Te familja Osmani, aty ku dhimbja i bashkon të gjithë
Pesha e dhimbjes ka qenë më e rëndë se kurrë dje në Sauk, në periferi të Tiranës, aty ku ishte vendosur familja Osmani, e cila kishte ardhur nga Erseka që prej shumë vitesh. Gjysma e personave që humbën jetën i përkisnin kësaj familjeje, bashkë me dy nipërit e vegjël të moshës trevjeçare. Thonë se babai i tyre, edhe ai shumë i ri, i ka mbajtur për pak kohë në krahë, me shpresën që t‘i shpëtojë, por nuk ia ka arritur, duke u mbytur bashkë me ta. Dhimbja e madhe ka pllakosur jo vetëm familjen e tyre, por të gjithë zonën e të njohurit e tyre. Tetë anëtarë të familjes Osmani ishin mbledhur të festonin një gëzim familjar në një prej lokaleve të Farkës, pak kilometra larg vendbanimit të tyre. Të ardhur nga Erseka, dy vëllezërit Osmani, Halili dhe Faiku, u vendosën në Sauk 10 vjet më parë, me shtëpitë vetëm 30 metra larg njëra-tjetrës. Pjesëtarët e këtyre familjeve, që humbën jetën në tragjedinë e Farkës, do të mbahen mend prej fqinjëve si njerëz punëtorë, të urtë dhe të gjendur. Lajmi për mbytjen e tetë pjesëtarëve të familjes Osmani i ka befasuar të gjithë. Banorët e Saukut nuk duan ta besojnë atë që ka ndodhur.
"Është një dhimbje që na ka mpirë, nuk kemi se çfarë të themi", shprehet Rusha, një banore e lagjes, teksa me disa banore të tjera tregon se shkonin shumë mirë me fqinjët që tashmë nuk jetojnë më. "Dëgjuam se kishin ditëlindjen e dhëndrit të tyre, Albanit", thotë një vajzë e re, e cila u shpjegon mikeshave të veta, se kjo ishte arsyeja pse Alketi nxitonte dje për të mbyllur dyqanin. Alban Hysa ishte fejuar prej disa kohësh me vajzën e familjes së Halil Osmanit, Aurela Osmanin, një lidhje me fund tragjik. I vendosur prej vitesh në Sauk, Albani ishte protagonist i festës, pasi kishte vendosur që ditëlindjen e tij ta festonte së bashku me prindërit dhe njerëzit e të fejuarës së tij. Kishte ardhur nga Berati dhe punonte si elektroaut në një ofiçinë shumë pranë familjes Osmani. Por, biseda në grupin e grave është përqendruar te familja e Alketit, gruas së tij, Saikidës dhe dy binjakëve 3-vjeçarë, Ejsi e Rei Osmani. Gratë së bashku me banorët e tjerë bëhen pjesë e kortezhit. Një kortezh i gjatë, i përmortshëm, ku dhe hapat që hidhen janë të kujdesshëm. Askush nuk do të prishë heshtjen e thellë që ka pllakosur. Për t‘i përcjellë në banesën e fundit, aty janë të gjithë. Të afërm, krerë të shtetit, njerëz të thjeshtë.
Ceremonia mortore e planifikuar për në orën 16:00 u shty për gati 1 orë, pasi pritej mbërritja në banesë e dy djemve të Halil Osmanit, të cilët jetojnë prej vitesh në Itali. Sapo kanë prekur tokën shqiptare, në Aeroportin e Rinasit, ata janë shoqëruar drejt Saukut, nga një eskortë policie për të qenë në kohë, në momentin e ceremonisë mortore. U bënë nderimet e fundit dhe pastaj tetë pjesëtarët e familjes Osmani u përcollën për në banesën e fundit nga mijëra qytetarë.