E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjëma e Farkës, Berati mban zi

Qyteti i Beratit është në zi që prej mëngjesit të djeshëm. Lajmi se viktimat e tragjedisë së Farkës mund të ishin nga qyteti i Beratit ka tronditur banorët e këtij qyteti, që është zgjuar dje jo si gjithë ditët e tjera.

Çifti Pëllumb e Majlinda Hysa dhe vajza e tyre, Romina, ishin nisur pasditen e së mërkurës drejt Tiranës, ku do të festonin ditëlindjen e djalit të tyre, Albanit. Ky i fundit jetonte prej katër vitesh në Tiranë, ku ndiqte shkollën me kohë të pjesshme për elektroaut dhe punonte si kamerier në një lokal.

Sipas dëshmive të familjarëve, ai kishte njoftuar prindërit tij se ditëlindja e 21-të do të festohej në Tiranë, së bashku edhe me familjen e të fejuarës së tij, Aurelës.

Pëllumb dhe Majlinda Hysa kanë pritur sapo vajza Romina, nxënëse në vitin e tretë në gjimnazin "Kristaq Capo" në këtë qytet ka mbaruar orët e mësimit dhe janë nisur për në Tiranë.

Nuk dihet saktësisht nëse familja ka përdorur një mjet të rastit, për të shkuar në Tiranë apo kanë udhëtuar me mjetin që kryefamiljari ka siguruar për këtë udhëtim te të njohur të tij. Ndriçimi, vëllai i Pëllumb Hysës është shprehur se e dinte që familja e vëllait do të festonte ditëlindjen e djalit në Tiranë, por nuk ka ditur saktësisht se ku do të bëhej festa. Ai ka treguar se Pëllumbi, dy ditë më parë e kishte njoftuar për festën që do të bënte me rastin e ditëlindjes së djalit të tij dhe se kishin vendosur ta festonin në Tiranë për shkak se në ftesë do të ishin dhe familjarët e të fejuarës së djalit, Aurelës.

Alban Hysa dhe Aurela Osmani pas një bashkëjetese dyvjeçare kishin shpallur para pak kohësh fejesën. Nga pohimet e të afërmve mësohet se në ftesën e Albanit do të merrnin pjesë edhe familjarët e Aurelës.

Së bashku me familjen Hysa, drejt Tiranës mësohet se kanë udhëtuar të mërkurën edhe Pranvera Novaj dhe Erjon Blano, nënë e bir. Erjoni jeton prej vitesh në Tiranë, bashkë me Albanin, pasi që të dy ndiqnin të njëjtën shkollë dhe punonin bashkë si kamerierë në të njëjtin lokal. Albani kishte ftuar në festën e ditëlindjes edhe shokun së bashku me nënën e tij, Pranverën. Shoqëria e djemve kishte bërë që edhe dy familjet të kishin marrëdhënie të ngushta mes tyre, çka ka bërë që gruaja të ishte pjesëmarrëse në festën e Albanit.

Lajmi për ngjarjen e rëndë ka mbërritur në qytetin e Beratit vetëm mëngjesin e djeshëm nëpërmjet medias. Ndriçim Hysa ka qenë ndër të parët që është njohur me tragjedinë nëpërmjet televizorit. Ndërsa ndiqte me keqardhje lajmin për ngjarjen e rëndë, ai është përballur me lajmin se viktimat ishin të afërmit e tij, vëllai, kunata dhe nipi. Ai mësohet se ka organizuar menjëherë familjarët e tjerë dhe është nisur drejt Tiranës, drejt morgut të qendrës spitalore "Nënë Tereza", ku mbaheshin trupat e pajetë.

