar Presidenti të Republikës, përkthime dhe botime origjinale, copëra modeste nga aktiviteti i tij politik, pasion që me sa duket e ka të pashuar dhe plot kokëkrisje. Veç nuk gjeta dot shkrime për burgun e tij. Nuk gjeta asnjë të dhënë kur kishte hyrë në të e kur kishte dalë prej tij. Flitej vetëm se brenda qelive dhe telave me gjemba kishte bërë 23 vite. Kohë heronjsh të çuditshëm! Apo mbase kështu janë të vërtetët?