E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja: Qeveria të rikrijojë rezerva shtetërore për ushqimet bazë

Rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore ka qenë sërish dje në vëmendjen e LSI-së. Sekretari për bujqësinë dhe mjedisin në LSI, Edmond Panariti, gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se rritja e shpejtë e çmimeve të prodhimeve bujqësore bazë si: buka, vaji, sheqeri, orizi, qumështi dhe mishi nuk duhet konsideruar si një dukuri e përkohshme, për sa kohë që prodhimi i brendshëm është në rënie dhe varësia ndaj importeve të ushqimeve pritet që të jetë ndjeshëm më i lartë gjatë këtij viti dhe në vazhdim. Sipas LSI-së, në këto rrethana, qeveria nuk mund të jetë pasive dhe indiferente ndaj rritjes së çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë, sepse kjo do ta rëndonte akoma më shumë gjendjen e vështirë ekonomike të familjeve shqiptare, por do të binte ndesh edhe me objektivin strategjik të reduktimit dhe zhdukjes së varfërisë në vend. "Vendi fqinj, Maqedonia, dëshmon se me politika të kujdesshme dhe të orientuara drejt, jo vetëm që arrihet të ndalet rritja e çmimeve të prodhimeve ushqimore bazë, por madje dhe të ulen ato. LSI-ja i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë në mënyrë aktive për t‘i garantuar popullit nevojat jetësore bazë", është shprehur Panariti. Për këtë arsye, LSI-ja i kërkon qeverisë të aktivizojë sa më parë rezervat shtetërore për prodhimet ushqimore bazë, për të mundësuar rolin balancues të shtetit në treg në momente krizash, rritjesh të çmimeve apo të katastrofave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›