Viktimat, me djegie në pjesë të trupit
Trupat e pajetë janë dërguar në morgun e Tiranës, ku i janë nënshtruar autopsisë për të dokumentuar vdekjen e tyre. Sipas të dhënave nga Mjekësia Ligjore, vdekja e tyre është shkaktuar nga asfiksia, por e nxitur edhe nga djegia. Kjo e fundit ka ardhur si pasojë e ndezjes së benzolit pas përmbysjes së varkës. Këtë përgjigje kanë dhënë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, që kanë punuar gjatë ditës së djeshme, që nga ora 01:00 e mëngjesit, kur është ngritur një grup i madh për ekspertimin e viktimave të liqenit të Farkës. Që në orën 01:00, kur ka mbërritur kufoma e parë, ekspertët e mjekësisë ligjore kanë nisur ekspertimin. Diagnoza nuk ka qenë e vështirë të përcaktohet për shkak dhe të llojit të ngjarjes, mbytjes në liqen. Ndërkaq, përveç ekspertimit të kufomave, që deri në orën 03:30 minuta kishin mbërritur të gjitha, është bërë edhe identifikimi i tyre, që ka qenë dhe pjesa më e vështirë. Burime nga Mjekësia Ligjore kanë bërë të ditur se të gjithë personat kanë gjetur vdekjen nga asfiksia, nga sasia e madhe e ujit që kishin pirë gjatë minutave që kanë qenë nën varkën e përmbysur. Por, viktimat kanë pasur edhe djegie në pjesë të ekspozuara të trupit. Burimet nga Mjekësia Ligjore thanë se ata kanë pasur djegie në duar, në kyçe dhe në pjesë të fytyrës. Sipas mjekëve, kjo ka ardhur nga karburanti, benzol, që konsumonte varka që kishte motorin. Rrjedhja e karburantit ka shkaktuar djegiet në pjesët e trupit. Gjithashtu, gjatë kryerjes së ekspertizës janë marrë kampione nga trupat e viktimave për të vlerësuar masën e alkoolit, që ndodhej në gjakun e personave të vdekur.