Buka, nisin kontrollet për çmimin
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, ka filluar procesin e kontrollit intensiv në shkallë vendi në të gjitha njësitë e shitjes së grurit, miellit dhe bukës. Burime nga MBUMK-ja bënë të ditur se ky hap është ndërmarrë në kuadër të evidentimit të tregut informal dhe abuzivitetit me çmimin e këtij produkti në tregjet e vendit. Sipas specialistëve, përmes këtyre kontrolleve po merren informacione të sakta dhe të detajuara nga çdo hallkë e tregut të prodhimit të bukës, me qëllim përgatitjen e një raporti përfundimtar, i cili do të shërbejë për ndërhyrjet dhe masat që do të marrin institucionet përkatëse, për mbrojtjen e këtij tregu nga konkurrenca e pandershme dhe informaliteti. Ditët e fundit, prodhuesit e produkteve të brumit dhe veçanërisht të bukës, rritën çmimin e bukës nga 80 lekë/kg në 100 lekë/kg në disa tregje të vendit, fakt ky i cili është vlerësuar nga specialistët e bujqësisë, si një rritje artificiale e çmimit të bukës, pa baza objektive, ndaj dhe janë forcuar masat për parandalimin e mëtejshëm të këtij çmimi.