E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekord në Frakull, buka 150 lekë

Në qytetin e Fierit çmimi i bukës ka qëndruar i njëjtë në dukje, pasi bukëpjekësit kanë nisur të aplikojnë uljen e peshës së saj. Ndërkohë mësohet se në Komunën e Frakullës çmimi i një buke me peshë 1 kg ka shkuar në 150 lekë, duke shënuar çmimin më të lartë në vend.

Ulja e peshës

Strategji të re kanë filluar të ndjekin prodhuesit e bukës në Fier, për të mos pasur përplasje me konsumatorin e përditshëm. Shumë prej tyre nuk e kanë rritur çmimin e bukës, por kanë ulur gramaturën e saj. Nëse një bukë masive deri tani është shitur 100 lekë, ajo sërish aq shitet edhe sot, por me gramaturë 200 gramë më pak. Në shumë pika të shitjes së bukës në Fier pesha e bukës që duhet të jetë 1 kilogram është vetëm 800 gramë edhe pse vetë prodhuesit deklarojnë se i përmbahen standardit.

Prodhuesit e bukës në Fier, që në muajin gusht të vitit 2007 kanë aplikuar rritjen e çmimit të bukës nga 80 në 100 lekë, duke thyer kështu dhe vendimin e Autoritetit të Konkurrencës. Ky institucion, në muajin tetor 2007 ka kërkuar uljen e çmimit të bukës nga prodhuesit fierakë, pasi në rast të kundërt ata do të gjobiteshin. Një gjë e tillë nuk u miratua nga prodhuesit fierakë të bukës, të cilët pranuan më mirë të gjobiteshin sesa të ulnin çmimin e bukës.

Arsyet që servirën prodhuesit e bukës për këtë rritje çmimi dhe mosrespektim të vendimit të konkurrencës, kishin të bënin me rritjen e kostos së prodhimit. Rritja e çmimit të drithërave, rritja e çmimit të energjisë dhe në rast të mungesës së saj edhe naftës për gjeneratorët, bëri që të rritej edhe kostoja e bukës. Duke i bazuar veprimet e tyre mbi këto fakte, prodhuesit fierakë vendosën pothuaj njëzëri të mbajnë atë çmim që ata kishin miratuar nëpërmjet shoqatës së tyre në muajin gusht 2007.

Në fund të muajit janar 2008, për të njëjtat arsye çmimi i bukës rritet pothuajse në të gjithë vendin. Por mesa duket tashmë prodhuesit fierakë kanë vendosur të përdorin një tjetër strategji, atë të uljes së gramaturës, për të mos u bërë më "delja e zezë" në Autoritetin e Konkurrencës.

Çmimi rekord

Banorët e Komunës Frakull në rrethin e Fierit janë praktikisht më të goditurit nga vala e fundit e rritjes së çmimeve. Një bukë masive që deri më sot blihej me 100 lekë, në këtë komunë ka arritur çmimin rekord të 150 lekëve. Shkak për këtë rritje të jashtëzakonshme të çmimit në Komunën Frakull, sipas shitësve të bukës, është sasia e pakët e bukës që shitet në këtë komunë dhe kostoja e shpërndarjes. Prodhuesi i bukës në këtë komunë duhet të llogarisë në kosto edhe shpenzimet e automjetit që bën shpërndarjen e bukës në çdo fshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›