Banesa e Pëllumb Hysës ndodhet në lagjen "Çlirim" të qytetit të Beratit, por familja Hysa ka vendosur që ceremonitë mortore dhe pritjet e ngushëllimeve të zhvillohen të gjitha në banesën e prindërve, Qamil dhe Refie Hysa. Prindërit e moshuar kanë qenë të fundit që kanë mësuar ngjarjen. Katër djemtë e mbetur të familjes Hysa janë kujdesur që ta bëjnë sa më vonë të ditur lajmin e kobshëm. Pranë banesës që ndodhet në lagjen "Vakëf" të qytetit, pak pas orës 10:00 kanë nisur të shkojnë për ngushëllim të afërm e të njohur dhe familja Hysa ka hapur dyert për mort.

Në shtëpinë e çiftit të moshuar ka mbërritur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme e mbijetuara e vetme të familjes, Romina. Kjo e fundit ka qenë e shoqëruar nga të afërm të tjerë dhe gjendja e saj ka qenë tepër e dëshpëruar. Një makinë e ndihmës së shpejtë është vendosur që prej mëngjesit të djeshëm pranë shtëpisë ku priteshin ngushëllimet dhe Romina ka qenë e para që ka marrë ndihmën mjekësore, për shkak të problemeve të shkaktuara nga tronditja e rëndë.

Rreth orës 12:40 minuta trupat e pajetë të Pëllumb, Majlinda dhe Alban Hysës kanë mbërritur pranë banesës së prindërve. Kortezhi është shoqëruar nga qindra qytetarë të Beratit.

Ka qenë tepër e madhe dhimbja për familjen Hysa, por dhe gjithë të afërmit, miqtë e familjes. Askush nuk ka ditur të gjejë fjalë për të ngushëlluar familjarët, të cilët nuk kanë mundur ta mbajnë dhimbjen.

Familjarët i janë shmangur çdo kontakti me njerëzit e shumtë të medias që kanë mbushur shtëpinë Hysi. Ata kanë kërkuar të lihen të qetë në dhimbjen e tyre duke mos fshehur dhe nervozizmin.

Bashkia e Beratit organizon

homazhe në Pallatin e Kulturës

Të parët që kanë shkuar për të shprehur ngushëllimet në familjen Hysa dje kanë qenë kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, dhe pushtetarë të tjerë vendorë. "Nesër (e premte) në orën nëntë të mëngjesit trupat e pajetë të tre familjarëve do të vendosen pranë pallatit të kulturës "Margarita Tutulani", ku do të kryhen të gjitha nderimet e rastit dhe më pas ata do të përcillen për në banesën e fundit me të gjitha nderimet. Po kështu, bashkia ka menduar që të mbulojë të gjitha shpenzimet për këtë rast", është shprehur kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi.

Lule, dhimbje dhe lot pa fund, kjo është gjithçka që të bie në sy në familjen ku janë vendosur njëri pas tjetrit tre arkivolet me trupat e pajetë. Lagjja "Vakëf" duket e qetë në pamje të parë, por sapo futesh në të ndihen se gjithçka e ka mbuluar zia. Pranë shtëpisë ndodhen qindra burra e gra të veshur me të zeza dhe që të gjithë hyjnë e dalin për të bërë sa më të lehtë dhimbjen e pafund për familjarët. Të gjithë nuk gjejnë fjalë të shprehen dhe që të gjithë i ka mbuluar zia. Asgjë nuk dinë të thonë katër vëllezërit e Pëllumb Hysës, por shprehen vetëm se vëllai i tyre ishte nisur për festë dhe kjo tragjedi nuk ka emër.

Pranë banesës së familjes Hysa vazhdon të qëndrojë një mjet i gatshëm i policisë dhe një mjet i ndihmës së shpejtë për çdo rast. Në Berat mësohet se ceremonitë do të kryhen në orën 10:00 të ditës së sotme, ndërsa më pas familjarët do të udhëtojnë drejt Tiranës ku do t‘u jepet lamtumira e fundit vajzës së familjes Hysa, Thëllëzës dhe djalit të saj, të cilët gjetën vdekjen në këtë tragjedi. Morti ka nisur edhe në familjen Blamo, ku ka gjetur vdekjen djali Erjoni dhe nëna e tij, Pranvera Novaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›