Buka, skema si ulet çmimi
Qeveria shqiptare ka në dorë një armë shumë të fortë për të stabilizuar çmimet e bukës në tregun vendas, por që çuditërisht ende nuk po e përdor atë. Këtë radhë nuk bëhet fjalë as për uljen e çmimit të energjisë, apo lehtësira të tjera fiskale, që sipas Kryeministrit do të penalizonin fermerët vendas. Shteti shqiptar është aksioneri kryesor i fabrikës "Buka sh.a.", e cila ka kapacitetin më të madh se kushdo shoqëri private për prodhimin e bukës. "Ne kemi kapacitet prodhimi për të furnizuar pjesën dërrmuese të Tiranës", thotë njëri nga drejtuesit kryesorë të saj, që nuk ka dashur të identifikohet. Në bazë të të dhënave zyrtare, kostoja e prodhimit të bukës te kjo fabrikë është aktualisht 70 lekë për një bukë standarde prej 800 gramësh. Buka shtetërore shitet aktualisht në treg me një çmim prej 75 lekësh.
Tregu
Por, pavarësisht se ka kapacitetin më të madh në vend, fabrika "Buka sh.a." zë një pjesë të papërfillshme të tregut në kryeqytet. Arsyeja? Nuk prodhohet me kapacitetin e plotë. Dhe kjo jo për shkak të mungesës së lëndës së parë, apo avarive me teknologjinë. Askush nuk di të thotë se pse kompania, e cila në masën 51 për qind zotërohet nga shteti dhe pjesa tjetër nga pronarë privatë, që janë kryesisht punonjësit e saj, nuk prodhon me kapacitet të lartë. Në vitin 1999, kur Shqipëria u përball me eksodin e kosovarëve, fabrika e bukës prodhonte plot 44 mijë copë bukë në ditë, prej të cilave 30 mijë dërgoheshin në Kukës. Sot drejtuesit e saj nuk pranojnë të japin se cila është shifra reale e prodhimit, por mjafton të përmendet fakti se furrat e saj punojnë vetëm gjatë natës, për të kuptuar se sa pak shfrytëzohet. Për rrjedhojë, buka shtetërore zë aktualisht vetëm një pjesë të papërfillshme të tregut dhe ndikimi i saj në çmim është i pafuqishëm. "Nëse ky operator do të prodhonte me kapacitetin maksimal, atëherë do të kishte mundësinë të përcaktonte i vetëm çmimet e bukës në treg", thotë Gjergj Buxhuku, ekspert i ekonomisë dhe administrator i "Konfindustria"-s.
Presioni i privatëve
Por ngritja e fabrikës shtetërore të bukës dhe fuqizimi i saj në treg nuk u intereson prodhuesve privatë. Ata nuk e kanë parë asnjëherë me sy të mirë fuqizimin e kësaj fabrike. Burime konfidenciale thonë për "Shqip" se ndaj drejtuesve të saj është ushtruar presion nga privatët. Qeveria shqiptare vazhdon të mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos ndërhyrë në treg. Madje Kryeministri ka shfaqur besim të verbër ndaj forcës magjike të tregut. Të njëjtën gjë ka bërë dhe ministri i Financave. Por vallë privatët kanë të drejtë të bëjnë presion ndaj operatorit shtetëror për të rritur çmimet, apo aq më keq për të mos e lejuar atë të dalë fare në treg?
Shteti si rregullator
Kjo situatë e vështirë është mbarëbotërore. Edhe vende të tjera po përballen me një rritje të fortë të çmimit të ushqimeve, e veçanërisht bukës. Por si vepron Bashkimi Evropian në të tilla raste? "BE ka mekanizma të veçanta që monitorojnë ecurinë e kërkesës dhe ofertës në treg. Në rast se vihen re deformime të ekuilibrave, atëherë BE ndërhyn drejtpërdrejt në treg. Kur ka mungesë oferte, qeveritë e BE-së blejnë nga jashtë dhe shesin në tregun e tyre, derisa të arrihet ekuilibri dhe anasjelltas", thotë Adrian Civici. Sipas tij, ky është dhe roli i shtetit rregullator që mbron biznesin, por në radhë të parë konsumatorin.
Të zbatohet falimenti
Ekspertët kërkojnë vënien në praktikë të falimenteve, që do të mbrojnë konsumatorët
Kriza e fundit e çmimeve ka bërë që të shtohen zërat që i kërkojnë qeverisë të vërë në zbatim ligjin e falimentit, i cili do të mbronte konsumatorët për të mos ndjerë të gjitha pasojat. "Ligji i falimentit nuk lejon transmetimin e të gjithë krizës te konsumatorët, pasi një pjesë të saj e mbajnë bizneset që falimentojnë", thotë ish-ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli. Në Shqipëri ka një ligj për falimentin, i cili është miratuar që para dhjetë vitesh, por që asnjëherë nuk është zbatuar. Prodhuesit e bukës thonë se prej disa vitesh po përballen me një situatë të vështirë dhe se po punojnë me humbje. Por në fakt, në gjykatat shqiptare nuk është nisur zyrtarisht asnjë proces falimentimi, qoftë dhe për një furrë të vetme. Ajo që ndodh në vendin tonë është se kriza u transmetohet e gjitha konsumatorëve. Bizneset e paafta mbijetojnë në treg, pikërisht duke rritur koston për konsumatorët.
Ministria, gati ligji
Një grup pune me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe të Drejtësisë ka nisur punën për disa rregullime në ligjin aktual "Për falimentimin", për ta përafruar atë me standardet e BE-së.
Një nismë e tillë po ndërmerret pasi në treg shumë kompani, duke marrë borxh te njëri-tjetri, rrezikojnë të fshehin situatën e tyre, si dhe të mund të përballen me procesin e falimentimit zinxhir. Në rastet e kompanive me bilance negative në një afat kohor prej më shumë se një vit, me rregullimet që do t‘i bëhen këtij ligji pritet që të bëhet efektiv falimentimi, pasi ato nuk do të mund të pranohen nga bankat për marrje kredie apo borxhe te njëri-tjetri. Burime të Ministrisë së Ekonomisë bënë të ditur se ka kompani të cilat punojnë duke marrë borxh te njëra-tjetra, pasi vetë paraqesin bilance me humbje. Por nga ana tjetër, bilancet negative fshehin edhe vetë të ardhurat e kompanive, me qëllim fshehjen ndaj sistemit të taksave, çka rëndon në të ardhurat buxhetore. Burime zyrtare të METE-s thonë se deri tani nuk është bërë asnjë proces gjyqësor dhe nuk është marrë asnjë vendim ndaj kompanive që rezultojnë me bilance negative, duke shpallur falimentimin e tyre. Ligji "Për falimentimin" është hartuar në mes të viteve ‘90-të, por deri më sot asnjë kompani nuk është shpallur e falimentuar në bazë të tij, çka ka bërë të nevojshme ndërmarrjen e punës për rishikimin e tij.