E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqiza përcjell viktimën e fundit të nëntokës

Është përcjellë dje për në banesën e fundit trupi i pajetë i minatorit të aksidentuar në galeritë e thella të minierës së Bulqizës, i cili ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak. Sami Doga, 45 vjeç, punonte në brigadën e prapavijës për përgatitjen dhe plotësimin e kushteve për minatorët e shfrytëzimit. Në të premten e "zezë" të javës që lamë pas, ndërkohë që së bashku me tre shokët e tij, po armonte një galeri në thellësi rreth 1000 metra nën tokë, një masë e madhe shkëmbi është shkëputur nga tavani i kësaj galerie, duke e plagosur tepër rëndë. I plagosuri u dërgua në Spitalin Ushtarak Tiranë, për marrjen e ndihmës së specializuar mjekësore, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai nuk mundi t‘u rezistojë plagëve të rënda. Kështu, i ndjeri Sami Doga, baba i tre fëmijëve u bë viktima e pestë brenda këtij viti, që shënohet në këtë minierë, më e madhja në vendin tonë dhe më gjerë. Në këtë vit, sidomos në gjysmën e dytë të tij, aksidentet me pasojë vdekjen, në këtë minierë, kanë qenë të shpeshta. Nëse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u shënua vetëm një vdekje, të gjitha të tjerat ndodhën në gjashtëmujorin e dytë, kur dhe nisën protestat e minatorëve, kryesisht për paga më të larta dhe sigurim të kushteve teknike gjatë punës në minierë. Protestat e minatorëve, që vazhduan gjatë gjithë muajit qershor dhe kulmuan me grevën e urisë të 21 minatorëve, për 12 ditë rresht, si dhe aksidentet e njëpasnjëshme, me humbje jete të minatorëve, ku në më pak se tre muaj humbën jetën katër minatorë, e detyruan më në fund ministrin Ruli, që të lëshojë urdhrin për mbylljen e minierës, deri në plotësimin e kushteve të sigurisë në punë për minatorët. Por fatkeqësisht, sapo ka ardhur urdhri i cili mban datën 08.11.2007, për rifillimin e punës, ndodh aksidenti tjetër, ku humb jetën minatori 45-vjeçar, Sami Doga. Drejtori aktual i minierës, Petrit Duva, bashkëfshatar me viktimën, i pyetur për aksidentin, thotë për "Shqip", se kjo është një fatkeqësi e rëndë që përjetohet me dhimbje të thellë edhe nga ne drejtuesit e minierës. "Dua të deklaroj se në nivelet e thellësisë, ku dhe ka ndodhur aksidenti, atë të 15-të dhe 16-të, janë plotësuar kushtet për rifillimin e punës, gjë që është konfirmuar zyrtarisht edhe nga RISHM-i, si dhe ekzistojnë të gjitha aktet teknike për rifillimin e punës në këtë front, firmosur nga kryeinxhinieri, plus urdhrit ditor të lënë nga personeli i këtij sektori". Sidoqoftë, vijon më tej ai, është ngritur një grup ekspertësh, në përbërje të të cilit, përveç oficerëve të policisë gjyqësore, bëjnë pjesë edhe specialistë të RISHM-it, të cilët do të zbardhin përfundimisht, shkaqet që çuan në aksidentin e rëndë. Gjithashtu, drejtori Duva, bën me dije se të nesërmen, do të mblidhet stafi drejtues i minierës, i cili mbi bazën e konkluzioneve që do të nxjerrë ky grup ekspertësh, do të përcaktojë përgjegjësitë dhe masat për gjithsecilin person përgjegjës. Ndërkohë, ai garanton se do të bëjë gjithçka mundet, për t‘ia lehtësuar sadopak dhimbjen familjes Doga, që dje përcolli për në banesën e fundit njeriun më të dashur të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›