Qeveria shqyrton heqjen e TVSH-së për grurin
Pas presioneve nga biznesi, por edhe politika, qeveria duket se është vënë në lëvizje për të gjetur një zgjidhje që do të stabilizonte çmimet e produkteve ushqimore, e kryesisht bukës në tregun e brendshëm. Burime nga Ministria e Financave thonë se shumë shpejt ministri i Financave do të dërgojë në qeveri për shqyrtim kërkesën e industrialistëve për të hequr Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për grurin. Vendimi përfundimtar për këtë pritet të bëhet publik të hënën. Burime konfidenciale thonë se me shumë gjasa qeveria do të vendosë përjashtimin përkohësisht nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar jo vetëm të grurit, por edhe të disa lëndëve djegëse, që shërbejnë për prodhimin e bukës. Kjo, pasi edhe efekti i këtyre masave në buxhet është relativisht i vogël. Shteti do të humbte 8 milionë dollarë nëse do të përjashtojë grurin nga skema e TVSH-së për 5 muajt e ardhshëm, sipas kërkesës së prodhuesve. Industrialistët kanë marrë përsipër publikisht se nëse do të aprovohet kërkesa e tyre për heqjen e TVSH-së së grurit, ata do ta reflektojnë 100 për qind këtë në çmimin e miellit. Sipas tyre, çmimi i bukës do të stabilizohej menjëherë pas kësaj në nivelin e 75 lekëve. Por, këto lëvizje nuk shihen me optimizëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithëse FMN-ja ende nuk ka mbajtur një qëndrim zyrtar për këtë çështje, në të kaluarën ky institucion ka kundërshtuar çdo nismë për përjashtimin e mallrave të caktuar nga skema e TVSH-së, me argumentin se këto masa favorizojnë të pasurit dhe dëmtojnë njerëzit me të ardhura të ulëta. Një rast i ngjashëm ishte ai i energjisë elektrike, për të cilën qeveria ishte zotuar në fillim të mandatit të saj, se do të ulte TVSH-në 6 për qind, por pasi u ndesh me rezistencën e fortë të FMN-së, vendosi ta braktisë premtimin e saj.